TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Gusht 2024, 21:00

Kaosi politik në Francë, Macron rrezikon të ikë para kohe, skenarët si të dilet nga kriza

Shkruar nga Paolo Rossetti

Kaosi politik në Francë, Macron rrezikon të ikë para kohe,

Cilat janë rreziqet që do të shfaqeshin nga politikat e së majtës?

Presidenti francez Emmanuel Macron e ka refuzuar propozimin e të majtës ekstreme për kreun e ri të qeverisë, Lucie Castets, dhe po mendon të krijojë një qeveri të qendrës së majtë. Edhe pse nuk do të jetë aq e lehtë të bashkohen forca kaq shumë të ndryshme (qendra dhe e majta pa partinë France Insoumise të Melenchon) për të bllokuar ngjitjen në pushtet të partisë Tubimi Kombëtar të Marine Le Pen.

Por nëse Macron nuk do të arrijë t’i japë Francës një qeveri, do të jetë vetë i rrezikuar të lërë para kohe postin që mban. Dhe në këtë situatë të ngatërruar, shpjegon Marianna Rocher, një deputete e Tubimit Kombëtar, duhen marrë në konsideratë dy opsione të tjera:referendumi, një instrument që mund të aktivizohet në rastin e një ngërçi apo një ligji i ri zgjedhor proporcional.

Pse u refuzua propozimi i së majtës radikale dhe kandidatura e Castets?

Duke u bashkuar para zgjedhjeve me ekstremin e majtë tejet të rrezikshëm të Jean-Luc Mélenchon, Emmanuel Macron e ka futur veten në një kurth:në vend të një alternimi të shëndetshëm dhe të natyrshëm demokratik të pushtetit, ai ka zgjedhur ta futë gjithë vendin në ngërç dhe të paralizojë institucionet tona.

Në një periudhë afatgjatë kjo situatë është shumë e rrezikshme. Sepse asnjë nga problemet urgjente të francezëve nuk do të trajtohen në mënyrën e duhur:rënia e  fuqisë blerëse, siguria dhe emigracioni (në një kohë kur Franca ka pësuar një tjetër sulm nga radikalët islamikë). Sipas mendimit tim, propozimi i Lucie Castets u refuzua për disa arsye kryesore, dhe veçanërisht për shkak të shqetësimeve në lidhje me politikat ekonomike dhe sociale të mbështetura nga NFP (Fronti i Ri Popullor).

Për çfarë jeni veçanërisht e shqetësuar?

Mendoj se më alarmante janë dy aspekte. E para është rritja e pagës minimale. Edhe pse një masë e tillë është popullore tek disa segmente të popullatës, ajo shihet si e rrezikshme për ekonominë franceze. Një rritje e ndjeshme e pagës minimale, mund të çojë në rritje të kostove për bizneset, veçanërisht për ato të vogla dhe të mesme (SME), të cilat mund të mos jenë në gjendje t’i përballojnë këto kosto shtesë.

Dhe cilat mund të jenë pasojat?

Kjo lëvizje mund të sjellë disa pasoja negative, siç është rritja e papunësisë. Për të kompensuar rritjen e kostos së pagave, kompanitë mund të detyrohen t’i pushojnë punonjësit, apo të mos marrin për një farë kohe punonjës të rinj, duke e shtuar papunësinë. Bizneset mund të përdorin gjithnjë e më shumë delegimin e punëve tek të tretët, shpesh në vendet ku puna është më pak e shtrenjtë.

Dhe kjo do ta dobësonte tregun e punës në Francë. Për më tepër, disa kompani mund t’i zgjedhin të zhvendosin operacionet e tyre jashtë shtetit, ku kostot e punës janë më të ulëta. Kjo dukuri, tashmë një problem në Francë, mund të përshkallëzohet më tej, duke çuar në mbylljen e shumë bizneseve në të gjithë vendin.

Cilat janë rreziqet që do të shfaqeshin nga politikat e së majtës?

Një tjetër pikë e diskutueshme në programin e Frontit Popullor, është adresimi i problemit të zënies së paligjshme të banesave. Castets propozon njohjen e të drejtës për këta të fundit, gjë që përbën një shkelje të rëndë të të drejtave të pronësisë.

Rregullimi në këtë sektor mund të ketë disa pasoja të rëndësishme:inkurajim i pushtimit të paligjshëm të banesave, probleme të shëndetit dhe sigurisë publike, një ngadalësim të investimeve tek pasuritë e paluajtshme, dhe një rënie të vlerës së pronës në terma afatmesëm në mbarë Francën. Tubimi Kombëtar ia ka bërë të qartë presidentit se do të pengojë shumë nisma të një qeverie të formuar nga Frontit Popullor.

Duket se Macron mund të pranojë vetëm një qeveri me forca të qendrës dhe pjesë të së majtës. Por a janë palët e përfshira të hapura ndaj këtij skenari?

Partia e qendrës dhe ato të majta, janë bërë aleate midis tyre,pasi kanë një armik të përbashkët (Tubimin Kombëtar) por ndjekin objektiva të ndryshme. Ndaj përgjigja ime është jo.

Ç’mund të ndodhë tani? Si do të zhvillohen negociatat dhe kush mund të jetë emri i preferuar nga Macron?

Përballë këtij ngërçi demokratik dhe institucional, ka disa zgjidhje. Së pari referendumi, pasi Presidenti i Republikës ka kompetencën të kërkojë drejtpërdrejt mendimin e francezëve. Dhe së dyti miratimi i një sistemi zgjedhor proporcional, që do të zgjidhë mospërputhjet e një sistemi zgjedhor që e pengon të formojë qeverinë partia që ka marrë numrin më të madh të votave në zgjedhje.

Pra, një nga rrugët që duhet ndjekur është reforma zgjedhore?

Kjo reformë duhet të diskutohet me të gjitha grupet parlamentare. Pavarësisht manovrave antidemokratike që synojnë të pengojnë përfaqësimin në qeveri të 11 milionë francezëve, Tubimi Kombëtar del i forcuar nga këto zgjedhje. Një rezultat historik në zgjedhjet evropiane falë mobilizimit të francezëve, një numër rekord votash dhe parti e parë për nga numri i votave në zgjedhjet e fundit parlamentare. Vendosmëria jonë mbetet e paprekur. Tubimi Kombëtar vazhdon të punojë ekskluzivisht për të mirën e Francës dhe francezëve në mbarë botën.

A rrezikon disi edhe Macron në këtë situatë? Pas Asamblesë Kombëtare duhet të ndryshojë edhe presidenti?

Macron rrezikon shumë duke përjashtuar nga qeveria dy blloqet më të mëdha politike, pasi kjo mund të armiqësojë një pjesë të madhe të elektoratit dhe të provokojë një krizë legjitimiteti. Nëse vazhdojnë të përshkallëzohen tensionet politike, dhe qeveria nuk arrin të qeverisë me efektivitet, mund të ketë thirrje për dorëheqje apo zgjedhje të parakohshme presidenciale.

Ditët e fundit Macron është detyruar të merret edhe me çështjen e Pavel Durov, themeluesin e Telegram tashmë i arrestuar. Si e shpjegon presidenti këtë operacion? A ka lidhje ai edhe me luftën në Ukrainë, duke qenë se shumë nga lajmet mbi këtë konflikt përhapen pikërisht nga Telegram?

Unë s’kam shumë të dhëna mbi Durov, ndaj nuk mund të them ndonjë detaj. Por kjo tregon se bota dixhitale është shumë më e pranishme në jetën e të gjithëve, dhe ndikon shumë mbi opinionet, mendimet dhe veprimet e përditshme. Ndaj i duhet kushtuar një vëmendje e madhe, si në nivelin demokratik për të garantuar pluralitetin e informacionit, ashtu edhe atë sociologjik./Përshtati "Pamfleti", nga “Il Sussidiario”

kaos politik macron skenare kriza

Lini një Përgjigje