TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Janar 2026, 13:42

Nga Karakasi në Tajvan: Rasti i Venezuelës i hap Kinës rrugën për precedent të rrezikshëm

Shkruar nga Pamfleti
Nga Karakasi në Tajvan: Rasti i Venezuelës i hap Kinës
Tensionet Kinë-Tajvan

Ndërhyrja e SHBA në Venezuelë, duke e shpallur regjimin e Nicolás Maduros si organizatë të huaj terroriste për shkak të lidhjeve me krimin ndërkombëtar të drogës, nuk është thjesht një veprim i kufizuar gjeopolitik. Në heshtje, ai po shndërrohet në një precedent që po studiohet me vëmendje në Pekin, jo si kërcënim, por si mundësi për të riformësuar rregullat e lojës në Paqësorin Lindor.

Për herë të parë që prej Luftës së Ftohtë, një superfuqi si SHBA, po vepron sipas logjikës së vjetër të sferave të influencës, duke përcaktuar publikisht se cilat rajone janë “të sajat” dhe kush përbën kërcënim strategjik përtej normave të së drejtës ndërkombëtare. Ajo që ndodhi në Venezuelë, një vend që nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e brendshme të SHBA, është dëshmi se Uashingtoni është i gatshëm të ndërhyjë njëanshmërisht në oborrin e vet, me justifikimin e vetëformuluar të “sigurisë kombëtare”.

Ky ndryshim nuk ka kaluar pa u vënë re në Kinë. Përkundrazi: Pekini e lexon këtë si dritë jeshile për ta aplikuar të njëjtën logjikë në zonën e vet strategjike, dhe mbi të gjitha ndaj Tajvanit. Nëse SHBA vendos se Venezuela përbën kërcënim për stabilitetin rajonal dhe rendin botëror, pse Kina të mos argumentojë të njëjtën gjë për Tajvanin?

Në doktrinën e saj të jashtme, Kina prej vitesh ka ndërtuar narrativën se Tajvani nuk është një shtet i pavarur, por territor i Kinës që kërkon "rikthimin në atdhe”. Në këtë logjikë, çdo përpjekje për njohje ndërkombëtare të Tajvanit shihet si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës. Tani, me precedentin e Venezuelës në tryezë, argumenti kinez nuk është më vetëm historik apo ideologjik, por edhe strategjik dhe gjeopolitik.

Pekini e di mirë se SHBA nuk ka as vullnetin dhe as aleancën për një përplasje të drejtpërdrejtë për Tajvanin. Ndërkohë, Evropa qëndron e heshtur, e zënë me krizat e veta, dhe nuk ka as kapacitetin dhe as interesin për të pasur një front të dytë në Paqësor. Në këtë zbrazëti strategjike, Kina mund të aplikojë një strategji të butë dhe graduale: presion ekonomik, izolim diplomatik të Tajpeit, rritje të pranisë ushtarake pa tejkaluar kufijtë e “kallëzimit lufte”, gjithnjë me justifikimin se po “rivendos rendin”.

Në këtë kontekst, rasti i Venezuelës është më shumë se një akt ndaj një regjimi të Amerikës Latine. Ai është test i një paradigme të re. Dhe në këtë paradigmë, fuqitë e mëdha po i hedhin sytë te oborret e tyre: SHBA në Hemisferën Perëndimore, Kina në Azinë Lindore, Rusia në ish-hapësirën sovjetike.

kine tajvan shba

Lini një Përgjigje