Një sulm me raketa nga Irani ka goditur bazën ajrore Ali Al Salem në Kuvajt dhe ka shkaktuar plagosjen e lehtë të pesë personave dhe dëme të konsiderueshme në pajisje ushtarake amerikane, përfshirë dronë MQ-9 Reaper.
Sipas një burimi të njohur me ngjarjen, cituar nga Bloomberg, sistemi i mbrojtjes ajrore kuvajtiane arriti të interceptojë një raketë të tipit Fateh-110, por fragmentet e saj ranë brenda territorit të bazës, duke shkaktuar dëme dhe lëndime te personel ushtarak dhe kontraktorë civilë.
Raportohet se një dron MQ-9 Reaper është shkatërruar plotësisht, ndërsa të paktën një tjetër ka pësuar dëmtime serioze. Vlera e këtyre mjeteve ajrore vlerësohet rreth 30 milionë dollarë për njësi.
Ngjarja ndodhi në një moment tensionesh të larta në rajon, kur administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrtonte një marrëveshje për zgjatjen e një armëpushimi të brishtë mes palëve, që ka qenë në fuqi që nga prilli.
Vetë presidenti kishte deklaruar më herët se ishte i gatshëm të merrte një “vendim përfundimtar” mbi marrëveshjen, por takimi në Shtëpinë e Situatave përfundoi pa një njoftim zyrtar.
Sipas raportimeve, sulmi vjen pas një serie përplasjesh të mëparshme në rajon, përfshirë rrëzimin e dronëve iranianë dhe bombardime në territorin iranian. Konflikti ka sjellë konsum të ndjeshëm të arsenaleve amerikane, përfshirë raketa me precizion të lartë dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes së SHBA-së për operacionin “Epic Fury”, deri tani janë raportuar 14 të vrarë dhe 409 të plagosur nga pala amerikane.
Po ashtu, thuhet se Irani ka lëshuar mbi 1,850 raketa balistike që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt, ndërsa raketa Fateh-110 konsiderohet një armë me rreze të shkurtër veprimi dhe kapacitet të lartë goditës.
Lini një Përgjigje