Debati mes Marco Rubio dhe Kaja Kallas nxjerr në pah mosbesimin mes aleatëve për qasjen ndaj luftës në Ukrainë
Sipas medias amerikane Axios, në takimin e ministrave të Jashtëm të G7 janë regjistruar tensione të forta lidhur me qëndrimin e Perëndimit ndaj Rusisë dhe luftës në Ukrainë. Përplasja mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ka reflektuar një klimë në rritje mosbesimi mes aleatëve.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, i kërkoi drejtpërdrejt sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, një afat të qartë se kur Uashingtoni do të ashpërsojë qëndrimin ndaj Moskës. Ajo kujtoi se një vit më parë SHBA kishin paralajmëruar masa më të forta nëse Rusia nuk do të bashkëpunonte, duke theksuar se deri tani nuk ka pasur ndryshime konkrete.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga Axios, Rubio reagoi me tone të ashpra, duke deklaruar se SHBA po bëjnë maksimumin për t’i dhënë fund luftës. Ai shtoi se, nëse vendet evropiane besojnë se mund ta menaxhojnë situatën më mirë, mund të veprojnë vetë, duke lënë të kuptohet edhe mundësia e një distance më të madhe nga Uashingtoni.
Rubio theksoi gjithashtu se SHBA po mbajnë kontakte me të dyja palët dhe vazhdojnë të mbështesin Ukrainën me ndihmë ushtarake dhe informacione.
Pas debatit, disa ministra evropianë ndërhynë për të ulur tensionet dhe për të theksuar rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve diplomatike me pjesëmarrjen e SHBA. Në fund të takimit, Kallas dhe Rubio zhvilluan një bisedë të shkurtër private për të qetësuar situatën.
Pala amerikane e minimizoi incidentin, duke e cilësuar si një shkëmbim të sinqertë pikëpamjesh. Vetë Rubio deklaroi para mediave se nuk kishte pasur tensione dhe se takime të tilla karakterizohen nga bashkëpunim dhe respekt i ndërsjellë.
Ndërkohë, kryeqytetet evropiane prej kohësh shprehin rezerva për rolin e SHBA në përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë. Kriza në Lindjen e Mesme dhe përqendrimi në rritje i Uashingtonit te Irani kanë shtuar shqetësimet se çështja e Ukrainës mund të marrë më pak vëmendje, në një kohë kur progresi diplomatik mbetet i kufizuar.
Lini një Përgjigje