Pas viteve të dominimit të bandave kriminale në burgjet venezueliane, qeveria e Nicolás Maduro ndërmori një ofensivë ushtarake për rimarrjen e kontrollit. Megjithatë, organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se dhuna nuk është zhdukur, por ka marrë një formë tjetër: izolim, keqtrajtim dhe vdekje të heshtura nën kujdestarinë e shtetit...
Të jesh i burgosur në Venezuelë konsiderohet sot një nga format më të rënda të margjinalizimit social. Qoftë i burgosur ordiner apo i burgosur politik, një person i privuar nga liria përballet me kushte që organizatat vendase dhe ndërkombëtare i përshkruajnë si çnjerëzore. Në shumë raste, të burgosurit mbeten pa mbrojtje ligjore, pa akses në trajtim mjekësor dhe pa garanci minimale për sigurinë personale.
Sipas një analize të publikuar nga gazeta spanjolle El País, sistemi penitenciar venezuelian ka kaluar gjatë dy dekadave të fundit nga kontrolli i mafieve kriminale në një model administrimi të militarizuar, ku shtohen denoncimet për dhunë shtetërore, izolim dhe degradim të kushteve të jetesës në burgje.
Në burgjet dhe qendrat e paraburgimit raportohen vazhdimisht ushqim i prishur, mbipopullim ekstrem, kontrolle të dhunshme, kufizime arbitrare të vizitave familjare dhe mungesë e theksuar higjiene. Revoltat vazhdojnë të shpërthejnë periodikisht, sidomos kur tensionet mes të burgosurve dhe autoriteteve arrijnë kulmin. Vetëm gjatë fundjavës së kaluar pati një revoltë në burgun e Barinasit, ndërsa në muajin prill një tjetër shpërtheu në kompleksin e Yares, duke lënë disa të vrarë dhe të plagosur.
Kur viktimat janë të burgosur politikë, rastet zakonisht marrin vëmendje publike dhe nxisin reagime politike. Por për të burgosurit e zakonshëm situata është ndryshe. Shumica e vdekjeve kalojnë pa jehonë publike dhe raportohen vetëm nga familjarët ose organizatat e të drejtave të njeriut. Sipas Observatorit Venezuelian të Burgjeve (OVP), vetëm gjatë muajve prill dhe maj 2025 humbën jetën 16 persona në burgje. Në vitin 2024 u regjistruan 149 vdekje nën kujdestarinë shtetërore, ndërsa që prej vitit 2017 numri total i viktimave në institucionet penitenciare ka arritur në 560.
Fundi i “pranëve” dhe ofensiva ushtarake
Për shumë vite, burgjet venezueliane kontrolloheshin nga të ashtuquajturit “pran”, një term i përdorur për liderët kriminalë që ushtronin pushtet absolut mbi jetën e të burgosurve. Këta persona menaxhonin trafikun e armëve, zhvatjet, rrëmbimet dhe aktivitetet kriminale që shtriheshin edhe jashtë mureve të burgjeve.
Figura e “pranit” nisi të zhdukej pas vitit 2023, kur presidenti Nicolás Maduro urdhëroi zbatimin e planit “Gran Cacique Guaicaipuro”. Operacioni përfshiu mbi 11 mijë efektivë ushtarakë dhe policorë, të cilët morën kontrollin me forcë të disa prej burgjeve më të mëdha të vendit: Tocorón, Tocuyito, Yare I, II dhe III, La Pica, El Rodeo, Uribana dhe Puente Ayala.
Tocorón konsiderohej simboli i degradimit të sistemit penitenciar. Brenda tij funksiononin restorante, diskoteka, laguna artificiale dhe madje edhe një mini-zoo. Burgu ishte baza kryesore e organizatës kriminale “Tren de Aragua”, e cila më vonë u shtri në disa vende të Amerikës Latine. Autoritetet sekuestruan gjatë operacioneve qindra armë lufte, dronë, drogë dhe madje një qendër telefonike të përdorur për organizimin e zhvatjeve dhe rrëmbimeve.

Shumë prej liderëve kriminalë arritën të arratiseshin përpara hyrjes së forcave shtetërore, ndërsa pjesë të rrjeteve kriminale u zhvendosën drejt vendeve të tjera të rajonit. Analistët e lidhin forcimin e këtyre strukturave kriminale me periudhën kur Ministria e Brendshme drejtohej nga Tareck El Aissami, ish-zyrtar i lartë chavist që sot ndodhet në burg për korrupsion në kompaninë shtetërore të naftës PDVSA.
Rënia e kriminalitetit dhe lindja e problemeve të reja
Sipas të dhënave zyrtare të cituara nga El País, tolerimi i aktiviteteve kriminale brenda burgjeve ndikoi drejtpërdrejt në shpërthimin e kriminalitetit në Venezuelë gjatë viteve 2000–2010. Numri i rrëmbimeve u rrit me 900%, ndërsa shkalla e vrasjeve u katërfishua, nga rreth 5 mijë vrasje në vitin 2000 në 25 mijë në vitin 2012.
Më vonë, kombinimi i krizës ekonomike, emigracionit masiv dhe politikës së ashpër të sigurisë së qeverisë Maduro çoi në një rënie të ndjeshme të kriminalitetit. Autoritetet argumentojnë se rikthimi i kontrollit shtetëror në burgje kontribuoi në uljen e dhunës në vend dhe në reduktimin e revoltave të përgjakshme që dikur ishin të zakonshme.
Megjithatë, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se kontrolli ushtarak nuk solli humanizimin e sistemit penitenciar. Sipas denoncimeve, të burgosurit tani jetojnë nën një disiplinë të rreptë ushtarake, veshin uniforma, konsumojnë racione minimale ushqimore dhe zgjojnë çdo mëngjes me marshime ushtarake dhe slogane politike në mbështetje të Hugo Chávez. Në disa burgje, të burgosurit politikë dhe ata ordinerë mbahen në të njëjtat ambiente.
Në të njëjtën kohë janë shtuar raportimet për rrahje, tortura me goditje elektrike, përdorim armësh zjarri kundër të burgosurve dhe mungesë totale trajtimi mjekësor. Disa të burgosur kanë vdekur nga kequshqyerja, tuberkulozi, infeksionet apo diarretë e patrajtuara. Familjarët raportojnë gjithashtu se ushqimet dhe sendet personale që sjellin për të afërmit shpesh konfiskohen në mënyrë arbitrare.
Kushtet konsiderohen edhe më të rënda në burgjet e sigurisë së lartë si Fuerte Guaicaipuro, Zona 7 apo El Rodeo II, të administruara nga Drejtoria e Kundërzbulimit Ushtarak (DGCIM).

Kritika ndaj shtetit
Humberto Prado, drejtor i Observatorit Venezuelian të Burgjeve, deklaron se qeveria kishte një mundësi historike për reformimin e sistemit penitenciar kur krijoi Ministrinë e Çështjeve Penitenciare në vitin 2011. Sipas tij, në vend të përmirësimit të kushteve, sistemi u degradua më tej.
“Ministria kishte burime për të garantuar ushqim cilësor, kujdes mjekësor dhe programe rehabilitimi për të burgosurit. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Situata u përkeqësua”, deklaron Prado për El País.
Ai përmend gjithashtu revoltën e fundit në Yare, ku sipas tij pesë të burgosur u vranë dhe mbi 70 të tjerë u plagosën nga të shtënat e forcave të sigurisë, pa asnjë hetim publik apo përgjegjësi institucionale.
Sipas OVP-së, që nga krijimi i Ministrisë së Çështjeve Penitenciare në vitin 2011, rreth 3.500 persona kanë humbur jetën nën kujdestarinë e shtetit në burgjet venezueliane. Edhe organizata Provea, e specializuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, argumenton se problemet strukturore mbeten të pandryshuara: vonesa të gjata gjyqësore, mbipopullim kronik, infrastrukturë e degraduar dhe mungesë higjiene. Koordinatori i organizatës, Óscar Murillo, deklaron se “paqësimi” i burgjeve pas vitit 2023 lidhet më shumë me marrëveshje të heshtura mes qeverisë dhe grupeve kriminale sesa me reforma reale institucionale.
Kriza penitenciare në Venezuelë nuk është fenomen i viteve të fundit. Edhe gjatë dekadave të fundit të sistemit demokratik, burgjet venezueliane përjetuan revolta të mëdha me qindra viktima. Megjithatë, sipas analistëve, asnjë qeveri nuk ndërmori reforma të thella strukturore. Me ardhjen në pushtet të revolucionit bolivarian në vitin 1999, popullsia e burgjeve u dyfishua paralelisht me rritjen e kriminalitetit. Sundimi i “pranëve” zgjati më shumë se dy dekada dhe lejoi krijimin e një arsenali të madh armësh brenda burgjeve.
Sot, megjithëse kriminaliteti në Venezuelë ka rënë në nivelet më të ulëta të katër dekadave të fundit, organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se burgjet vazhdojnë të mbeten vende ku të burgosurit vdesin në heshtje, qoftë nën kontrollin e mafias, qoftë nën kontrollin e shtetit. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje