Një problem serioz teknik ka paralizuar hapësirën ajrore greke, duke detyruar autoritetet e aviacionit civil të pezullojnë përkohësisht të gjitha fluturimet në FIR-in e Athinës. Sipas NOTAM-it zyrtar, ndalimi i përkohshëm i nisjeve (zero rate) është urdhëruar për shkak të një defekti në frekuencat e komunikimit, që ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e operimeve ajrore.
Problemi ka goditur rëndë aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” të Athinës, si dhe aeroportet rajonale, sidomos në një ditë me ngarkesë të lartë për shkak të kthimit të udhëtarëve nga festat. Ndërsa fluturimet që ishin tashmë në ajër janë pritur me vështirësi, shumë avionë janë devijuar drejt aeroporteve alternative.
Burime nga Ministria greke e Transportit konfirmojnë se qendra e kontrollit të Athinës dhe Maqedonisë kanë hasur probleme me sistemet e radiofrekuencave. Komunikimet janë të kufizuara dhe vetëm një pjesë e vogël e fluturimeve mbi Greqi po lejohet. Sipas të njëjtave burime, pavarësisht përpjekjeve për rikthimin e normalitetit, defekti nuk pritet të zgjidhet para mesditës.
Avionët që zbresin aktualisht në aeroportet greke po përdorin protokolle manuale të navigimit, pa ndihmën e sistemeve automatike, një masë emergjente për të ruajtur sigurinë në mungesë të koordinimit teknologjik. Autoritetet kanë premtuar informim të mëtejshëm, por situata mbetet e pasigurt dhe ndikon ndjeshëm në trafikun ajror të rajonit.
Lini një Përgjigje