Zhvillime të reja kanë ndodhur në Beograd për projektin e dhëndrit të Trump, Jaerd Kushner.
Sipas njoftimit të prokurorisë, krahas Ministrit të Kulturës Nikolla Sellakovic, të akuzuar janë gjithashtu sekretarja e Ministrisë së Kulturës, Slavica Jelaca, drejtori në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, Goran Vasiç, si dhe drejtori në detyrë i Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës të Qytetit të Beogradit, Aleksandar Ivanoviç.
Aktakuza lidhet me parregullsi dhe shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të pasurisë kulturore për ndërtesat e “Shtabit të Përgjithshëm”.
Të dyshuarit akuzohen për kryerjen e dy veprave penale: shpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 359, paragrafi 1, dhe falsifikim të një dokumenti zyrtar sipas nenit 357, paragrafi 2, në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, njoftoi Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar.
Ministri i Kulturës, Nikola Selakoviç, u mor në pyetje më 4 dhjetor në Prokurorinë për Krimin e Organizuar si i dyshuar në çështjen “Shtabi i Përgjithshëm”.
Në vendin ku ndodhet kompleksi i Shtabit të Përgjithshëm, i shkatërruar gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, është planifikuar ndërtimi i një kompleksi luksoz nga kompania investuese “Affinity Partners” e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi në 11 dhjetor se, në rast se do të ngrihen aktakuza për çështjen e Shtabit të Përgjithshëm, ai do t’i falë të gjithë ata që “gjoja kanë marrë pjesë në keqpërdorime”.
Më 7 Nëntor, në Parlamentin e Serbisë u miratua një ligj i posaçëm me të cilin i hiqej statusi i pasurisë kulturore Shtabit të Përgjithshëm, çka i hap rrugë ndërtimit të kompleksit luksoz të dhënrit të Donald Trump.
Miratimi i ligjit të posaçëm që përshpejton projektin e Kushner-it vjen në një kohë kur qeveria e Aleksandar Vuçiç po përpiqet të forcojë marrëdhëniet me administratën e Donald Trump, pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës NIS, për shkak të pjesës së shumicës në pronësi të Gazprom dhe Gazprom Neft të Rusisë.
Sanksionet hynë në fuqi muajin e kaluar, duke ndërprerë furnizimin me naftë bruto për rafineritë e NIS, të cilat parashikohet të mbeten pa rezerva deri në fund të këtij muaji.
Ndërkohë, pas një viti protestash, qeveria në Beograd ka kërcënuar të mbyllë pjesën më të madhe të mediave të mbetura të pavarura në vend. Ministri i informimit, Boris Bratina, kërcënoi kanalin privat N1, rrjetin televiziv Nova dhe Radio Free Europe, median pro-demokracisë në pronësi të shtetit amerikan, të cilën administrata Trump po përpiqet ta mbyllë.
Bratina deklaroi se këto media “nuk duhet të ekzistojnë në transmetim në territorin e shtetit”, duke marrë një reagim të ashpër nga Komisioni Europian. Një zëdhënës i Komisionit i tha N1 se mediat e pavarura janë “një shtyllë kyçe e demokracisë europiane”.
Lini një Përgjigje