Presidenti amerikan, Donald Trump ka folur me gazetarët për tarifat doganore që u ka vendosur shteteve botërore.
Ai thotë se Britania e Madhe është e kënaqur me trajtimin e tarifave, pasi mori tatimet më të ulëta të mundshme prej 10 për qind.
Lideri amerikan gjithashtu tha se do të ishte i hapur të negociojë për tarifat nëse vendet e tjera “ofrojnë diçka fenomenale”.
Një nga këto negociata mund të përfshijnë Kinën, ndaj së cilës Trump aplikoi tarifa prej 34 për qind, shkruan Skynews.
Presidenti amerikan tha se do të merrte në konsideratë një marrëveshje ku Pekini do të miratonte shitjen e TikTok në këmbim të lehtësimit të tarifave.
Ndryshe, SHBA-ja vendosi tarifa të ndryshme për shtete duke përfshirë edhe Kosovën me 10 për qind.
Tregjet e aksioneve në SHBA pësuan një rënie të fortë të enjten pasi presidenti Donald Trump shpalli tarifa të larta për importet, duke shkaktuar frikë për një recesion në SHBA dhe në mbarë botën.
Kur u hapën bursat, grafikët e Wall Street u ngjyrosën me të kuqe. Për çdo aksion që fitonte vlerë, dhjetë të tjerë po binin. Gjigantët teknologjikë si Apple dhe zinxhirët e mëdhenj të shitjeve me pakicë, si Walmart dhe Nike, u prekën rëndë, pasi investitorët u frikësuan nga kostot e rritura për industri të tëra.
Vlera e aksioneve amerikane humbi triliona dollarë, duke goditur drejtpërdrejt edhe kursimet pensionale të qytetarëve të zakonshëm, përfshirë llogaritë e tyre. Ekspertët e tregtisë parashikojnë gjithashtu një rritje të çmimeve për konsumatorët, pasi kompanitë e mëdha do t'i transferojnë kostot shtesë tek blerësit.
Indeksi S&P 500 ra me 3.12 për qind në hapje, Nasdaq humbi 4.16 për qind, ndërsa Dow Jones u ul me 2.63 për qind. S&P po përjeton ditën e tij më të keqe në dy vitet e fundit, ndërsa shpresa mbetet që tregjet të rimëkëmben në ditët dhe javët e ardhshme.
Kompani që varen nga importet pësuan humbjet më të mëdha, pasi do të goditen nga tarifat e reja që arrijnë deri në 54% për mallrat e lira nga Azia. Nike ra me 12 për qind, ndërsa Apple me 8 për qind.
Lini një Përgjigje