TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Dhjetor 2025, 12:32

Nga rivendosja e raporteve SHBA-Kinë tek përfundimi i Luftës së Irakut, ngjarjet kryesore të datës 15 dhjetor

Shkruar nga Pamfleti

Nga rivendosja e raporteve SHBA-Kinë tek përfundimi i Luftës

 15 Dhjetor 2011 - SHBA shpall fundin e Luftës së Irakut

Përmes një ceremonie të mbajtur në Bagdad, zyrtarët e lartë amerikanë njoftojnë fundin e pushtimit të tyre nisur në mars 2003. Tërheqja e trupave amerikane kishte qenë një përparësi e presidentit të kohës Barak Obama.

Megjithatë kur ai do të largohej nga detyra, Shtetet e Bashkuara do të kryenin përsëri operacione ushtarake në Irak. Pesë ditë pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, presidenti Xhorxh W.Bush shpalli nisjen e “Luftës kundër Terrorizmit”, një term gjithëpërfshirës për një seri sulmesh ushtarake parandaluese që synonin të zvogëlonin kërcënimin që sillte terrorizmi për Amerikën.

Sulmi i parë i tillë ishte pushtimi i Afganistanit në tetor 2001, një luftë që vazhdoi për dy dekada. Gjatë gjithë vitit 2002, administrata Bush pretendoi se presidenti irakian Sadam Husein ishte aleat me terroristët dhe po zhvillonte “armë të shkatërrimit në masë”.

Në fakt, sipas të gjitha të dhënave, Husein ishte përgjegjës për shumë mizori, por kishte pak prova se ai po zhvillonte armë bërthamore ose kimike. Prapa dyerve të mbyllura, zyrtarët e inteligjencës paralajmëruan se lufta e ardhshme bazohej në hamendje.

Dhe në fakt një hetim britanik zbuloi më vonë se teza e armëve kimike irakiane, ishte frymëzuar nga filmi aksion “The Rock” i regjisorit Majkëll Bei. Gjithsesi, qeveritë e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe ishin të vendosura në pohimet e tyre publike, se Husein përbënte një kërcënim për atdheun e tyre, dhe filluan pushtimin.

Në fillim, pushtimi ishte një sukses i menjëhershëm, për sa kohë që koalicioni kishte rrëzuar qeverinë e Huseinit dhe kishte pushtuar pjesën më të madhe të Irakut deri në mesin e prillit. Por ajo që pasoi ishin 8 vjet kryengritjeje dhe dhunë sektare.

Pritshmëritë e amerikanëve se irakianët do t’i “përshëndesnin ata si çlirimtarë” dhe do të formonin shpejt një demokraci të qëndrueshme dhe pluraliste, rezultuan jashtëzakonisht jo realiste. Ndonëse koalicioni vendosi në krye të vendit një qeveri të re, e cila mori detyrën në vitin 2006, ajo nuk arriti të qetësonte situatën.

Sulmet guerile, shpërthimet vetëvrasëse dhe pajisjet shpërthyese të improvizuara vazhduan të merrnin jetën e ushtarëve dhe civilëve, dhe milicitë në të dyja anët e ndarjes sunite-shiite kryen spastrime etnike. Publiku amerikan mbeti skeptik ndaj luftës dhe shumë prej tyre u tmerruan nga raportet për abuzimet e ushtrisë dhe CIA-s, ku me emblematike ishin ato në burgun Abu Ghraib dhe në vitin 2007

Edhe sipas vlerësimeve më të ulëta, Lufta e Irakut shkaktoi vdekjen e mbi 100.000 njerëzve. Vlerësime të tjera sugjerojnë se numri është disa herë më i madh, me mbi 205.000 të vdekur vetëm në radhët e civilëve. Pak më vonë, shumë nga milicitë e formuara gjatë Luftës së Irakut u bashkuan ose u bënë partnerë me grupe ekstremiste në Sirinë fqinje, e cila vetë përjetoi një luftë civile të përgjakshme.

Duke nisur nga viti 2014, Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, përthithi shumë nga këto grupe dhe kontrollonte pjesën më të madhe të Sirisë dhe Irakut. Rritja tronditëse e ISIS-it, e shtyu Obamën të niste veprime të reja ushtarake në rajon, duke filluar nga qershori i vitit 2014.

Megjithëse ISIS tani është dëbuar nga Iraku dhe duket se është zvogëluar shumë, një numër i vogël trupash amerikane janë ende të stacionuara në Irak.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

15 Dhjetor 1914 - Ushtria serbe rimerr Beogradin pas një beteje të ashpër me ushtrinë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore.

15 Dhjetor 1917 - Rusia dhe Fuqitë Qendrore, Gjermania dhe Austro-Hungaria, nënshkruajnë një marrëveshje për armëpushim midis tyre.

15 Dhjetor 1933 - Në SHBA, shfuqizohet Amendamenti i Tetëmbëdhjetë që ndalonte shitjen, prodhimin dhe transportimin e pijeve alkoolike.

15 Dhjetor 1945 - Gjenerali amerikan, Dagllas Mekartur, urdhëron që Shinto të mos jetë më feja shtetërore e Japonisë.

15 Dhjetor 1960 – Në SHBA policia arreston Riçard Pavlik, i akuzuar për planifikimin e vrasjes së presidentin të porsazgjedhur, Xhon F.Kenedi.

15 Dhjetor 1961 - Dënohet me vdekje arkitekti i Holokaustit nazist, Adolf Ajhman, zyrtari i lartë nazist, që organizoi “zgjidhjen përfundimtare të çështjes hebraike”, pra shfarosjes së popullsisë hebraike të Evropës.

Ajhman u caktua të koordinonte identifikimin, mbledhjen dhe transportimin e miliona hebrenjve nga Evropa e pushtuar në kampet naziste të vdekjes, ku ata u mbytën në dhomat me gaz ose u detyruan të punonin deri në vdekje.

Në fund të luftës, ai u kap nga forcat amerikane, por arriti të arratisej nga një burg në vitin 1946, pak para se të përballej me Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Nuremberg. Jetoi për disa kohë me një identitet të rremë mes Evropës dhe Lindjes së Mesme, ndërsa në vitin 1950 shkoi në Argjentinë, një strehë e sigurt për shumë kriminelë nazistë të luftës.

Agjentët e shërbimit sekret izraelit, Mossad, e rrëmbyen më 11 maj 1960 pak metra larg shtëpisë së ti dhe e çuan në Tel Aviv, ku u gjykua për krime lufte. Ajhman u dënua me varje në litar më 31 maj 1962 në afërsi të Tel Avivit. Trupi i tij u dogj, dhe hiri u hodh në det.

15 Dhjetor 1978 - Shtetet e Bashkuara deklarojnë se do ta njohin Kinën komuniste. Presidenti Xhimi Karter u shpreh se nga 1 janari 1979, Shtetet e Bashkuara do të njohin zyrtarisht Republikën Popullore të Kinës, dhe do të shkëpusin marrëdhëniet me Tajvanin.

15 Dhjetor 1999 - Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave të shkaktuara nga shirat e shumtë shkaktojnë vdekjen e 20-25 mijë njerëzve në Venezuelë. Mbi 350.000 të tjerë, kryesisht të varfër, mbetën të pastrehë nga stuhia e tmerrshme./Përgatiti Pamfleti

vendosja e raporteve shba- kinë përfundimi i luftës në irak

Lini një Përgjigje