TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Mars 2026, 13:10

Marina gati të zëvendësojë Georgian? Intrigat për të rikthyer Forza Italia-n në krye të së djathtës italiane

Shkruar nga Federico Ferraù
Marina gati të zëvendësojë Georgian? Intrigat për
Marina Berlusconi (Ansa)

Pas goditjes që mori nga referendumi, Marina Berlusconi po merr në dorë frenat e Forza Italia-s për të diktuar fatet e qeverisë nga prapaskena. Ndërsa Giorgia Meloni mbetet peng e “klanit” të saj të vjetër, aleanca e djathtë po rrëshqet drejt një lufte të hapur për pushtet.

Humbja në referendumin e 22-23 marsit, ka lënë pas një faturë të kripur për partitë e qeverisë dhe llogaritë janë ende të hapura. Brenda Fratelli d’Italia, pritet që të zgjerohet lista e “kokave që do të priten” nga zemërimi i Giorgia Melonit, ndonëse hakmarrja mbase nuk do të jetë e menjëhershme.

Ndërkohë, Lega qëndron disi në hije dhe po reflekton. “Po”-ja fitoi vetëm në tri rajonet e Veriut. Por ajo që po kalon ditët më të vështira është Forza Italia. Marina Berlusconi, “padronia” e vërtetë e partisë, ka nisur një fshirje totale dhe askush nuk e di se ku do të ndalet.

Sytë e të gjithëve janë te ajo, duke pritur lëvizjen e madhe: a do të hyjë zyrtarisht në politikë? Sipas gazetarit të Il Fatto Quotidiano, Fabrizio d’Esposito, kjo nuk do të ndodhë ashtu siç mendohet. Marina po e forcon pushtetin e saj si një “lidere në hije”, për ta kushtëzuar më lirshëm kryeministren Meloni dhe ndoshta për t’i zënë vendin në të ardhmen.

Le ta nisim nga zhvillimet brenda Forza Italia-s. Çfarë duhet të presim në vazhdim?

Ka nisur ai që mund të quhet “revolucioni i sjellshëm”, i kërkuar nga Marina dhe Piersilvio Berlusconi me ndihmën e Gianni Letta-s. Ky i fundit është prej kohësh kundërshtar i Antonio Tajanit.

Edhe pse është e vështirë ta quash Letta-n “kundërshtar” të dikujt, pasi ai është miku i të gjithëve. Sidoqoftë, Quagliariello kishte të drejtë: karizma nuk trashëgohet. Edhe një parti “liberale” ka brenda dinamika të egra pushteti.

Pra?

Dështimi në referendum ndihej në ajër që prej 3 javësh. Kur erdhi goditja, partia thjesht shpërtheu. Ajo ishte ndarë tashmë në dy kampe: blloku “roman” - Tajani, Barelli, Gasparri - dhe “Familja”, e cila nuk ka pasur kurrë ndonjë vlerësim të madh politik për Tajanin.

Prej 2-3 vitesh përflitet hyrja e Marinës në politikë. Çfarë parashikoni ju?

Nëse dikush do ta hedhë këtë hap, ai do të jetë Piersilvio, pasi ka më shumë ambicie. Marina ka një pengesë që shpesh harrohet. Asnjë prej nesh nuk e ka dëgjuar kurrë të mbajë një fjalim publik. Megjithatë, është fakt është që frenat e situatës i ka ajo në dorë dhe po e përdor humbjen për të ndryshuar partinë.

Mungesa e angazhimit të Forza Italia-s në fushatë ishte e dukshme. Cilat janë shifrat reale?

Jam i kujdesshëm me shifrat, sepse analistët japin numra të ndryshëm. Disa flasin për 11 për qind të elektoratit, dhe të tjerë për 18 për qind. Por ka një tjetër fakt: Meloni e humbi “prekjen magjike”, por “Po”-ja mori gjithsesi rreth 12.5 milionë vota, pothuajse aq sa mori e djathta në vitin 2022.

Të kthehemi te Marina Berlusconi, cila duhet të jetë ndjerë e tradhtuar. Letra e saj te “Repubblica” para votimit dukej si një hyrje në skenë prej lidereje...

Më shumë se sa një hyrje në politikë, ishte ndërhyrje si “pronare” e partisë. Qarkullonin zëra se ishte hequr garancia financiare e familjes, por unë nuk e besoj. Në çdo rast, mosbesimi i senatorëve ndaj Gasparrit nuk ka nevojë për shumë komente.

Cili është projekti i vërtetë i Marinës? Çfarë partie kërkon ajo?

“Liberale” do të thotë e njëjta gjë si për Berlusconin dikur: të hysh në politikë për të mbrojtur interesat e biznesit. Të jesh me atë që fiton. Marina duhet të jetë mikeshë me këdo që qeveris. Dhe këtu lind problemi. Spastrimet e saj në parti mund të sabotojnë ligjin e ri elektoral të Melonit. Nëse njerëzit e Marinës (Mulè, Ronzulli etj.) e rrëzojnë këtë ligj, Meloni do të pësonte një tjetër humbje poshtëruese.

Nëse është kështu, çfarë roli do të ketë Marina?

Një udhëheqëse në hije e mazhorancës. Nëse ligji nuk ndryshon, mund të përfundojmë në një barazim që do të favorizonte aleanca të ndryshme nga ato që njohim sot.

A mund të përdorë Marina një “menaxher” të jashtëm si Renzi apo Calenda?

Jo, për momentin nuk e besoj.

Po Francesca Pascale?

Ajo thjesht kërkon vëmendje, është një e vetë-kandiduar.

Alternativa për Tajanin?

Mbase Mulè, që u pëlqye shumë në media duke mbrojtur “Po”-në. Occhiuto u tërhoq. Sidoqoftë, asnjë mekanizëm partiak nuk mund ta ndalojë Marinën.

Të kalojmë te Meloni. Te kush bie faji për këtë dështim të reformës?

Të gjitha gjurmët të çojnë tek Mantovano. Largimi i Delmastro-s dhe Santanchè-s ka krijuar çarje të mëdha, sepse “kumbari” i Santanchè-s është La Russa. Fati i Fratelli d’Italia është se ka Melonin, ashtu si dikur Berlusconi për Forza Italia. Pa emrin e saj, partia nuk vlen shumë.

Meloni po vuan nga mungesa e një klase drejtuese cilësore. Ajo ka qenë shumë mirënjohëse ndaj “klanit” të saj të vjetër (La Russa, Lollobrigida etj.) dhe tani nuk di si të dalë prej tij. Vetëm një person nuk bën pjesë në këtë klan: Crosetto. Problemi është t’i jepet hov qeverisjes që ka mbetur në vendnumëro.

Ç’doni të thoni me këtë?

Nëse Crosetto përfundon nën hetim, çfarë do të ndodhë? Do të qëndrojë apo do të ikë? Ama dimë një gjë: precedentin e ka krijuar vetë kryeministrja, jo prokurorët.

Testi i radhës për Melonin?

Zgjedhjet lokale në Romë vitin e ardhshëm. Por mbase mund të përkojnë edhe me zgjedhjet politike kombëtare./ Pështati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”

 

Lini një Përgjigje