TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Maj 2026, 14:50

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin kontrollin e energjisë në Ballkan

Shkruar nga Pamfleti

Një kompani e lidhur me figura pranë administratës Trump po përfshihet në një projekt gjigant gazsjellësi në Bosnje dhe Hercegovinë, pa garë konkurruese dhe me mbështetje të fortë nga disa zyrtarë lokalë dhe amerikanë. BE dhe organizata ndërkombëtare paralajmërojnë për rreziqe korrupsioni dhe varësie të re politike në sektorin energjetik të rajonit.

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin
Donald Trump Jr, i fotografuar duke mbërritur në Banja Luka, qyteti kryesor në gjysmën serbe të Bosnjës për një takim me udhëheqësit politikë në prill, u prit ngrohtësisht nga djali i udhëheqësit ultranacionalist serb të Bosnjës, Milorad Dodik. Fotografia: AFP/Getty Images

Në një rrugicë të mbuluar me grafite në Sarajevë, një shteg kalon pranë një kopshti të lënë pas dore dhe të çon te një derë e bardhë. Pas saj ndodhet zyra e regjistruar e një kompanie që është pranë fitimit të kontratave me vlerë mbi 1 miliard dollarë.

AAFS Infrastructure and Energy është afër sigurimit të një koncesioni për ndërtimin dhe operimin e një gazsjellësi që do të kalojë nëpër Ballkan, duke mundësuar zëvendësimin e furnizimeve ruse me gaz natyror të importuar nga Shtetet e Bashkuara.

“Ky mund të jetë projekti më i rëndësishëm infrastrukturor ndonjëherë në Bosnje dhe Hercegovinë”, thotë një nga zyrtarët më të lartë të vendit, i cili, ashtu si të tjerë të përfshirë në negociata, kërkoi të mbetet anonim për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

Kompania nuk ka histori në realizimin e projekteve të kësaj përmase. Ajo që ka, megjithatë, janë lidhjet personale me Donald Trump.

Njëri prej përfaqësuesve të AAFS është një avokat nga Uashingtoni që ka përfaqësuar familjen Trump në procese politike. Tjetri është vëllai i ish-këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të presidentit amerikan. Të dy kanë qenë pjesë e përpjekjeve për të kundërshtuar humbjen e Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.

Një hetim i gazetës britanike The Guardian, i bazuar në intervista me zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë boshnjakë e amerikanë, dokumente të rrjedhura dhe regjistra korporativë, ka shqyrtuar këtë kompani pak të njohur që është futur në qendër të garës globale për ndikim energjetik. Hetimi ofron një pasqyrë mbi mënyrën se si po ndryshojnë marrëdhëniet ndërkombëtare nën një presidencë që, sipas kritikëve, zbeh kufijtë mes politikës shtetërore dhe interesave të njerëzve pranë pushtetit.

“Ekziston një logjikë, në botën e sotme, që njerëz të lidhur me administratën të përfshihen në projekte të mëdha ekonomike apo investime”, thotë një ish-zyrtar i lartë amerikan në rajon. “Nuk është e këndshme, por një pjesë e madhe e politikës së vendit tim është bërë e tillë këto ditë.”

Në hapësirën e ish-Jugosllavisë, çështja nuk ka të bëjë vetëm me atë se kush do të përfitojë financiarisht. Ndërhyrja amerikane mund të ndikojë edhe në marrëveshjen e paqes të vitit 1995, e cila i dha fund luftës që mori rreth 100 mijë jetë njerëzish, shumë prej tyre civilë boshnjakë myslimanë të vrarë nga formacione paraushtarake serbe.

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin
Nga e majta) Jesse Binnall, John Ginkel, i ngarkuari me punë në ambasadën amerikane në Bosnjë dhe Hercegovinë; dhe Joe Flynn në Sarajevë në janar. Fotografia: X

Sipas burimeve të Guardian, zyrtarët amerikanë ua kanë bërë të qartë liderëve boshnjakë se administrata Trump dëshiron miratimin e projektit të gazsjellësit të AAFS.

Lidhjet “MAGA” të AAFS

Kur gazetarët e Guardian trokitën në adresën e AAFS në Sarajevë, një grua nga kati i sipërm u tha se përfaqësuesi lokal do të kthehej së shpejti. Disa minuta më vonë mbërriti Amer Bekan.

Bekan, një burrë në moshë të mesme, deklaroi se zyra e kompanisë do të transferohej së shpejti në një godinë të madhe me rreth 100 punonjës.

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin
Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmetimit për Gazin

Në biografinë e tij online ai prezantohet si “investitor dhe sipërmarrës me përvojë të gjerë”. Ai ka provuar edhe politikën. Në vitin 2016 kandidoi për kryetar bashkie në Sarajevën qendrore, ku mori vetëm 116 vota. Një fushatë tjetër në vitin 2020 çoi në akuza se kishte shfrytëzuar procesin zgjedhor për përfitime personale, pretendime që ai i mohoi.

Bekan regjistroi kompaninë AAFS në Bosnje në vitin 2021. Vetëm pasi përfshiu partnerët amerikanë vitin e kaluar, kompania filloi të fitonte rëndësi. As ai dhe as partnerët e tij nuk tregojnë se si u njohën.

AAFS në Bosnje tani zotërohet nga një kompani amerikane me të njëjtin emër, e regjistruar në nëntor. Adresa e saj në Uashington ndodhet në një zonë turistike pranë lumit Potomac, mes një restoranti libanez dhe një pub-i irlandez. Një tabelë identifikon ambientet si zyrat e grupit ligjor Binnall Law Group.

Jesse Binnall është një nga avokatët më të njohur të lëvizjes “Make America Great Again” (MAGA). Ai ka punuar për fushatën presidenciale të Trump në vitin 2016 dhe në vitin 2020 ishte ndër zërat më aktivë që vinin në dyshim fitoren e Joe Biden.

“Donald Trump fitoi ... pasi të llogariten mashtrimet dhe parregullsitë që ndodhën”, deklaronte atëherë Binnall.

Ai gjithashtu mbrojti Donald Trump dhe djalin e tij të madh, Donald Trump Jr., në një proces gjyqësor që synonte t’i mbante përgjegjës për ngjarjet e 6 janarit 2021, kur protestues sulmuan Kapitolin amerikan.

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin
Një nga përfaqësuesit e AAFS është një avokat nga Uashingtoni, Jesse Binnall, i cili ka përfaqësuar familjen Trump në raste politike. Fotografia: Greg Nash/UPI/Shutterstock

Pas rikthimit të Trump në pushtet vitin e kaluar, Binnall siguroi një marrëveshje kompensimi prej 1.25 milionë dollarësh nga Departamenti i Drejtësisë për Michael Flynn, ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare në mandatin e parë të Trump.

Pikërisht përmes këtyre angazhimeve Binnall njohu Joe Flynn, vëllain e Michael Flynn, sipërmarrës në sektorin e shëndetësisë. Të dy ishin aktivë në përpjekjet për të diskredituar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.

“Gazsjellësi Southern Interconnection, i cili ka qenë prioritet i qeverisë amerikane gjatë tre administratave të fundit, do të zgjerojë dhe diversifikojë sektorin energjetik të Bosnje dhe Hercegovinës, duke i dhënë vendit kontroll më të madh mbi furnizimin me energji përmes aksesit në gaz natyror të bazuar në treg dhe duke reduktuar varësinë nga një burim i vetëm dhe jo i besueshëm.”, deklaroi  Departamenti Amerikan i Shtetit për The Guardian.

Megjithatë, përvoja e Binnall dhe Flynn në projekte infrastrukturore në Ballkan mbetet e paqartë. Pavarësisht kësaj, që prej përfshirjes së tyre, projekti ka marrë mbështetje të fortë nga administrata Trump.

Projekti pa garë konkurruese

Diskutimet e para të Binnall, Flynn dhe Bekan me autoritetet boshnjake kishin të bënin me rinovimin e dy aeroporteve me vlerë rreth 300 milionë dollarë.

Më pas, sipas Guardian, zyrtarët boshnjakë u sugjeruan të merrnin përsipër një projekt shumë më të rëndësishëm: gazsjellësin Southern Interconnection.

Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur prej kohësh këtë projekt, i cili do ta lidhte Bosnjën me terminalin e gazit në bregdetin kroat, duke reduktuar ndikimin e Rusisë në Evropën Juglindore.

Gjatë administratës Biden, plani ishte që projekti të drejtohej nga kompania shtetërore boshnjake e gazit. Por interesat konkurruese të grupeve etnike në Bosnje sollën vonesa të vazhdueshme.

Ndërsa disa zyrtarë kundërshtonin dorëzimin e projektit tek investitorë privatë të huaj, të tjerë panë në lidhjet e kompanisë me Trump një mundësi për të zhbllokuar procesin.

Koha po shteronte. Bosnja është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe Brukseli ka vendosur shtatorin e vitit 2027 si afat për ndërprerjen e blerjeve të gazit rus.

Disa figura të larta boshnjake arsyetonin se përfshirja e një kompanie amerikane mund të forconte jo vetëm sigurinë energjetike, por edhe atë politike në një rajon ku kujtimet e luftës mbeten ende të freskëta.

“Qeveria amerikane i mbron investimet e saj”, thotë Bekan.

Megjithatë, analistë të ndryshëm paralajmërojnë se Bosnja mund të rrezikojë të zëvendësojë një varësi me një tjetër. Sipas tyre, askush nuk dëshiron të rrezikojë përplasjen me Trump, edhe nëse kjo nënkupton besimin e një projekti strategjik një kompanie pa përvojë të provuar.

Kur u pyet për aksionarët e AAFS, Bekan deklaroi se mes tyre janë Jesse Binnall dhe Joe Flynn, si dhe persona të tjerë që nuk pranoi t’i identifikojë.

Ai shtoi se financimi mund të vijë nga “fonde investimi në Shtetet e Bashkuara”, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Binnall mbrojti projektin duke deklaruar se “Ne jemi ekipi i duhur për këtë. Asnjë grup tjetër nuk kombinon praninë në terren në Bosnje me mbështetje të fortë në Amerikë. Jemi të entuziazmuar të ndërmarrim këtë hap sepse besojmë se Bosnje dhe Hercegovina është e ardhmja.”

Një propozim konfidencial i AAFS, i siguruar nga Guardian, parashikon një kosto prej 300 milionë eurosh për gazsjellësin dhe 900 milionë euro shtesë për tre centrale energjetike. Financimi do të vinte nga kapital privat dhe borxh, jo nga shteti boshnjak.

Në mars, legjislacioni i ri boshnjak përcaktoi AAFS si kontraktorin e projektit. Nuk u zhvillua asnjë procedurë konkurruese tenderimi.

Edhe Transparency International reagoi për projektin.

“Krijimi i një praktike të tillë në një vend me një nga nivelet më të larta të korrupsionit në Evropë do të sillte pasoja katastrofike në zbatimin e projekteve strategjike si gazsjellësi Southern Interconnection.”

Pak ditë më vonë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Bosnje paralajmëroi privatisht liderët e vendit se duhej të konsultoheshin me Brukselin për çdo ndryshim në politikën energjetike.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta mbështesin projektin.

“Kjo partneritet forcon pavarësinë energjetike dhe i jep fund varësisë nga gazi rus”, shkroi Ambasada Amerikane në Sarajevë në platformën X. “Ka nisur një epokë e re për sigurinë energjetike në Ballkanin Perëndimor.”

Dodik dhe dimensioni politik

Megjithatë, projekti nuk mund të realizohet pa mbështetjen e Milorad Dodik, liderit ultranacionalist të serbëve të Bosnjës.

Administrata Biden e kishte akuzuar Dodik për korrupsion dhe kishte zgjeruar sanksionet ndaj tij dhe familjes së tij.

“Ai ka abuzuar me detyrën publike për të grumbulluar pasuri personale përmes ryshfetit dhe formave të tjera të korrupsionit”, thuhej në një deklaratë të Departamentit Amerikan të Thesarit.

Dodik i quajti këto akuza “gënjeshtra”.

Projekti 1 miliard dollarë alarmon BE-në, aleatët e Trump marrin
Milorad Dodik

Pas rikthimit të Trump në pushtet, Dodik nisi një fushatë intensive lobimi me qëllim heqjen e sanksioneve dhe afrimin me administratën e re republikane.

Një nga lobistët e përfshirë ishte Michael Flynn, i cili përfitoi 100 mijë dollarë për një muaj punë.Në tetor, administrata Trump hoqi sanksionet ndaj Dodik pa dhënë shpjegime publike.

Më 7 prill, Donald Trump Jr. vizitoi Banja Lukën, qytetin kryesor të entitetit serb në Bosnje.

Igor Dodik, djali i liderit serb, e priti ngrohtësisht.

“Prania juaj thotë shumë”, deklaroi ai. “Ne varemi nga ju dhe mbështetemi tek ju. Në këmbim, ju, Amerika dhe administrata republikane e udhëhequr nga babai juaj do të keni një aleat të besueshëm, të sinqertë dhe të krishterë në këtë pjesë të botës.”

Michael Murphy, ish-ambasador amerikan në Bosnje, paralajmëron se Dodik po kërkon mbështetje në rrethet e Trump ndërsa synon të sfidojë marrëveshjen e paqes së vitit 1995 dhe të avancojë idenë e pavarësisë së entitetit serb.

“Ai dëshiron që ata të përqafojnë axhendën e tij më të gjerë. Për ta arritur këtë, nuk mund të pengojë gazsjellësin”, tha Murphy. “Ata që po e përqafojnë po luajnë me zjarrin.”

Sipas marrëveshjes së ndarjes së pushtetit në Bosnje, përfaqësuesit serbë mund të bllokojnë projektin.

Megjithatë, një politikan i lartë serb i Bosnjës deklaroi se amerikanët këtu kanë një prioritet numër një dhe ai është gazsjellës.

“E kam parë vetë: amerikanët këtu kanë një prioritet numër një dhe ai është gazsjellësi. Janë jashtëzakonisht të interesuar për këtë. Dodik, si gjithë të tjerët, është paralajmëruar: mos luaj me projektin.”

Donald Trump Jr. nuk e përmendi drejtpërdrejt projektin gjatë vizitës së tij, por foli në favor të gazit amerikan.

“Kjo është një zgjedhje e qartë”, tha ai. “Mund të zgjidhni shumë probleme, si në aspektin e biznesit ashtu edhe gjeopolitik. Mendoj se është një mundësi e madhe.”

Më 21 prill, pak pas vizitës së Trump Jr., Dodik sinjalizoi se nuk do të pengonte planin e mbështetur nga Binnall dhe Flynn.

Kjo e afron edhe më shumë përfundimin e procesit që mund t'u japë aleatëve të Trump kontrollin mbi një prej projekteve më të rëndësishme energjetike në Evropën Juglindore.

projekti 1 miliard dollarë alarmon be-në aleatët e trump kontrollin e energjisë në ballkan

Lini një Përgjigje