I dërguari i ri special i Teheranit për Kinën është një figurë shumë e fuqishme. Ai pritet të përpiqet ta vendosë Xi Jinpingun përballë Donald Trumpit. Në lojë janë nafta dhe armët...
Sapo Presidenti amerikan Donald Trump u largua javën e kaluar nga Pekini, Irani nisi përpjekjet për të afruar Kinën. Dy ditë pas takimit të presidentit amerikan me presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Komuniste kineze, Xi Jinping, Teherani njoftoi se kryetari me ndikim i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, ishte emëruar i dërguar special i Republikës Islamike për Kinën. Pas kësaj, mediat shtetërore iraniane publikuan një sërë raportesh që theksonin rëndësinë e këtij emërimi.
Media online “Nour News”, e afërt me Këshillin Suprem të Sigurisë Kombëtare, e cilësoi këtë si një “sinjal strategjik se Irani po i ngre marrëdhëniet me Kinën nga një partneritet thjesht ekonomik në nivelin e një aleance gjeopolitike shumëplanëshe dhe të nivelit të lartë”. Sipas saj, ky emërim është pjesë e një “zhvendosjeje drejt një politike të jashtme të orientuar nga Azia”, e ndikuar nga ndryshimet globale të fuqisë, mosbesimi ndaj Perëndimit dhe dëshira iraniane “për partneritete ekonomike dhe politike më të qëndrueshme”.
Bie në sy fakti që ngritja e njëanshme e marrëdhënieve nuk u shpall gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Abbas Araghchi në Pekin dy javë më parë. Duket se Teherani deshi të priste fillimisht rezultatin e takimit mes Xi Jinpingut dhe Trumpit. Gjithashtu, duket se Ministria e Jashtme nuk është institucioni kryesor në këtë çështje. Edhe negociatat e fundit me Shtetet e Bashkuara nuk i kishte zhvilluar Araghchi, por po ashtu Ghalibaf.
Kina dhe Irani, marrëveshje që nga 2021
Për kryetarin e Parlamentit, posti i ri përbën një forcim të mëtejshëm të pushtetit të tij. Ndikimi i Ghalibafit buron nga fakti se, si ish-komandant i forcave ajrore dhe ish-kryebashkiak i Teheranit, ai ka lidhje të forta si me Gardën Revolucionare, ashtu edhe me aparatin politik. Në aspektin institucional, ai ushtron ndikim përmes Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare, ku bën pjesë si kryetar i Parlamentit.
Kjo nuk është përpjekja e parë për të thelluar marrëdhëniet me Kinën. Në vitin 2021, Teherani dhe Pekini nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi 25-vjeçare. Në atë kohë kishte pritshmëri që Kina të investonte deri në 400 miliardë dollarë në infrastrukturën energjetike dhe të transportit të Iranit, por këto pritshmëri nuk janë realizuar as përafërsisht. Analistët në Teheran prej kohësh kritikojnë aparatin shtetëror iranian se ka dështuar të shfrytëzojë potencialin e marrëdhënieve me Kinën. Linja e ashpër politike në Iran akuzon vazhdimisht të ashtuquajturit reformatorë se janë orientuar tepër drejt Perëndimit.
Nënshkrimi i marrëveshjes 25-vjeçare pesë vite më parë kishte shkaktuar rezistencë në një pjesë të elitës politike iraniane, për shkak të frikës se Irani mund të bëhej tepër i varur nga Kina. Ndërkohë, ekonomia iraniane është dobësuar aq shumë, saqë këto debate nuk konsiderohen më luks. Kina blen rreth 90 për qind të eksporteve iraniane të naftës, të cilat përbëjnë një pjesë të rëndësishme të të ardhurave shtetërore. Për faktin që pranon të përballet me sanksionet amerikane ndaj kompanive kineze, Pekini kërkon ulje të konsiderueshme çmimesh. Pagesat bëhen kryesisht në formën e mallrave, si makineri dhe produkte industriale kineze, të cilat Irani nuk mund t’i sigurojë lehtësisht diku tjetër për shkak të sanksioneve.
Irani kërkon të blejë armë kineze
Afrimi i shpallur i Teheranit me Lindjen duket se është edhe një përpjekje për të dalë nga kjo varësi e njëanshme dhe për t’i vendosur marrëdhëniet mbi një bazë më të gjerë. Lufta 12-ditore e qershorit të kaluar dhe konflikti amerikano-izraelit me Iranin këtë vit kanë vënë seriozisht në pikëpyetje strategjinë iraniane të parandalimit ushtarak. Në këtë sfond, Teherani po shton përpjekjet për të thelluar bashkëpunimin ushtarak me Kinën dhe Rusinë.
Kjo duket se ka dhënë rezultat tashmë gjatë konfliktit të fundit. Sipas raportimeve, Moska i ka transmetuar Iranit të dhëna për objektivat amerikane, ndërsa Pekini i ka shitur Iranit një satelit. Agjencia iraniane “Fars” publikoi së fundmi një listë dëshirash për një marrëveshje ushtarake pas luftës, ku përfshihen sisteme kineze të mbrojtjes ajrore dhe dronë luftarakë. Në të kaluarën, Pekini dyshohet se i ka furnizuar Iranit edhe lëndë djegëse për raketa. Pas takimit me Xi Jinpingun, Trump deklaroi se lideri kinez i kishte premtuar se Kina nuk do t’i furnizonte Iranit armë. Në Pekin, si zakonisht, nuk pati koment. Përveç SHBA-së, Kina duket se po mban parasysh edhe marrëdhëniet e saj me shtetet e Gjirit Persik.
Nga raportimet iraniane kuptohet se para takimit mes Xi Jinpingut dhe Trumpit kishte shqetësime në Teheran se Pekini mund ta përdorte politikën ndaj Iranit si kartë negociuese, për shembull duke i premtuar Uashingtonit se do ta detyronte Iranin të hapte Ngushticën e Hormuzit për trafikun detar. Teherani duket se u përpoq ta parandalonte këtë, duke lejuar kalimin e cisternave kineze të naftës përmes ngushticës pak para mbërritjes së Trumpit në Pekin.
Këtë javë pati shenja të tjera se Teherani po favorizon anijet kineze. Dy supertankerë me naftë irakiane u lejuan të kalonin. Nga ana tjetër, Pekini duket se po i përgjigjet kësaj duke i mundësuar Iranit përdorim më të madh të portit pakistanez të Gwadarit. Për shkak të bllokadës detare amerikane, ky port është bërë një rrugë alternative e rëndësishme tregtare për Iranin.
Roli i dyfishtë i Ghalibafit, si kryenegociator në bisedimet me Uashingtonin dhe si i dërguar special për Kinën, mund të interpretohet si përpjekje për të luajtur deri diku dy fuqitë kundër njëra-tjetrës. Nëse arrihet një marrëveshje me SHBA-në që do të sillte lehtësim të pjesshëm të sanksioneve amerikane, varësia e Teheranit nga Kina mund të zvogëlohej. Për momentin, megjithatë, nuk ka shenja se kjo do të ndodhë shpejt. /Përshtatur nga FAZ/
D.m.th. me Amerike, me Rusi, me Iran po i lepijne bythen Kines, apo po bejne allishverishe ne kurriz te popujve per t'i rrjepur me barbarisht me naften e gazin, ose investime me triliona qe te krijojne rrjete te reja te karbureve.