Shitja e rrjetit mediatik që përfshin N1, Nova S dhe Vijesti ka shkaktuar reagime të forta nga aksionarët pakicë të United Group, të cilët paralajmërojnë veprime ligjore dhe rreziqe për lirinë e medias në rajon...
Marrëveshja për shitjen e kompanisë mediatike Adria News Network (ANN) te grupi investues Alpac Capital është arritur, konfirmuan zyrtarisht kompanitë. Në njoftimin për shtyp thuhet se “këto transaksione i nënshtrohen miratimeve standarde rregullatore dhe pritet të përfundojnë gjatë gjysmës së dytë të vitit 2026”.
Adria News Network (ANN) është një kompani mediatike me seli në Luksemburg që menaxhon një portofol mediash kryesore dhe të pavarura televizive, të shtypit dhe dixhitale në Ballkanin Perëndimor, përfshirë N1 dhe Nova S në Serbi, si dhe Vijesti në Mal të Zi.
Ky transaksion konsiderohet politikisht i ndjeshëm, veçanërisht në Serbi, pasi televizionet që operojnë nën ANN konsiderohen ndër mediat e fundit të mëdha që nuk janë nën ndikimin e Partisë Progresive Serbe (SNS) në pushtet.
Aksionarët pakicë të United Group, pronarit të ANN, Dragan Solak dhe Victoriya Boklag, deklaruan sot se e konsiderojnë transaksionin të paligjshëm dhe paralajmëruan nisjen e procedurave ligjore.
Në deklaratën që konfirmon marrëveshjen, Alpac Capital thekson se zotëron shumicën e aksioneve të njërit prej rrjeteve më të mëdha mediatike në botë, Euronews.
“Kjo blerje i siguron ANN-së një platformë të fortë dhe një pronar të përputhur me parimet e saj editoriale, duke garantuar pavarësinë afatgjatë të këtyre aseteve të rëndësishme mediatike”, thuhet në deklaratë.
Njoftimi për shtyp thekson se “Alpac Capital është i përkushtuar, ashtu siç dëshmon pronësia e tij mbi Euronews, për promovimin e gazetarisë neutrale dhe të bazuar në fakte, që respekton standardet më të larta editoriale”.
“Në shkurt 2026, United Group bashkoi asetet e saj mediatike në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Mal të Zi, Serbi dhe Slloveni nën një markë të vetme të pavarur, Adria News Network (ANN), me një bord plotësisht të pavarur dhe mbikëqyrje nga një Këshill Editorial i përbërë nga profesionistë të lartë ndërkombëtarë të medias... Kuadri i qeverisjes i prezantuar në të njëjtën kohë u identifikua si mënyra më efektive për të mbrojtur pavarësinë editoriale, duke ofruar stabilitet, transparencë dhe qëndrueshmëri për biznesin, në përputhje me angazhimet e marra nga BC Partners dhe drejtuesit e United Group në vitin 2025”, thuhet në deklaratë.
Më tej shtohet se “Adria News Network është e licencuar dhe e rregulluar brenda Bashkimit Evropian, me licenca që përfshijnë garanci për pavarësinë editoriale”.
“Pas krijimit të ANN-së, United Group mori disa oferta të pakërkuara nga palë të interesuara për blerjen e këtyre aseteve mediatike. Alpac Capital u përzgjodh sepse ofroi vlerën më të lartë, duke respektuar njëkohësisht parimet e qeverisjes dhe pavarësisë të vendosura që në fillim. Marrëveshja e shitblerjes përfshin garanci kontraktuale për ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe funksionale të ANN-së, ndarjen e qartë mes interesave editoriale dhe atyre komerciale, si dhe ruajtjen e një organi të pavarur këshillimor të jashtëm”, nënvizohet në njoftim.
Solak dhe Boklag: Vendimi është i paligjshëm, juridikisht i pavlefshëm
Nga ana tjetër, aksionarët pakicë të United Media, Dragan Solak dhe Victoriya Boklag, pretendojnë se vendimi për shitjen e mediave të pavarura rajonale që operojnë nën Adria News Network është i paligjshëm dhe juridikisht i pavlefshëm.
Në një deklaratë, ata thanë se vendimi u mor në një mbledhje të Bordit të Drejtorëve të kompanisë mëmë, Summer Parent, e cila sipas tyre u thirr në kundërshtim me rregullat e qeverisjes korporative dhe pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të aksionarëve pakicë, të cilët zotërojnë rreth 42 për qind të kompanisë.
“Ne besojmë se si mënyra e thirrjes së mbledhjes, ashtu edhe vendimet e marra në të, janë juridikisht të pavlefshme. Do të ndërmarrim procedura të tjera ligjore lidhur me këto veprime”, theksuan Šolak dhe Boklag.
Ata bënë të ditur se tashmë kanë nisur një proces gjyqësor në Gjykatën e Lartë të Londrës për të kundërshtuar shitjen dhe se transaksioni po shtyhet përpara pavarësisht se çështja është ende në shqyrtim gjyqësor.
Ata shprehën shqetësim të veçantë për ndikimin e mundshëm politik në procesin e shitjes, mungesën e transparencës në përzgjedhjen e blerësit dhe mungesën e garancive të besueshme për ruajtjen e pavarësisë editoriale të mediave.
Aksionarët pakicë paralajmëruan se shitja e mediave të fundit të mëdha të pavarura në rajon mund të ketë pasoja serioze për lirinë e medias dhe proceset demokratike.
Shqetësime për pavarësinë editoriale në të ardhmen
United Group, konglomerat shumëkombësh mediatik që zotëron disa nga mediat e fundit të mëdha në Serbi që nuk janë nën ndikimin e qeverisë, njoftoi më 19 shkurt se po riorganizonte operacionet e saj mediatike, duke vendosur shumicën e mediave të Ballkanit nën rrjetin e sapokrijuar Adria News Network (ANN).
Shumica e këtyre mediave kishin operuar më parë nën United Media, drejtoresha e së cilës, Aleksandra Subotić, u shkarkua nga detyra.
Këto media kanë publikuar pjesën më të madhe të raportimeve kritike ndaj Partisë Progresive Serbe në vitet e fundit dhe për këtë arsye kanë qenë vazhdimisht objekt sulmesh nga zyrtarët më të lartë shtetërorë dhe mediat proqeveritare.
Riorganizimi ngriti shqetësime në opinionin publik serb, ku prej kohësh ekzistojnë dyshime se qeveria serbe kishte arritur një marrëveshje me pronarin shumicë të United Group, BC Partners, për të kufizuar raportimin kritik të këtyre mediave. Si zyrtarët serbë ashtu edhe BC Partners i kanë mohuar këto pretendime.
Më 14 maj 2026, portali Raskrikavanje.rs raportoi se United Group planifikonte të shiste biznesin e saj mediatik te kompania me bazë në Luksemburg European Future Media Investments, e mbështetur nga grupi portugez Alpac Capital.
Në kontratë përmenden Pedro Vargas David dhe Afonso Guerra si persona kontakti të blerësit. Pedro Vargas David njihet publikisht si drejtor ekzekutiv i Alpac Capital, kompani që u bë një nga pronarët kryesorë të Euronews.
Emri i Pedro Vargas David është lidhur shpesh në mediat ndërkombëtare me ish-kryeministrin hungarez Viktor Orbán.
Një hulumtim i portalit hungarez Direkt36, në bashkëpunim me gazetën franceze Le Monde dhe të përditshmen portugeze Expresso, tregoi se blerja e Euronews ishte financuar pjesërisht me kapital shtetëror hungarez, si edhe nga kompani të afërta me rrjetin propagandistik të Viktor Orbán. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje