Në Shtëpinë e Bardhë të Trump-it, edhe zbukurimet janë mesazh politik: Patriotizëm i paketuar si dekor festiv!”
Krishtlindja në Shtëpinë e Bardhë nuk është thjesht një sezon dekorimesh; është një skenë politike me dritat ndezur. Këtë vit, Melania Trump, në një rikthim të papritur në qendër të vëmendjes, prezantoi “Home Is Where The Heart Is” si mesazh festiv dhe patriotik në dekorimet e 2026-ës.
Në pamje të parë, gjithçka duket e pafajshme: pemë, drita, fëmijë që këndojnë. Por në sfond, mesazhi është i qartë, një projektim i fuqishëm i “vlerave amerikane” sipas manualit Trump: traditë, familje, flamuj dhe nderim për ushtarakët. Me një pemë 18 metra të lartë në Blue Room dhe ornamente që nderojnë familjet e të rënëve në shërbim (Gold Star Families), dekori i Melania-s nuk është thjesht estetik, është politikë e zbukuruar.
Për Melanian, “shtëpia” është zemra, por për shumë amerikanë, “shtëpia” është Shtëpia e Bardhë që është sërish në orbitën e familjes Trump. Çdo detaj dekorimi i këtij sezoni duket si një mesazh i koduar, që ngjall ndjenja patriotike dhe romantizon si “të lavdishme” epokën Trump.
Ndërkohë, mediat liberale kujtojnë momentin famëkeq të Melania-s që dikur tha: “Who gives a f*** about Christmas?”, në një regjistrim të rrjedhur nga ish-asistentja e saj. Tani, e njëjta Melania përpiqet të ringjallë një imazh ndryshe: atë të Zonjës së Parë elegante, të heshtur, por me ndikim, që flet me pemë dhe ngjyra, jo me fjalë.
Në këtë skenografi festive, ndriçimi është i ngrohtë, por qëllimi është i ftohtë: rindërtimi i narrativës publike të Trump. Me fjalë të tjera: Krishtlindja si marketing politik./Pamfleti
Lini një Përgjigje