Ish-kryeministri britanik Tony Blair po përballet me kritika të reja pas publikimit të një eseje mbi të ardhmen politike të Britanisë, ndërsa kundërshtarët e tij e akuzojnë se vazhdon të ushtrojë ndikim të madh mbi politikën britanike.
Një fantazmë e re po përndjek politikën britanike dhe ajo ka emrin Tony Blair. Duke folur si një figurë e rikthyer nga e kaluara, Blair u shfaq në BBC të mërkurën për të promovuar esenë e tij prej 5.700 fjalësh mbi drejtimin e Partisë Laburiste dhe mënyrën se si Britania mund të dalë nga kriza ku ndodhet.
I nxitur me entuziazëm nga Nick Robinson, i cili ka arritur ta kthejë emisionin Today në një platformë për bindjet e tij politike, Blair paraqiti një program që do ta bënte krenar edhe Donald Trumpin.
Harrojeni politikën dhe ndarjen tradicionale mes të majtës dhe të djathtës. Lëreni inteligjencën artificiale të zhvillohet pa kufizime, shkurtoni përfitimet për personat me aftësi të kufizuara, rishikoni mekanizmin e mbrojtjes së pensioneve, frenoni rritjen e pagës minimale, hiqni dorë nga objektivat neto zero, rrisni shpenzimet për mbrojtjen dhe sigurinë dhe afrohuni më shumë me Donald Trumpin.
Është e jashtëzakonshme që kjo relike politike vazhdon të ketë hapësirë në jetën publike, e jo më të ftohet në studiot e BBC-së për të shpalosur pikëpamjet e saj. Jashtë flluskës së Westminsterit, Blair konsiderohet gjerësisht si një kriminel lufte. Edhe raporti Chilcot arriti në përfundimin se ai mashtroi publikun për ta çuar Britaninë në luftën katastrofike të Irakut.
Mes katastrofës së Irakut dhe publikimit të raportit Chilcot, Blair kaloi vite si i dërguar i Perëndimit në Lindjen e Mesme. Gjatë asaj periudhe ai forcoi lidhjet me Izraelin, ushtroi presion mbi qeveritë e rajonit për të normalizuar marrëdhëniet me shtetin izraelit dhe kontribuoi në krijimin e kushteve që çuan në zhvillimet e dhunshme të dy viteve e gjysmë të fundit.
Një vit pasi u kritikua ashpër nga raporti Chilcot, ai themeloi Institutin Tony Blair për Ndryshim Global, i cili më vonë siguroi financime prej rreth 250 milionë paundësh nga Larry Ellison i Oracle dhe donatorë të tjerë.
Siç deklaroi vetë në intervistën me Robinson, kjo organizatë gjysmë-shtetërore punëson tashmë rreth 1.000 persona në afro 40 vende të botës. Ajo promovon skepticizëm ndaj politikave klimatike dhe shet teknologji të inteligjencës artificiale dhe menaxhimit të të dhënave për disa nga regjimet më autoritare në botë, nga Arabia Saudite deri në Ruandë, në emër të disa prej njerëzve më të pasur në planet.
Vetë Blair e justifikon këtë qasje me argumentin se: "Nëse nuk punojmë me asnjë vend ku ka probleme me të drejtat e njeriut, lista e vendeve me të cilat mund të bashkëpunojmë do të jetë shumë e shkurtër."
Mik i ngushtë i Jared Kushner, Blair përmendet nga Financial Times si një nga arkitektët e planeve të pasluftës për krijimin e një "Riviere Trump" në Rripin e Gazës, përfshirë edhe një "zonë prodhimi Elon Musk". Sipas raportimeve, projekti parashikonte pagesa për palestinezët që të largoheshin përgjithmonë nga Gaza.
Ky centrizëm kolonialist dhe i përqendruar te biznesi nuk ndryshon shumë, në thelb, nga populizmi i djathtë që Blair pretendon se po sfidon. Nuk është rastësi që ai deklaroi se nuk i intereson veçanërisht se cila parti është në pushtet, për sa kohë që zbaton objektivat e tij.
Andy Burnham dhe figura të tjera e kanë cilësuar ndërhyrjen e fundit të Blair-it si të shkëputur nga realiteti dhe pa ndikim. Në pamje të parë, figura e tij duket si një fantazmë e ardhur nga një epokë tjetër.
Megjithatë, ndikimi i tij mbetet tronditës. Keir Starmer është konsultuar shpesh me Blair-in si një këshilltar jozyrtar dhe shumë nga politikat që ai promovon vazhdojnë të dominojnë debatin politik britanik. Pas retorikës, pothuajse të gjitha partitë kryesore mbështesin një model të ngjashëm ekonomik të orientuar drejt rritjes, me reduktim të shtetit social dhe me politika të afërta me SHBA-në dhe Izraelin.
Edhe obsesioni i Blair-it me sigurinë dhe riarmatimin reflektohet te shumica e kandidatëve për drejtimin e Labour-it, ndërsa pak prej tyre tregojnë gatishmëri për t’u përballur me Donald Trumpin apo Benjamin Netanyahun.
Tony Blair e futi Britaninë në një luftë katastrofike, pasojat e së cilës vazhdojnë të ndihen edhe sot. Ai e transformoi Partinë Laburiste në një mbështetëse të globalizimit të tregut të lirë dhe ndërhyrjeve ushtarake.
Nëse britanikët duan të çlirohen nga fantazma e Tony Blair-it, duhet të shkëputen qartë nga botëkuptimi që ai vazhdon të përfaqësojë. /Përshtatur nga "Counterfire"
Midis fatkeqësive që i ka sjellë botës, si lufta e lrakut, Shqiptarëve u bëri një të mirë, përkrahu luftën e Kosovës.
Edhe Shqiperia duhet te clirohet nga kjo fantazme! Po na rremben parate me makinacione te ndryshme.