
Vetëm pak javë pas rrëzimit të Viktor Orbánit, qeveria e re hungareze ka nisur çmontimin e mekanizmave të regjimit joliberal me një shpejtësi të pazakontë. Nga reformimi i institucioneve deri te ekspozimi publik i abuzimeve me pushtetin, Péter Magyar po përpiqet të tregojë se si mund të rikthehet demokracia pas 16 vitesh autokraci.
Hungarezët po përjetojnë diçka të rrallë: ndryshime reale nën një udhëheqje të re. Pak më shumë se një muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 12 prillit, Hungaria tashmë ka një qeveri funksionale dhe demokratike liberale.
Javët e para pas zgjedhjeve që i dhanë fund sundimit 16-vjeçar të Viktor Orbánit po tregojnë se si duket çmontimi i një regjimi joliberal nga brenda. Kryeministri i ri, Péter Magyar, bëri betimin më 9 maj, simbolikisht në Ditën e Europës, ndërsa qeveria e re u formua vetëm pak ditë më vonë.
Ky ritëm i shpejtë i ngritjes së institucioneve ka qenë një nga tiparet më të dukshme të tranzicionit politik. Dhe shpejtësia ishte thelbësore. Gjatë periudhës kalimtare, qeveria teknike nën kontrollin e Orbánit vazhdoi të sillej sikur nuk e kishte humbur pushtetin.
Mediat raportuan për dokumente që po asgjësoheshin me makineri grirëse, marrëveshje të fundit miliona-euroshe të finalizuara në fshehtësi dhe figura pranë regjimit që po transferonin asetet jashtë vendit.
Frika e ekipit të ri ishte e qartë: sa më shumë të zgjaste ky proces, aq më i madh do të ishte dëmi që mund të linte pas regjimi i vjetër. Rënia e sistemit Orbán duket se ka tronditur edhe vetë njerëzit e tij.
Disa figura të partisë Fidesz nisën papritur të flasin për rëndësinë e demokracisë dhe lirisë së medias, duke minimizuar rolin e tyre në degradimin institucional të vendit dhe në shndërrimin e Hungarisë në një nga vendet më të varfra dhe më të korruptuara të Bashkimit Europian.
Disa biznesmenë të lidhur me regjimin dolën publikisht në media për të mbrojtur veten. Një manjat mediatik, kompania e të cilit kishte organizuar fushatat famëkeqe me billboard-e në gjithë Hungarinë, u shfaq në transmetim televiziv me lot në sy, duke u përpjekur të justifikohej.
Ndërkohë, influencues të lidhur me propagandën shtetërore po kërkojnë punë të reja dhe po përpiqen të fshijnë gjurmët e së kaluarës së tyre politike nga CV-të dhe profilet online - edhe pse interneti nuk harron.
Po ashtu, disa media të financuara nga shteti kanë njoftuar mbyllje ose “ristrukturim”, pasi subvencionet publike janë ndërprerë. Ndryshimi po reflektohet edhe te institucionet shtetërore. Televizioni publik, dikur një instrument i propagandës qeveritare, po shfaq shenja të një pavarësie më të madhe.
Magyar ka premtuar pezullimin e përkohshëm të transmetimeve publike gjatë një reforme të thellë, si dhe krijimin e një autoriteti të ri mbikëqyrës për median në vend. Marrëdhënia e Magyar me median e pavarur mbetet komplekse dhe me gjasë do të ketë ulje-ngritje.
Në konferencën e tij të parë ndërkombëtare për shtyp, ai ua dha fjalën fillimisht atyre që dikur etiketoheshin nga Orbán si “fake neës” ose “agjentë të Brukselit”, një gjest ky me peshë të fortë simbolike. Po ashtu, ai zgjodhi tre zëdhënëse, dy prej të cilave vinin nga televizione private mediatike me prirje të majta.
Megjithatë, Magyar mbetet një politikan polemizues dhe shpesh kritik ndaj gazetarëve, një stil që e ruajti edhe gjatë fushatës elektorale. Regjimi joliberal duket se u shemb më shpejt nga sa pritej. Fidesz, tashmë në opozitë me vetëm 52 deputetë në parlamentin prej 199 anëtarësh, duket njëkohësisht agresiv dhe i dobësuar.
Orbán, i cili për vite ndërtoi figurën e “luftëtarit të rrugës” kundër armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, nga George Soros te emigrantët ilegalë, burokratët e Brukselit dhe së fundmi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy është tërhequr me shpejtësi nga skena politike.
Ai kishte premtuar se, në rast humbjeje, do ta përfundonte karrierën politike aty ku e nisi: si deputet. Në fund, ai hoqi dorë edhe nga ky mandat, duke munguar në seancën e parë të parlamentit të ri. Tashmë parlamenti, ku partia Tisza e Magyar gëzon shumicë të cilësuar prej dy të tretave, po përgatit amendamentet e para kushtetuese.
Mes tyre është edhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në maksimum tetë vjet, një ndryshim që praktikisht do ta përjashtonte Orbánin nga mundësia e rikthimit në pushtet.
Në shumë mënyra, regjimi ishte vetë Orbán, ndaj pa të, Fidesz duket se ka humbur identitetin politik.
Tisza po zë gradualisht hapësirën e djathtë që dikur dominohej prej tyre, ndërsa e djathta ekstreme mbetet e përfaqësuar nga Mi Hazánk. Në të njëjtën kohë, ka gjasa të lindin edhe forca të reja të majta, duke i dhënë Hungarisë një pluralizëm politik që mungonte prej vitesh.
Kjo e fundit i lë shumë pak hapësirë Fidesz-it në spektrin politik, përfshirë këtu edhe vetë Orbánin. Popullariteti i Tisza-s ka vazhduar të rritet edhe pas zgjedhjeve, kryesisht në kurriz të Fidesz-it.
Kjo tregon se fitorja dërrmuese e Magyar nuk ishte një aksident elektoral, por pasqyrim i lodhjes së thellë të shoqërisë hungareze me regjimin e vjetër. Qytetarët mbetën të zhgënjyer edhe nga mënyra se si Orbán reagoi ndaj humbjes, si dhe nga sjellja e tij në javët pasuese.
Edhe në arenën ndërkombëtare Orbán duket i izoluar. Aleatë si Robert Fico, Andrej Babiš apo edhe Donald Trump kanë shmangur lidhjen me të pas kësaj disfate. Dikur simbol i së djathtës populiste transatlantike, ai kishte ofruar mbështetje financiare, politike dhe madje strehim për figura të së djathtës ekstreme.
Por situata ndryshoi brenda natës; ai që dikur shihej si më i forti, tani perceptohet si hallka më e dobët, pasi liderët e tjerë nuk duan të lidhen me politikanë të dështuar. Ndërkohë, Magyar po e shfrytëzon me kujdes momentin e krijuar.
Ai ka shoqëruar gazetarët në zyrat luksoze qeveritare të ndërtuara gjatë epokës Orbán, duke ekspozuar kontrastin mes luksit të elitës politike dhe realitetit të një prej vendeve më të varfra të Bashkimit Europian.
Ndërtesat e restauruara, dhomat e purove dhe dekorimet e shtrenjta kanë krijuar një hije të fortë mbi gjendjen ekonomike të vendit. Zyra famëkeqe e Orbánit në Karmelitë është hapur për publikun, flamuri i BE-së është rikthyer mbi parlament dhe qeveria po publikon detaje për shpenzimet e tepërta dhe marrëveshjet e dyshimta të administratës së mëparshme.
Ndërkaq Magyar po përpiqet të ruajë vrullin politik përmes një kabineti që dominohet nga profesionistë dhe jo politikanë karriere. Në qeverinë e tij përfshihen një ish-komandant ushtarak si ministër mbrojtjeje, një strateg politik me prirje të majta në krye të zyrës së kryeministrit dhe një diplomat karriere si ministër i jashtëm, i cili ishte larguar nga shërbimi diplomatik hungarez në vitin 2015.
Aktiv në rrjetet sociale dhe në konferenca të përditshme për shtyp, Magyar nuk duket i gatshëm të ngadalësojë ritmin. Objektivi i radhës është zbardhja e plotë e skandalit të faljes presidenciale, çështja që i dha shtysë ngritjes së tij politike, si dhe spastrimi i figurave kyçe të emëruara nga regjimi i mëparshëm në sistemin gjyqësor dhe institucionet shtetërore./ Përshtati "Pamfleti" nga “Center for European Policy Analysis”
Po ketu?