Më shumë se dy vjet pas vrasjes së Mahsa Aminit, mosbindja ndaj ligjit që imponon mbulimin e grave, mbetet e pandalshme. Regjimi iranian është i detyruar të tolerojë dhe njëkohësisht të intensifikojë represionin politik, duke arrestuar sërish nobelisten Mohamadi. Shifrat e tmerrshme të ekzekutimeve me vdekje, tregojnë brishtësinë e një sistemi të urryer nga 80 pë rqind e popullsisë.
Dimri për Ajatollahët ka filluar. Për herë të parë në gati 5 dekada, gratë iraniane kanë arritur përmes një guximi të pathyeshëm të pohojnë të drejtën e tyre për të mos u detyruar të mbajnë vello, falë revolucionit të tyre “Gruaja, Jeta, Liria”.
Ligji i ri dhe më i rreptë “Hixhabi dhe Dëlirësia”, i miratuar muajin e kaluar nga Udhëheqësi Suprem Ali Khamenei dhe presidenti Pezeshkian, po shpërfillet, jo vetëm në qytetet e mëdha, por edhe në disa periferi. Mosbindja ndaj mbulesës së detyrueshme është bërë aq shumë e përhapur, saqë po e detyron regjimin të lirojë kontrollet e tij shtypëse mbi pajtueshmërinë me kodin e veshjes.
Qëllimi i Ajatollahëve është të zvogëlojnë presionin mbi shoqërinë, veçanërisht mbi gratë, për ta qetësuar disi opinionin publik përballë krizës së rëndë ekonomike që kërcënon ta lërë vendin në errësirë dhe pa ujë, dhe në këtë mënyrë të parandalojnë trazirat e reja në rrugë.
Po shohim një ndryshim kulturor dhe shoqëror, të paktën po aq të vjetër sa Revolucioni Khomeinian. Ky është rezultat i angazhimit të të rinjve dhe grave, nga periferia në qendër, të cilët pa u lodhur janë treguar të bashkuar në një harmoni të paparë.
Kjo është një nga karakteristikat më revolucionare të rebelimit të të rinjve, një lëvizjeje revolucionare spontane, jopartiake, të cilën mund ta përkufizojmë si “globale-lokale”, të ndikuar nga globalizimi i teknologjive moderne të komunikimit.
Në të njëjtën kohë, është një lëvizje në të cilën faktorët e brendshëm luajnë një rol themelor, me thyerjet kronike në shoqërinë civile të shkaktuara së pari nga propaganda e monarkisë shtypëse që mbretëronte në vend dhe më pas nga ajo e regjimit teokratik islamik.
Veçanërisht midis “Gjeneratës Z”, ekziston një vetëdije absolute për të mos u dorëzuar ndaj synimit për të jetuar më në fund në një shoqëri jo të lirë. Kjo është ajo që bashkon tani qendrën dhe periferinë në Iran: uniteti më i madh në luftën për “demokraci”, “sundim të ligjit”, “të drejtave të njeriut dhe pakicave” dhe “lirisë”, të gjitha të përfshira në moton kurdë “Jîn, Jîyan, Azadî” (Gruaja, Jeta, Liria).
Gratë po shfaqin flokët e tyre të lëshuara ose të kapur bisht kali, të lidhur topuz ose të stiluar, jo vetëm në rrugë, pazare, kafene dhe kampuse universitare, por edhe në koncerte që mbahen në cepat e rrugëve apo në sheshe të vogla.
Edhe në maratonën historike në ishullin Kish në Gjirin Persik, gratë vrapojnë pa perçe, duke sfiduar arrestimet dhe torturat. Revolucioni në Iran është në zhvillim e sipër dhe jo i shuar si dikur. Heqja e hixhabit është vërtetë një arritje kulturore, por edhe një simbol proteste kundër tiranisë, i krahasueshëm me Murin e Berlinit.
Gratë janë të bindura se “nëse anulohen këto ligje, do të shembet i gjithë sistemi i Republikës Islamike”. Kjo është thirrja e tyre për liri, drejtuar gjithë botës. Dhe jemi vetëm në fazën e parë të revolucionit “Gruaja, Jeta, Liria”, i cili filloi me vrasjen barbare të Mahsa Amini dhe përfundoi me këtë sukses të parë me gratë që zbuluan kokat e tyre.
Por mos gaboni: pavarësisht shenjave të lehtësimit të kufizimeve mbi kontrollin e hixhabit në disa qytete iraniane, pas “Luftës 12-ditore” kundër Izraelit, ndërsa liroi disi kontrollet mbi mbulimin, regjimi zgjeroi në të njëjtën kohën represionin e tij politik me egërsi ekstreme, duke e intensifikuar atë në një nivel që aktivistët, madje edhe disa ish-zyrtarë iranianë, e kanë përshkruar si të pashembullt.
Të premten e 12 dhjetorit, në Mashhad, gjatë përkujtimit të vdekjes së avokatit Kosrou Alikordi, të vrarë nga Garda Revolucionare, forcat e sigurisë arrestuan sërish fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Narges Muhamadi, së bashku me Ali Adinehzadeh, babanë e një protestuesi të vrarë, dhe Sepideh Gholian, Alieh Motalebzadeh, Pouran Nazemi dhe Hasti Amiri.
Ja pra se si Republika Islamike u përgjigjet protestave paqësore: me shtypje. Babai i aktivistit të ri Abolfazl Adinezadeh, të vrarë nga Garda Revolucionare, po mbante arkivolin e avokatit Alikordi, i cili kishte mbrojtur djalin e tij të vrarë, dhe u arrestua në atë kohë për shkak të pjesëmarrjes në ceremoninë funerale bashkë me fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Mohamadi.
Në fillim, ata i vranë djalin për shkak se protestoi kundër vrasjes së Mahsa Jina Amini nga policia e moralit sepse ajo nuk e mbante siç duhet hixhabin, dhe më pas eleminuan edhe avokatin e tij. Dhe tani babai i pikëlluar u arrestua për pjesëmarrje në funeralin në kujtim të të vrarëve: njëri mbështetës i lëvizjes “Gratë, Jeta, Liria” dhe tjetri avokati i tij.
Forcat e sigurisë të armatosura rëndë, e ndërprenë shërbimin mortor me armët e nxjerra nga brezi për të frikësuar të pranishmit, të cilët u rrahën me shkopinj gome dhe më pas u arrestuan. Fondacioni Narges Mohammadi po bën thirrje për lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë të ndaluarve.
Protestat kanë rinisur edhe në Sistan dhe Baluçistan, ku Goli Kukan, një grua 25-vjeçare baluçe, i mbijetoi dhunës në familje dhe është planifikuar që të ekzekutohet me varje në litar. Ashtu si shumica e qytetarëve baluçe që jetojnë në rajonin juglindor të Iranit, ajo është pa dokumente sepse anëtarëve të pakicës baluçe u mohohet identiteti i tyre, ndaj nuk kanë certifikata identiteti.
Ata nuk janë të regjistruar në lindje, dhe për këtë arsye janë të privuar nga një sërë shërbimesh themelore si arsimi dhe lëvizshmëria sociale. Midis viteve 2010- 2024, të paktën 241 gra janë ekzekutuar me vdekje në Iran.
Por xhelati nuk pushon kurrë dhe deri më sot, që nga 1 janari i këtij viti janë kryer të paktën 1.900 varje, përfshirë 56 gra: një rekord që nga viti 1988, fundi i luftës Iran-Irak, kur mbi 10.000 njerëz u varën, që të gjithë të burgosur politikë.
Ritmi i varjeve është i shpejtë, gati 6 në ditë. Varjet në sheshe publike janë rikthyer, siç ndodhi në vitet 1980. Të gjitha kryhen në agim, nën britmën “Allahu Ekber”, në kohën e namazit të parë të mëngjesit, kur xhelati ia lidh sytë të burgosurit që ngjitet në trekëmbësh me duart e lidhura pas shpine.
Ai vendos litarin rreth qafës së viktimës, e shtrëngon fort dhe e puth para se boshllëku të hapet nën këmbët e të dënuarit, duke e lënë të varur derisa t’i thyhet qafa. Ato pak sekonda në të cilat ai endet në boshllëk, duke u përpjekur më kot të lirojë duart dhe të lirojë litarin, i duken si një përjetësi.
Në burgjet iraniane, Garda Revolucionare organizon “ceremoni të vërteta varjeje”. Ato synojnë t'i tregojnë publikut fundin e tmerrshëm që u rezervohet atyre që kryejnë krime dhe atyre që kundërshtojnë regjimin islamik.
Shumica e të burgosurve në Iran, janë të burgosur politikë dhe përfaqësojnë komunitetet e shumta etnike dhe fetare të vendit. Qindra të mitur, disa vetëm 12 vjeç, mbahen në qendra paraburgimi të shpërndara në të gjitha provincat.
Ata i nënshtrohen shpesh rrahjeve me kamzhik, goditjeve elektrike dhe dhunës seksuale, për t’i terrorizuar dhe për t’i detyruar familjet e tyre të mos marrin pjesë në demonstrata. Kjo është ajo që shkruhet në raportet shumë të detajuara dhe të dokumentuara të organizatave të ndryshme humanitare, të tilla si Hengaw dhe Amnesty.
Një fazë tjetër e tmerrshme e represionit, është marrja në pyetje për të nxjerrë rrëfime për krime të pakryera kurrë, apo për t’u penduar për veprime të dyshuara që pretendohet se e kanë rrezikuar Republikën Islamike. Në nëntor të këtij viti, të paktën 260 të burgosur u varën në burgjet e Republikës Islamike, gati 9 në ditë, përfshirë anëtarë të komuniteteve Lor, Kurde, Turke, Arabe, Gilak, Baluchi, Tat, Turkmene, Afgane dhe Baha’i.
Prandaj, po shohim një përshkallëzim të shtypjes. Arrestimet dhe zhdukjet janë gjithashtu të përhapura, duke shenjestruar veçanërisht gazetarët, studentët, artistët, avokatët, intelektualët dhe aktivistët e shoqërisë civile.
Disa ditë më parë, aktori Ali Shadman u arrestua së bashku me njëzet persona të tjerë gjatë festës së ditëlindjes së tij. Të gjithë akuzohen për fyerje të etikës publike, ndihmë dhe inkurajim të prostitucionit, konsum dhe posedim pijesh alkoolike.
Qëllimi i regjimit në këtë rreth vicioz shtypjeje, është të “krijojë një klimë terrori” për të parandaluar që popullsia të dalë sërish në rrugë. Pas Luftës 12-ditore me Izraelin, Republika Islamike po përjeton një nga periudhat më kritike që nga revolucioni i Khomeinit i vitit 1979.
Rrjeti i grupeve terroriste të mbështetura nga regjimi iranian në rajon, nga Gaza në Liban dhe Irak, është dobësuar shumë. Njëkohësisht, rënia e vlerës së monedhës kombëtare, rialit, inflacioni i lartë dhe mungesa e energjisë dhe ujit, i kanë përkeqësuar kushtet tashmë të vështira ekonomike të vendit.
Për këtë arsye, presidenti Masud Pezeshkian u detyrua të pezullojë zbatimin e ligjit të miratuar më parë “Hixhabi dhe Dëlirësia” për të “menaxhuar pakënaqësinë e shumë-përhapur”. Kjo është një kontradiktë e qëllimshme; një lloj valvule sigurie sociale.
Federata Iraniane e Atletikës u përpoq të ndalonte “Maratonën e Kishit”, sepse gratë refuzuan të mbanin hixhabin, por pa sukses. Pesë mijë vrapues në ishullin e Kishit refuzuan mbulesën e detyrueshme.
Gratë paralajmëruan median perëndimore: “Kjo nuk është një reformë, por një revolucion. Khamenei sapo ka urdhëruar një goditje më të ashpër, por gratë do të vazhdojnë të rezistojnë. Regjimi ka marrë fund”.
Ndërkohë, dekada korrupsioni, shpërdorimi i burimeve financiare për të ushqyer organizatat terroriste si Hezbollahu, Hamasi dhe Xhihadi Islamik (degët e Republikës Islamike në Lindjen e Mesme) dhe zhvillimi i një programi bërthamor ushtarak për dominimin e botës (sipas doktrinës shiite dhe Khomeini), e kanë shkatërruar ekonominë e vendit, duke shkaktuar një krizë energjie dhe uji që e ka lënë Iranin në errësirë dhe etje.
Tani Republika Islamike i ngjan gjithnjë e më shumë një shteti të dështuar; e përçarë nga brenda, e kritikuar dhe e kundërshtuar nga fraksionet e brendshme të Pasdaranëve dhe Ajatollahëve të angazhuar në një luftë të ashpër për pushtet.
Por iranianët nuk po heshtin. Një institut kërkimor i pavarur me seli në Holandë ka zbuluar se mbi 80 për qind e popullsisë dëshiron fundin e Republikës Islamike. Në Dimrin e Ajatollahëve, tani pyetja qendrore është nëse regjimi teokratik që ka sunduar Iranin që nga viti 1979 do të qëndrojë, do të transformohet apo do të shpërbëhet, dhe çfarë lloj rendi politik mund të dalë pas tij./Përshati Pamfleti nga“Huffington Post”
Lini një Përgjigje