Lajmin e bëri të ditur vetë Trump përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku vlerësoi punën e deritanishme të Noem në këtë post.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka shkarkuar nga detyra Sekretaren e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem. Në vend të saj ka emëruar senatorin republikan Markwayne Mullin.
Lajmin e bëri të ditur vetë Trump përmes një postimi në rrjetin social Truth Social, ku vlerësoi punën e deritanishme të Noem në këtë post.
“Sekretarja aktuale, Kristi Noem, na ka shërbyer mirë dhe ka arritur rezultate të shumta dhe spektakolare”, shkroi Trump.
Sipas presidentit amerikan, Noem do të kalojë në një rol të ri si e Dërguar Speciale për “Mburojën e Amerikave”, një pozicion i sapokrijuar që lidhet me atë që Trump e përshkroi si një “Nismë të re të Sigurisë në Hemisferën Perëndimore”.
Kristi Noem ka qenë një nga figurat kryesore në zbatimin e politikave të administratës Trump për imigracionin.
Presidenti amerikan vlerësoi gjithashtu senatorin republikan Markwayne Mullin, duke thënë se ai ka bërë “një punë të jashtëzakonshme në përfaqësimin e popullit të Oklahomës”.
Trump e përshkroi Mullinin si një “luftëtar MAGA” dhe theksoi se ai ka qenë më parë një luftëtar profesionist i pamposhtur në artet marciale mikse (MMA).
“Markwayne shkon shumë mirë me njerëzit dhe e ka mençurinë dhe guximin e nevojshëm për të çuar përpara axhendën tonë ‘Amerika e Para’”, shkroi Trump, duke shtuar se Mullin “do të punojë pa u lodhur” për të mbajtur të sigurt kufijtë e Shteteve të Bashkuara.
Kush është Kristi Noem?
Kristi Noem, 54 vjeçe, është një politikane amerikane e Partisë Republikane që drejtoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara nga janari i vitit 2025 deri në mars 2026, gjatë mandatit të dytë të presidentit Donald Trump.
Në këtë rol, ajo ishte përgjegjëse për politikat federale të sigurisë së brendshme, përfshirë kontrollin e kufijve, reagimin ndaj emergjencave dhe mbikëqyrjen e agjencive si Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Shërbimi Sekret.
Gjatë kohës së saj në krye të departamentit, Noem ishte një nga figurat kryesore në zbatimin e politikave të administratës Trump për imigracionin, përfshirë forcimin e sigurisë në kufirin SHBA-Meksikë dhe operacionet kundër emigracionit të paligjshëm.
Para se të hynte në kabinetin presidencial, Noem shërbeu si guvernatore e Dakotës së Jugut nga viti 2019 deri në vitin 2025, duke u bërë gruaja e parë që mbajti këtë post në atë shtet.
Karrierën politike e nisi në legjislativin e Dakotës së Jugut dhe më pas u zgjodh anëtare e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, ku përfaqësoi shtetin e saj nga viti 2011 deri në vitin 2019.
Ajo u lind në Watertown, në Dakotën e Jugut, dhe para se të hynte në politikë punoi në fermën familjare dhe në bizneset e familjes.
Kush është Markwayne Mullin?
Markwayne Mullin është senator republikan nga Oklahoma, i cili pritet të marrë detyrën e Sekretarit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, pas njoftimit të presidentit Donald Trump për zëvendësimin e Kristi Noem.
Mullin shërben si senator i Shteteve të Bashkuara që nga viti 2023. Para kësaj, ai përfaqësoi Oklahomën në Dhomën e Përfaqësuesve për rreth dhjetë vjet.
Përveç karrierës politike, Mullin ka qenë edhe luftëtar profesionist në artet marciale të përziera (MMA). Presidenti Trump e përmendi këtë përvojë kur njoftoi emërimin e tij, duke e përshkruar atë si një ish-luftëtar profesionist të pamposhtur.
Sipas biografisë së tij zyrtare në faqen e Senatit amerikan, Mullin është gjithashtu pronar biznesi dhe merret me bujqësi, duke rritur lopë dhe viça në fermën e tij familjare.
Ai është i martuar prej 28 vitesh dhe ka gjashtë fëmijë me bashkëshorten e tij.
Lini një Përgjigje