Ish-kryeministri britanik paralajmëron Partinë Laburiste të mos zhvendoset majtas dhe të mos rikthejë debatin për Brexit-in
Ish-kryeministri britanik dhe ish-lideri i Partisë Laburiste, Sir Tony Blair, akuzoi qeverinë e Keir Starmer se nuk ka një “plan koherent” për Britaninë dhe se po ndjek politika që, sipas tij, pengojnë zhvillimin ekonomik dhe bizneset.
Në një artikull me tone të ashpra kritike ndaj qeverisë laburiste, Blair kundërshtoi disa nga masat kryesore të ekzekutivit, përfshirë ligjet e reja për të drejtat e punëtorëve, eliminimin gradual të industrisë britanike të naftës dhe gazit, si dhe rritjen e pagës minimale mbi normën e inflacionit.
Megjithatë, ai theksoi se debati për ndryshimin e liderit nuk ka rëndësi nëse nuk paraprihet nga një diskutim serioz mbi drejtimin politik të partisë.
“Problemi kryesor i qeverisë nuk është personaliteti i Keir-it dhe as mënyra si komunikohen arritjet. Ndryshimi i liderit nuk ka kuptim pa një debat të vërtetë për politikat”, shkroi Blair.
Komentet e tij vijnë në një moment kur Partia Laburiste përballet me tensione të brendshme dhe spekulime për një garë të mundshme për lidershipin, për shkak të rënies së popullaritetit të Starmer.
Sipas Reuters, Blair argumenton se laburistët nuk duhet të reagojnë ndaj humbjeve elektorale duke u zhvendosur më majtas apo duke tentuar rikthimin në Bashkimin Europian.
“Kur je në opozitë është e lehtë të besosh se humbjet ndaj së djathtës do të thonë se partia duhet të shkojë më majtas. Por kjo bëhet e rrezikshme kur je në qeveri”, theksoi ai.
Blair kritikoi gjithashtu dy nga figurat që përmenden si pasues të mundshëm të Starmer, kryebashkiakun e Manchesterit të Madh, Andy Burnham, dhe ish-ministrin e Shëndetësisë, Wes Streeting, duke kundërshtuar idetë e tyre për një zhvendosje më të majtë ose afrimin e Britanisë me BE-në.
Në analizën e tij prej më shumë se 5 mijë fjalësh, Blair argumenton se strategjia e vetme elektorale e qëndrueshme për laburistët është ajo që ai e quan “Qendra Radikale”.
Ai sugjeron që qeveria britanike të pozicionohet më qartë në mbështetje të biznesit, të udhëheqë zhvillimin e inteligjencës artificiale, të fokusohet tek energjia më e lirë dhe të ndërtojë një marrëdhënie “të strukturuar dhe formale” me Bashkimin Europian.
Lini një Përgjigje