
Vetë Donald Trump gjatë presidencës së tij të parë (por edhe Obama dhe Biden, nuk munguan të shfaqin maninë e tyre me tarifat tregare), ngriti barrierat e tij kundër Kinës. Tani po përpiqet që të luftojë kundër të gjithëve, por historia e ka paralajmëruar...
“Me tarifat e reja, do të shkruhet historia!”- thotë Donald Trump. Në fakt historia thotë atë që edhe Ronald Reagan e pranoi pasi u pendua që vendosi dikur tarifa ndaj Kanadasë dhe Japonisë: “Në fillim, kur dikush propozon të vendosë tarifa për importet e huaja, duket sikur po bën diçka patriotike. Dhe ndonjëherë për një kohë të shkurtër, kjo gjë funksionon”.
Por pastaj gjithçka shkon keq. Napoleoni duhet ta ketë vënë re mallkimin e barrierave doganore, kur vendosi në vitin 1806 një bllokadë tregtare kundër Anglisë. Të gjitha produktet angleze u ndaluan. Por strategjia e tij dështoi, sepse vendet e tjera evropiane u tërhoqën shpejt nga bonapartizmi (ai mendon se është Napoleoni, thonë tani demokratët për Trumpin).
Dhe nëse 2 prilli është e ashtuquajtura Dita e Çlirimit, si mund të mos kujtojmë Festën e Çajit në Boston? Akti themelues i çlirimit ose më saktë i pavarësisë së Amerikës, ishte revolta e vitit 1773 kundër rritjes së kostos së importit të çajit, me fundosjen në portin e Bostonit të qindra arkave nga anijet angleze që i transportonin.
Vetë William McKinley, presidenti amerikan i shekullit XIX-të, i cilësuar si model frymëzues nga Trump, kërkoi kur ishte kongresmen republikan në vitin 1890 një rritje prej 50 për qind të tarifave për të gjitha mallrat e importuara.
Fillimisht propozimi pati një mbështetje të madhe, por më pas ekonomia ra, dhe ai nuk u rizgjodh në Kongres. Por do të hakmerrej në vitin 1896, kur u zgjodh president. Këmbëngulja e tij e re për tarifat nuk i solli lavdinë.
Ndërkohë në vitin 1930, presidenti republikan Herbert Hoove,r miratoi një ligj që rifuste në zbatim tarifat e përgjithshme për të mbrojtur bujqësinë dhe industrinë amerikane. Rezultati? Spanja, Franca dhe shtetet e tjera të kontinentit të vjetër reaguan menjëherë: tregtia midis SHBA-së dhe Evropës, ra me 2/3 brenda 3 viteve.
Depresioni i madh
Sipas disa historianëve, të gjitha ato tarifa reciproke, ndikuan në përkeqësimin e Depresionit të Madh, dhe në Evropë shkaktuan falimentimin e disa bankave dhe
një krizë ekonomike që siç e dimë tashmë favorizoi ngjitjen në pushtet të ideologjive ekstremiste.
Hoover nuk u rizgjodh dhe pasuesi i tij, Roosevelt, nxitoi të nënshkruante midis viteve 1934-1939 traktate të tregtisë së lirë me 19 vende. Sigurisht, këto janë gjëra që Donald Trump i di shumë mirë.
Por po ashtu e di, dhe me sa duket i jep më shumë peshë, faktit që tarifat janë një mesazh për bashkatdhetarët që kanë humbur punën dhe mirëqenien e tyre nga procesi i globalizimit.
Autobiografia e zëvendës/presidentit të SHBA-së Vance, Një Elegji Amerikane, flet pikërisht për të gjithë këta njerëz, sidomos në shtetet e Bregut Lindor të Shteteve të Bashkuara, që votuan për Trumpin dhe presin që ai të ringjallë industrinë kombëtare.
Sa për të marrë një shembull tjetër, dy luftërat tregtare kundër opiumit në mesin e shekullit XIX-të nuk shkuan mirë as për Kinën. Ato u nisën për të ndaluar depërtimin e asaj droge që kërkohej shumë atje, dhe të cilën kompanitë e mëdha tregtare angleze po e fusnin masivisht.
Lufta përfundoi me fitoren e Britanisë së Madhe, e cila i detyroi kinezët të liberalizonin opiumin. Luftërat e ndryshme të tregtisë së bananeve, të nisura nga qeveritë e Amerikës Latine, janë fituar gjithmonë nga Shtetet e Bashkuara.
Ashtu si në Evropë “lufta e derrave”. Ndërmjet viteve 1806-1809, për të ndëshkuar atë komb që ishte shumë autonom brenda Perandorisë Austro-Hungareze, qeveria e Habsburgëve e bllokoi importin e mishit të derrit nga Serbia. Reagimi ishte i ashpër. Beogradi filloi të blinte armë nga Franca dhe jo më nga Austria. Kjo e detyroi Vjenën që të tërhiqej.
Situata sot
Duke u afruar më shumë me kohët e sotme, mund të përmenden shumë luftëra të tjera tregtare. Si ajo midis Brazilit dhe Shteteve të Bashkuara për pambukun, midis Afrikës së Jugut dhe Brazilit për pulat, midis Argjentinës dhe Shteteve të Bashkuara për limonët, e kështu me radhë.
Por asnjëra prej tyre nuk ia vlejti. Vetë Donald Trump gjatë presidencës së tij të parë (por edhe Obama dhe Biden, nuk munguan të shfaqin maninë e tyre me tarifat tregare), ngriti barrierat e tij kundër Kinës. Tani po përpiqet që të luftojë kundër të gjithëve, por historia e ka paralajmëruar./Pamfleti nga “Il Messaggero”
Lini një Përgjigje