
Izraeli dhe Hamasi, nuk janë aktualisht të përgatitur për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht...
Më 31 maj, presidenti amerikan Joe Biden bëri publik një propozim me 3 faza, për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës. Ai bëri thirrje së pari për një armëpushim të përkohshëm, që lidhet me tërheqjet e pjesshme të forcave izraelite, shkëmbimet e kufizuara të pengjeve dhe me një fluks ndihme për banorët e Gazës.
Më pas do të nisnin negociatat, të cilat nëse do të ishin të suksesshme, do të çonin në fazën e dytë, që përfshin një ndërprerje të përhershme të armiqësive, e pasuara me tërheqje të plota të trupave izraelite dhe me shkëmbime të plota pengjesh. Faza e tretë dhe e fundit, ka të bëjë me përpjekjet për rindërtim në Gaza dhe me shkëmbimin e eshtrave të ish-pengjeve izraelite.
Por me gjithë bujën me të cilën u njoftua, ky propozim ishte vetëm një nga shumtët që ishin bërë që nga fillimi i luftës. Në fakt, Izraeli dhe Hamasi kishin hedhur poshtë më herët plane të ngjashme të propozuara nga Egjipti dhe Katari. Dhe ashtu si propozimet e tjera, u hodh poshtë edhe plani i Biden.
Ndonëse këto nisma të ndërmjetësuara nuk kanë arritur të sjellin paqe, ato përfaqësojnë një përpjekje për t’i dhënë fund vuajtjeve të vazhdueshme të shkaktuara nga lufta. Tek e fundit, nuk mund të jetë e dëmshme ta provosh. Apo është? Të dhënat historike, na tregojnë se ndërhyrje të tilla diplomatike, kanë shpesh pasoja jashtëzakonisht negative.
Fuqitë e jashtme, nuk kanë qenë thuajse asnjëherë në gjendje të imponojnë armëpushime të qëndrueshme, pa mbështetjen e vetë palëve ndërluftuese. Dhe ç’është më shqetësuese, përpjekjet e jashtme për të lehtësuar diplomacinë mund t’i përshkallëzojnë luftërat.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, duhet që të ushtrojnë presion ndaj Hamasit dhe Izraelit që të ndryshojnë sjelljen e tyre gjatë luftës, dhe jo të synojnë të imponojnë negociata kur asnjëra nga palët nuk ka shprehur interes për një zgjidhje të negociuar. Shumë studiues të shquar, përfshirë Robert Powell dhe Branislav Slantchev, i kanë parë negociatat gjatë konfliktit si një proces që mund të prodhojë një spektër rezultatesh.
Nga njëra anë, palët përkatëse arrijnë me sukses një marrëveshje të pranueshme reciprokisht, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes. Ndërkohë, palët mund të identifikojnë fusha më të kufizuara kompromisi dhe mosmarrëveshja vazhdon me një gamë më të ngushtë dallimesh.
Por nga ana tjetër, palët nuk arrijnë të gjejnë ndonjë bazë të përbashkët, dhe mosmarrëveshja vazhdon sikur të mos ketë ndryshuar asgjë. Në të gjitha këta skenarë, negociatat shihen si një aktivitet pa kosto që ose përmirëson situatën ose, në rastin më të keq, nuk e ndryshon status quo-në.
Por negociatat mund ta kenë një kosto. Dhe njëra prej tyre është se udhëheqësit shqetësohen shpesh, se heqja dorë nga vullneti për të negociuar do të interpretohet si një shenjë dobësie, zbehje e vendosmërisë apo interesit për të arritur paqen. Një interpretim i tillë, mund të ulë moralin në vend ose ta motivojë armikun të luftojë më ashpër, sepse beson se fitorja, ose të paktën përfitimet e mëtejshme, janë të arritshme.
Gjatë momenteve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1940- 1941, kur strategjia e Gjermanisë solli pushtimin e gjithë Evropën, Britania e Madhe dhe vendet e tjera refuzuan të negociojnë me Fyhrerin Adolf Hitler, pasi nuk panë asnjë skenar në të cilin ai mund të angazhohej në mënyrë të besueshme për një marrëveshje paqeje.
Në ato kushte, mënyra e vetme për të adresuar problemin ishte eliminimi i Hitlerit. Në shumë konflikte, përfshirë ato në Ukrainë dhe Gaza, palët e treta të mbështetura nga institucionet, duke përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë arritur t’i bindin palët ndërluftuese që të negociojnë ndërsa luftojnë.
Nuk është rastësi që proporcioni i kohës së kaluar në bisedime gjatë luftimeve, ishte pothuajse 2 herë më i lartë nga viti 1947 deri në vitin 2003, sesa midis vitit 1823 dhe vendosjes së rendit të pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945. Një supozim tjetër i gabuar në lidhje me negociatat, është se ato zhvillohen gjithmonë me mirëbesim.
Edhe nëse mosmarrëveshjet nuk arrijnë të zgjidhen, supozohet se negociatat kanë bërë një përpjekje të sinqertë për të gjetur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht. Por realiteti është më i ndërlikuar. Palët ndërluftuese munden dhe bëjnë shpesh negociata në keqbesim, duke u shtirur si të interesuara për një zgjidhje, ndërsa në fakt synojnë që bisedimet të dështojnë.
Palët e pasinqerta në një luftë, mund ta përdorin kohën e fituar nga bisedimet për t’u riarmatosur dhe rigrupuar, për të shmangur fajin politik për luftën apo për të propaganduar. Kjo u pa gjatë bisedimeve në vitet 1951- 1953 në Kaesong dhe Panmunjom për t’i dhënë fund Luftës së Koresë. Marrëveshjet janë më të sinqerta, kur njëra palë nuk ka mundësi të tjera. Pra kur fusha e betejës ka zbuluar qartë rezultatin e mundshëm të luftës. Pa këta faktorë, palët ndërluftuese ndihen ende të lira për të negociuar në një mënyrë të pasinqertë. Ky është rreziku edhe me Gazën. Izraeli dhe Hamasi, nuk janë aktualisht të përgatitur për të arritur një marrëveshje të pranueshme reciprokisht.
Përkundrazi, synimi themelor i secilës palë, nuk është lëkundur që nga 7 tetori 2023:Hamasi dëshiron të mbijetojë si një entitet politik dhe ushtarak, ndërsa Izraeli dëshiron ta eliminojë atë.
Palët ndërluftuese, kanë më shumë gjasa të besojnë se një marrëveshje paqeje do të arrihet ose kur të paktën njëra palë është shumë e dobët për të luftuar, ose kur të dyja besojnë se çdo përpjekje për të refuzuar një marrëveshje, do të çonte në pasoja të tmerrshme.
Dhe asnjë nga këto kushte nuk përmbushet për Gazën. Operacioni në Rafah që nisi në fillim të majit nga Izraeli me synim zhdukjen e Hamasit, nuk e ka arritur objektivin e tij. Ky i fundit, duket ende i gatshëm të luftojë, dhe kërkesa e tij për një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza, e dëshmon këtë fakt.
Madje sulmet e Izraelit kundër civilëve palestinezë, e kanë rritur mbështetjen politike për Hamasin, dhe kjo mund të bëhet më e fortë, duke zbehur gjasat që anëtarët e organizatës t’i binden një marrëveshjeje. Si Izraeli ashtu edhe Hamasi, përballen me presione të mëdha dhe të vazhdueshme për të negociuar, gjë që i bën të shtiren sikur janë të interesuar për diplomacinë.
Për fat të mirë, Uashingtoni ka disa alternativa ndaj strategjisë së tij aktuale. Më së pari, Biden duhet të ndryshojë kurs, duke shprehur gatishmërinë për të ndëshkuar shkeljet e të drejtave të njeriut dhe të ligjeve të luftës nga të dyja palët.
Shënim: Eric Min, ndihmës/profesor i Shkencave Politike në Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos.
Lini një Përgjigje