
CIA amerikane dhe MI6 e Britanisë, kanë qenë aktive prej muajsh duke përgatitur rrethanat përmes të cilave, nëse do të jetë e nevojshme, presidenti ukrainas do të rrëzohet nga pushteti.
Duket se gjithçka nuk po shkon mirë në “tokën e zezë” të Ukrainës. Lufta me Rusinë nuk po ecën mirë. Por gjërat nuk janë mirë as për udhëheqësin e saj. Nuk është një sekret që Perëndimi (SHBA-ja, Britania e Madhe dhe shumë vende të NATO) janë prej disa kohësh të shqetësuara nga mungesa e progresit të presidentit Vladimir Zelensky në fushën e betejës.
Dhe provat për këtë dështim duket se po shtohen. Nëse analizojmë historinë e shkurtër të Ukrainës disa vite para konfliktit, vihet re se marshimi drejt konfliktit aktual ishte jo vetëm i parashikueshëm, por thuajse i pashmangshëm. Dhe problem nuk është vetëm natyra e zgjatur e konfliktit (më shumë se 2 vjet); por edhe paaftësia e lidershipit aktual ukrainas për të arritur suksese të vazhdueshme në terren.
Dhe ky shqetësim është bërë akoma më i madh, që kur mandati i presidentit ukrainas skadoi në maj të këtij viti, pa asnjë njoftim se kur do të mbahen zgjedhjet e reja. Situata është e tillë, sa që presidenti ukrainas e ka përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, duke shpallur ligjin ushtarak.
Kjo edhe pse pretendimi i tij ligjor për të qëndruar në pushtet, po kundërshtohet që nga fundi i majit. SHBA-ja ka një histori të freskët të ndikimit në zgjedhjen e lidershipit të Ukrainës.
Kjo ka ndodhur nëpërmjet makinacioneve të Departamentit të Shtetit, ojq-ve besnike dhe shërbimeve të saj sekrete, qoftë individualisht apo në bashkëpunim me të tjerët.
Kur kombet ndjekin synimet politike, ekonomike dhe të demokracisë në të njëjtën kohë, gjërat mund të bëhen shumë kaotike. CIA amerikane dhe MI6 e Britanisë, kanë qenë aktive prej muajsh duke përgatitur rrethanat përmes të cilave, nëse do të jetë e nevojshme, presidenti ukrainas do të rrëzohet nga pushteti.
Zyrtarët e lartë të SHBA-së dhe evropianë kanë hapur diskutime me Kievin rreth negociatave të mundshme të paqes me Moskën. Për më tepër, Stephen Bryen, ish-Zëvendës Sekretari i Mbrojtjes thotë: “Ka një konsensus në rritje se Perëndimi (që nënkupton Shtetet e Bashkuara me ndihmën e Britanisë) dëshiron të zëvendësojë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ish-analisti i lartë i CIA-s, Larry Johnson, beson se nëse situata në fushën e betejës nuk përmirësohet, presidentit ukrainas do t’i bëhet presion politik për të thirrur zgjedhjet e reja, për të hequr dorë vullnetarisht nga pushteti, ose do të përmbyset përmes një revolucioni si ai i Maidanit.
Në prag të konfliktit aktual të Ukrainës me Rusinë, ishin SHBA-të ato që ushtronin presion politik nëpërmjet CIA-s, ojq-ve të ndryshme dhe Departamentit të Shtetit për të nxitur ndryshime në udhëheqjen ukrainase. Ish-nënsekretarja e Shtetit për Çështjet Politike, Victoria Nuland, qëndronte prapa operacionit të vitit 2014.
Një bisedë telefonike të atij viti, e regjistruar dhe më pas e publikuar në media midis Nuland dhe ambasadorit të atëhershëm të SHBA në Kiev, Geoffrey Pyatt, tregon shumë. Ajo përshkruan pjesëmarrjen e SHBA-së, në atë që përfundimisht rezultoi në marrjen e pushtetit nga presidenti aktual ukrainas.
Për më tepër, ata i kërkuan zëvendëspresidentit të atëhershëm Joe Biden që t’i ndihmonte në përpjekjet e tyre. Por duke pasur parasysh investimin e madh prej mbi 100 miliardë dollarësh ndaj Zelensky-t në veçanti dhe Ukrainës në përgjithësi, pse SHBA-ja do të ishte e gatshme të largonte Zelensky-n në këtë moment, 2 vjet pas fillimit të konfliktit?
Një nga arsyet kryesore, është se Zelensky nuk iu përmbajt planit të hartuar me kujdes të Uashingtonit për kundërsulmin e Ukrainës ndaj trupave ruse. Shtëpia e Bardhë i zbuloi enkas shqetësimet e saj, për të hedhur themelet e para për justifikimin e zëvendësimit të presidentit aktual.
Në vend se të ndjekë planin e Uashingtonit dhe t’i përmbahet këshillave të gjeneralëve të tij të lartë, Zaluzhnyi dhe Syrskyi, Zelensky vendosi të riniste operacionet ushtarake në një përpjekje të kotë për të rimarrë qytetin e Bakhmut. Ishte një humbje poshtëruese për Zelenskyn personalisht, sepse ai ishte betuar të mos e linte kurrë që të binte.
Po ashtu, Zelensky po kundërshtonte urdhrat e gjeneralit të tij kryesor, duke u përpjekur të përballej me forcat ruse në një front shumë më të gjerë. Ai e dobësoi efektivitetin e operacionit në tërësi, duke angazhuar disa nga forcat më të mira të Ukrainës në betejën e Bakhmut dhe në fronte të tjera në Donetsk.
Përpjekjet nga forcat ukrainase ishin të kota, sepse presidenti ukrainas ka anashkaluar jo vetëm këshillat e logjikshme ushtarake të gjeneralëve të tij, por edhe planin e Pentagonit për ta vendosur Kievin në një pozicion më të mirë për të negociuar me Moskën.
Por presidenti ukrainas ka një problem edhe më serioz se sa ofensiva e dështuar. Zelensky i ka kompromentuar marrëdhëniet e tij të forta më parë me SHBA dhe Britaninë e Madhe. Sot ka një perceptim në rritje se Ukraina do ta humbasë luftën. Raportet konfirmojnë se Ukraina ka përdorur taktika të ashpra (të dëshpëruara) për të plotësuar trupat e saj në zvogëlim të vazhdueshëm me synim vazhdimin e luftës.
Tani po lirohen edhe të burgosurit, në këmbim të shërbimit në front për disa muaj. Rezultati është se Ukraina ka tani në front më pak trupa me përvojë, të afta, si dhe probleme të vazhdueshme për të riparuar dhe vënë në punë armët e sofistikuara të NATO-s.
Kievi nuk ka as personel dhe as fuqi punëtore të trajnuar për t’i mirëmbajtur këto pajisje në gjendje gatishmërie. Pra duket se ushtria e Ukrainës po shkon drejt katastrofës. Nga këndvështrimi i Uashingtonit, ideja ishte të arrihej në një pikë në fushën e betejës, e cila do t’i jepte mundësi Ukrainës të negocionte një marrëveshje me Rusinë nga pozita më të mira.
Por presidenti ukrainas e shpërdoroi këtë perspektivë, duke i hedhur poshtë këshillat e gjeneralëve të tij dhe kompromentuar çdo mundësi për një kundërsulm të suksesshëm.
Nëse nuk do të ndodhin negociatat e paralajmëruara, Ukraina do të dështojë në mënyrë të pashmangshme në aspektin ushtarak, duke dëmtuar rëndë edhe perceptimin e aftësive parandaluese të NATO-s në rajon dhe ndoshta më gjerë. Presidenti ukrainas ka treguar se është kundër çdo lloj negocimi me Rusinë, derisa forcat ruse të tërhiqen nga Ukraina.
Një retorikë e tillë jorealiste, tejkalon jo vetëm atë që mund të arrihet në të vërtetë, por edhe atë që është sot për sot në interesin më të mirë të NATO-s. Ai po dëmton atë që shumica e vëzhguesve perëndimorë thonë se është mënyra e vetme sesi mund të zgjidhet konflikti: negociatat.
Kështu, nevojat e NATO-s dhe ato të Zelensky janë të ndryshme edhe në konflikt. Ky i fundit refuzon të thërrasë mbajtjen e zgjedhjeve të reja presidenciale nga frika e humbjes së kontrollit dhe rrjedhimisht e pushtetit. Është e qartë se presidenti ukrainas s’ka ndërmend të japë dorëheqjen nga posti i tij.
Në këto kushte, opsionet që i mbeten për SHBA-së dhe aleatëve të saj janë të frikshme. Në praktikë, ka vetëm 2 mundësi. Së pari, ata mund të detyrojnë Zelenskyn (politikisht dhe ekonomikisht) të japë dorëheqjen, duke e kërcënuar me ndërprerjen e të gjitha ndihmave.
Se dyti mund të përsërisin skenarin e vitit 2014, dhe të nxisin një rebelim tjetër të ngjashëm me Maidanin. Sidoqoftë, opsionet nuk janë të favorshme për SHBA-në apo popullin ukrainas. Sepse sipas çdo skenari, Perëndimit do t’i duhet të sigurojë shuma të mëdha për të rindërtuar infrastrukturën e Ukrainës dhe për të rigjeneruar ekonominë e saj, nëse synohet që ajo të mbetet një shtet-komb i qëndrueshëm.
Nëse ajo do të bëhet apo jo pjesë e BE-së, kjo do të varet së paku pjesërisht se sa mund të vendosë nën kontroll problemet e saj të përhershme të korrupsionit. Anëtarësimi në NATO nuk është më një opsion i zbatueshëm - të paktën në mjedisin aktual politik - pavarësisht nga retorika politike nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Stoltenberg.
Presidentit Joe Biden, një mbështetës i fortë i tij, nuk po tani kërkon një mandat të dytë. Ekziston një mundësi shumë reale që Donald J.Trump të futet sërish në Shtëpinë e Bardhë, dhe ai ka thënë se mund t’i japë fund brenda 24 orësh luftës në Ukrainë./Përshtati "Pamfleti" nga “Eurasia Riview”
*Shënim:F.Andrew Wolf, Jr. nënkolonel në pension i ushtrisë amerikane.
Lini një Përgjigje