TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Korrik 2024, 21:02

Në 36 vite vetëm një zëvendës ia ka dalë të zgjidhet president, 6 leksione që duhet t’i ketë parasysh Harris

Shkruar nga Robert B.Zoellick

Në 36 vite vetëm një zëvendës ia ka dalë të

Fushata e George H.W Bush ofron leksione me vlerë edhe për sot, edhe pse rrethanat janë të ndryshme.

Ndoshta Kamala Harris s’ka pasur kohë të reflektojë mbi zgjedhjet presidenciale të vitit 1988, hera e fundit që një zëvendës/president u zgjodh president përmes votës (dhe hera e parë që nga koha e Martin Van Buren në vitin 1836). Fushata e George H.W Bush ofron leksione me vlerë edhe për sot, edhe pse rrethanat janë të ndryshme.

Kur iu bashkova fushatës së Bush për të mbikëqyrur linjat politike të programit dhe fjalimet e fushatës në korrikun e vitit 1988, disa sondazhe e renditnin zv/presidentin deri në 17 për qind prapa kundërshtarit të tij. Bush-it iu desh jo pak sforco për të dalë nga hija e madhe e presidentit Ronald Reagan.

Detyra e tij ishte të përfitonte nga trashëgimia e madhe e këtij të fundit, por duke u dalluar në të njëjtën kohë si një udhëheqës i ri. Nga ana tjetër, ai duhej të përballej me rivalin e tij demokrat, guvernatorin e Massachusetts, Michael Dukakis. Me fjalimin e tij në Kongres, Bush e ri-paraqiti veten para publikut amerikan.

Shkruesja e fjalimeve të tij, Peggy Noonan, e dëgjoi me vëmendje zëvendëspresidentin, ndaj deklaratat e tij publike ndikuan mbi mënyrën se si ai shprehej privatisht. Në shkrimet e saj, ajo u përpoq të shmangte përemrin “unë”, duke e ditur se ai e kishte përvetësuar prej kohësh udhëzimin e nënës së tij për të mos u mburrur në publik.

Fjalimi nisi me historinë personale të Bush. Më pas ai shpjegoi se cili do të ishte misioni i tij si president. Njerëzit duhet ta dinë arsyen përse një kandidat dëshiron të jetë president, dhe pse numri 2 duhet të përparojë drejt postit më të lartë. Edhe zonja Harris duhet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve teksa rrëfen historinë e saj.

Ajo mund të nënvizojë se Partia Demokratike e ka njohur dëshirën e qytetarëve për një ndryshim epokal që duhet të ndodhë. Po ashtu, duhet të mbajë një qëndrim mbi kulturën politike:Bush e sulmoi Dukakis për veton që ai vendosi ndaj një projektligji të vitit 1977, që u kërkonte mësuesve të Massachusetts të drejtonin klasat e tyre në Betimin për Besnikëri.

Edhe Harris duhet gjithashtu të pyesë vazhdimisht Trump, nëse ai do të pranojë rezultatet e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një parim jetik i demokracisë. Por ndërkohë duhet të gjejë mënyrat për të distancuar veten nga politika “Ëoke” e ekstremit të majtë, duke e trajtuar me respekt bazën e saj elektorale.

Zgjedhja e një kandidati për zëvendës, është vendimi i parë i pavarur që mund të marrë një kandidat presidencial. Bush zgjodhi senatorin Dan Quayle nga Indiana. Quayle ishte i ri dhe sillte përvojën e kongresit dhe kontaktet. Kandidatura e zonjës Harris duhet të jetë e tillë që të nxjerrë në pah centrizmin dhe dëshirën e saj për të afruar sa më shumë amerikanët.

Përzgjedhja e një guvernatori nga një pjesë tjetër e vendit, do të sillte aftësi ekzekutive dhe perspektiva për një mbështetje të madhe. Harris duhet të jetë e kujdesshme që të mos ndjekë thjesht manualin e fushatës së presidentit Biden, duke e vënë theksin tek rreziku i një presidence të dytë të Donald Trump.

Ajo duhet të tregojë thelbin e politikës - dhe që është në gjendje të punojë - ndërsa duhet të vërë në dukje kontrastet e forta si me pikëpamjet e Trump, ashtu edhe me sjelljen e tij shpeshherë të lëkundur. Dukakis po garonte bazuar në kompetencën e tij ndërsa po i dredhonte ndaj çështjeve më thelbësore.

Në shtator dhe tetor, Bush i kushtoi kohë një sërë temash politikash, duke mbajtur fjalime pozitive, që vinin në dukje kontrastet me rivalin, dhe duke përdorur pamje që përforconin mesazhin e tij. Në nëntor, Bush ia kishte dalë ta paraqiste axhendën e tij serioze, dhe të nxirrte në pah dobësitë e Dukakis.

Harris ka të paktën 7 mundësi për të ndjekur një qasje të ngjashme. Ajo ka folur tashmë plot energji mbi çështjen e abortit. Mund të kritikojë të emëruarit në sistemin e drejtësisë nga Trump, të cilët siguruan votat për të rrëzuar vendimin historik të Gjykatës së Lartë Roe vs Wade.

Pozicioni i Harris do të jetë që demokratët e mbështesin kujdesin e sigurt dhe të drejtën e gruas për të marrë vendime për trupin e saj. Por ajo do të tregohej edhe më e mençur po të tregonte respekt mbi pikëpamjet e tjera mbi jetën, duke e trajtuar abortin si një rrethanë të trishtuar, ndërkohë që e inkurajon birësimin.

Së dyti, Harris duhet të adresojë një çështje shumë delikate:migracionin e paligjshëm. Bush e ktheu ambientalizmin në avantazhin e tij, me një ngjarje në portin e Bostonit dhe me një axhendë për ajrin e pastër, plazhet e sigurta dhe ligatinat. Kamala Harris duhet të pranojë dështimet e administratës Biden, ndërsa duhet të promovojë specifikat e projektligjit dypartiak në Senat, të kryesuar nga senatori James Lankford, që u refuzuar nga Trump.

Më pas, duhet të kundërshtojë premtimin e Trump për një dëbim masiv si një katastrofë humanitare dhe ekonomike, dhe si një shembull tjetër të qëndrimit të tij joefektiv, siç ishte projekti i ndërtimit të murit në kufi me Meksikën.

Së treti, Harris duhet të përballet hapur me të pakënaqurit nga niveli i lartë i inflacionit. Inflacioni dhe normat e interesit po bien. Por tarifat e larta të vendosura nga Trump, armiqësia ndaj migracionit të dobishëm, thirrjet për mbajtjen e një dollari të dobët dhe për sulmet ndaj Rezervës Federale do ta rritnin sërish inflacionin.

Harris duhet të tregojë se si do t’i ndihmojë amerikanët të konkurrojnë, dhe ta përdorin tregtinë në dobi të tyre përmes marrëveshjeve dixhitale, rinovimit të Aktit të Rritjes dhe Mundësive Afrikane dhe zgjerimit të paktit tregtar SHBA-Meksikë-Kanada.

Së katërti, ajo duhet t’u shpjegojë amerikanëve rëndësinë strategjike të mbështetjes ushtarake dhe financiare ndaj Ukrainës. Kjo për të nxjerrë në pah kontrastin mes saj dhe Trump - i cili është i magjepsur pas Vladimir Putin ­- por edhe të theksojë rrezikun e tezave të J.D.Vance, të cilat do ta çonin SHBA-në drejt izolimit. Duke e nxitur më shumë Evropën të transferojë në Ukrainë asetet e ngrira të Rusisë, Harris mund të tregojë se e njeh nevojën që partnerët e aleancës duhet të bëjnë më shumë.

Së pesti, çdo kandidat presidencial duhet të tregojë se e kupton rëndësinë e madhe që ka mbrojtja kombëtare. Çdo mbështetës i një qasjeje më të ashpër ndaj Kinës, kërkon më shumë para për një buxhet më të madh të mbrojtjes. Megjithatë, zonja Harris duhet të shtojë se as zoti Trump dhe as Joe Biden nuk e kanë modernizuar si duhet Departamentin e Mbrojtjes. Ajo duhet ta bëjë të qartë se Amerika nuk ka më luksin të mbetet prapa.

Së gjashti, zonja Harris duhet të jenë në pararojë të së ardhmes. Në dallim nga kundërshtari i saj 78-vjeçar, ajo duhet të mirëpresë potencialin e Inteligjencës Artificiale për të përmirësuar produktivitetin, mjekësinë, arsimin dhe avantazhin inovativ të Amerikës. Zonja Harris mund të theksojë, në kundërshtim me platformën republikane, se SHBA-ja dhe partnerët e ngushtë mund të jenë lidere në shfrytëzimin e AI, duke e mbajtur të sigurt infrastrukturën kritike, duke na mbrojtur nga armët biologjike dhe sulmet kibernetike.

Së fundi, unë them se zonja Harris duhet ta pranojë se një deficit buxhetor prej 7 për qind të PBB-së dhe një borxh federal afër nivelit më të lartë të pasluftës prej 104 për qind, e vënë shumë më rrezik SHBA-në. Shpenzimet vetëm për normën e interesit, janë tani të përafërta me shpenzimet në mbrojtje dhe për sistemin e kujdesit shëndetësor Medicare.

Përveç programit të saj fiskal, Harris duhet të deklarojë se do të kërkojë kufizimin e shpenzimeve, dhe të paktën një rishqyrtim të politikave të dëmshme industriale të Joe Biden.

Zëvendëspresidenti Bush, arriti ta tejkalojë diferencën e tij fillestare prej 17 për qind, dhe në fund fitoi me 8 për qind vota më shumë, duke pasur shumicën në 40 shtete dhe 426 vota elektorale. Zëvendëspresidentja Harris do të përfitonte shumë, nëse nis që tani të drejtojë fushatën e saj, dhe jo atë të zotit Biden./Përshtati "Pamfleti" nga “Wall Street Journal”

*Shënim:Robert Zoellick, ka qenë zëvendës shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë në vitet 1992-1993, përfaqësues i tregtisë së SHBA në vitet 2001-2005, zëvendës/sekretar i Shtetit në vitet 2005-2006 dhe president i Bankës Botërore në vitet 2007-2012.

Lini një Përgjigje