
Fluturimet në Aeroportin e Mynihut, një nga qendrat më të rëndësishme të transportit ajror në Gjermani, u pezulluan përkohësisht mëngjesin e së shtunës pas raportimeve për praninë e mundshme të një droni pranë zonës së operimit.
Sipas mediave gjermane, përfshirë Focus Online dhe Bild, autoritetet aeroportuale vendosën të ndërpresin përkohësisht lëvizjet ajrore si masë sigurie, ndërsa nisën verifikimet për objektin e dyshimtë të vërejtur pranë aeroportit.
Pas kontrollit të situatës, Focus Online raportoi se aktiviteti ajror rifilloi dhe operimet po riktheheshin gradualisht në normalitet.
Deri në kohën e publikimit të raportimeve, autoritetet e aeroportit dhe policia nuk kishin dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi incidentin apo natyrën e saktë të alarmit.
Ndërkohë, të dhënat në faqen zyrtare të Aeroportit të Mynihut tregonin se një numër fluturimesh të planifikuara deri rreth orës 10:00 sipas kohës lokale ishin vonuar ose anuluar, ndërsa të tjera vijuan sipas programit.
Autoritetet pritet të sqarojnë në orët në vijim nëse bëhej fjalë për një dron të konfirmuar apo vetëm për një sinjalizim që aktivizoi procedurat e sigurisë në aeroport.
Lini një Përgjigje