TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Janar 2026, 11:42

Çfarë është “Karteli i Diejve" që dyshohet se drejtonte Maduro?

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë është “Karteli i Diejve" që dyshohet
Maduro

Shpallja e kartelit “organizatë terroriste” i dha legjitimitetin SHBA-së të arrestonte Maduron...

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Nicolas Maduron si kreun e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës, i njohur si “Cartel de los Soles”, i njohur në shqip si “Karteli i Diejve”. DASH e ka shpallur organizatë të huaj terroriste.

Sipas Uashingtonit, ky rrjet kriminal drejtohet nga presidenti i Venezuelës dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë në regjimin e tij. Dhe ky klasifikim u jep autoriteteve amerikane më shumë fuqi për të ndërmarrë veprime ligjore, financiare dhe operative kundër individëve të përfshirë dhe strukturave që bashkëpunojnë me ta.

Maduro u arrestua, por ekzistenca e vetë këtij karteli mbetet e debatueshme. Ministria e Jashtme e Venezuelës e ka hedhur poshtë kategorikisht akuzën, duke e quajtur një “gënjeshtër të re dhe qesharake”. Diosdado Cabello, ministër i Brendshëm dhe një nga figurat më të fuqishme në regjimin e Maduros, që nga Uashingtoni cilësohet si pjesë e kartelit, e ka quajtur “Cartel de los Soles” një “shpikje”. Ai ka akuzuar SHBA se e përdorin këtë term si justifikim për të etiketuar kundërshtarët e tyre politikë në Amerikën Latine. Në të njëjtën linjë është shprehur edhe presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, i cili e ka përshkruar këtë si “fantazi të së djathtës ekstreme për të rrëzuar qeveri të pavarura në rajon”.

Por Departamenti Amerikan i Shtetit ngul këmbë se ky rrjet ekziston realisht dhe ka depërtuar në të gjitha nivelet e shtetit venezuelian, nga ushtria dhe shërbimet sekrete, te sistemi gjyqësor dhe legjislativ. Termi “Cartel de los Soles” u shfaq për herë të parë në fillim të viteve ’90, pas akuzave për trafik droge ndaj një gjenerali të Gardës Kombëtare që kishte gradën e treguar me simbolet e “diellit” në uniformë. Që prej asaj kohe, ky emër është përdorur për të identifikuar oficerët e lartë të ushtrisë që dyshohet se janë përfshirë në rrjetin e trafikut të drogës.

Sipas ekspertëve, rrjeti mori formë si pasojë e përçarjes së rrugëve tradicionale të trafikut të kokainës nga Kolumbia në fund të viteve ‘80, kur karteli i Medellín po shpërbëhej. Venezuela u bë alternativë për trafikantët, dhe gjatë qeverisjes së Hugo Chávez-it, rrjeti u konsolidua edhe më shumë. Chávez i shkëputi lidhjet me DEA-n (Agjencinë Amerikane kundër Drogës) dhe afroi marrëdhënie me grupet guerile të majta në Kolumbi, si FARC, të cilat ishin të njohura për financimin përmes drogës. Kjo krijoi një boshllëk të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe hapi rrugë për përfshirjen e ushtrisë venezueliane në trafik ndërkombëtar.

Ish-agjentë të DEA-s dhe zyrtarë të lartë amerikanë pohojnë se jo vetëm që FARC gjeti strehë të sigurt në Venezuelë, por edhe që shumë institucione shtetërore u përfshinë në trafik: nga policia rrugore, deri te forcat ajrore dhe marina. Sipas tyre, nga Venezuela janë dërguar qindra tonë kokainë drejt SHBA-së dhe Evropës në bashkëpunim me FARC.

Ekspertët e krimit të organizuar vënë në dukje se “Karteli i Diejve” nuk funksionon si një strukturë e centralizuar kriminale, por si një sistem i gjerë korrupsioni shtetëror, ku funksionarët fitojnë pjesën e tyre përmes kontrollit të pikave të transportit si aeroportet, portet apo pikat kufitare. Në kushtet e një krize të rëndë ekonomike dhe të paaftësisë së regjimit për të paguar ushtrinë dhe policinë, leja e heshtur për të bashkëpunuar me rrjetet e drogës është kthyer në mënyrën kryesore për të ruajtur lojalitetin.

Në vitin 2020, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti aktpadi ndaj Maduros dhe 14 zyrtarëve të tjerë, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Vladimir Padrino, ish-shefin e inteligjencës Hugo Carvajal dhe gjeneralin Cliver Alcalá. SHBA pretendon se këta individë kanë ndihmuar në transportin e kokainës nga Amerika Latine drejt SHBA-së dhe kanë pasur lidhje të ngushta me FARC. Disa prej këtyre figurave janë dorëzuar dhe kanë pranuar fajin në gjykatat amerikane, përfshirë Carvajal dhe Alcalá, të cilët kanë dëshmuar kundër regjimit të Maduros dhe kanë pranuar përfshirjen e tyre në operacionet e drogës.

Sipas prokurorëve amerikanë, Maduro dhe aleatët e tij kanë përdorur drogën si “armë”, për të financuar regjimin dhe për të ndikuar politikisht në rajon, madje për të destabilizuar SHBA-në përmes “furnizimit masiv me helm” në formën e kokainës. /Pamfleti

Lini një Përgjigje