
Presidenti rus Vladimir Putin ka firmosur një dekret që ndalon eksportin e arit të rafinuar në formë shufrash me peshë mbi 100 gramë, duke filluar nga 1 maji 2026. Lajmi është raportuar nga agjencia shtetërore TASS, e cila i referohet një dokumenti të publikuar në faqen zyrtare të informacionit ligjor të Rusisë.
Sipas dekretit, ndalimi zbatohet për individë, persona juridikë dhe sipërmarrës individualë, duke kufizuar nxjerrjen jashtë vendit të këtij lloji ari.
“Që nga 1 maji 2026, vendoset një ndalim për eksportin e arit të rafinuar në shufra mbi 100 gramë", thuhet në dekretin e publikuar nga autoritetet ruse.
Megjithatë, dokumenti parashikon disa përjashtime. Eksporti i shufrave të arit do të lejohet përmes pikave të kontrollit kufitar ajror në aeroporte të caktuara ndërkombëtare, por vetëm në rastet kur është siguruar një leje përkatëse.
Autoritetet ruse nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi arsyet e këtij vendimi apo ndikimin e pritshëm në tregjet ndërkombëtare të arit.
Lini një Përgjigje