TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Gusht 2024, 19:25

Sulmi i kufizuar ukrainas brenda Rusisë nuk do ta ndryshojë fatin e luftës, ç’mund të bëjë Perëndimi?!

Shkruar nga Stephen Biddle

Sulmi i kufizuar ukrainas brenda Rusisë nuk do ta ndryshojë fatin e

Përparimet e fundit të forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, tregojnë vështirësinë e ndryshimit të kahjes së luftës. Kievi sulmoi një segment tejet të keq-përgatitur të frontit rus, gjë që i dha mundësi forcave ukrainase të fitonin shpejt terren.

Që kur Rusia e filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurtin 2022, Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Kievit një ndihmë të madhe ushtarake. Por kjo ndihmë ka qenë prej kohësh subjekt i kufizimeve. Disa prej tyre kanë të bëjnë me llojin e pajisjeve të ofruara, si për shembull kufizimet në transferimin e raketave apo avionëve me rreze të gjatë veprimi.

Të tjerat kufizojnë mënyrën se si mund të përdoren armët amerikane. Uashingtoni i ka projektuar shumicën e këtyre kufizimeve për ta reduktuar aftësinë e Ukrainës në goditjen e objektivave shumë prapa frontit rus, nga frika se këto sulme mund të çojnë në përshkallëzimin e konfliktit nga ana e Moskës.

Në fakt, kjo qasje ka qenë e diskutueshme. Zyrtarët ukrainas dhe kritikët jashtë saj, mendojnë se administrata e Biden e zmadhon në mënyrë të paarsyeshme rrezikun e përshkallëzimit, duke ia mohuar në mënyrë të panevojshme Kievit aftësitë ushtarake që i nevojiten aq shumë.

Por përpara se të bëhet një vlerësim, është e rëndësishme analizohet se sa të vlefshme janë për Ukrainën sulmet në thellësi të territorit rus, dhe si do të ndryshonte prognoza e luftës, në rast se Shtetet e Bashkuara do të hiqnin kufizimet e saj dhe Ukraina do të merrte armët e nevojshme. Nga një këndvështrim ngushtësisht ushtarak, kufizimet nuk ndihmojnë asnjëherë.

Dhënia Ukrainës e mjeteve të duhura dhe lejes për të kryer sulme në thellësi të territorit rus, do ta përmirësonte fuqinë e saj luftarake. Por ndryshimi s’ka gjasa të jetë vendimtar. Për ta nxitur atë, Ukraina duhet t’i kombinojë këto sulme me manovra tokësore të koordinuara në një shkallë që forcat e saj nuk kanë qenë në gjendje ta zotërojnë deri më.

Në të kundërt, përfitimet që mund të nxjerrë Ukraina nga aftësia shtesë për goditje më në thellësi të territorit rus, mund të mos jenë të mjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e luftës. Konflikti në Ukrainë është futur në një ngërç të përgjakshëm prej më shumë se një viti. Të dyja palët kanë ndërtuar linja mbrojtëse të gjera, të cilat historikisht kanë rezultuar shumë të vështira për t’u thyer.

Sigurisht, është ende e mundur të pushtohet territor i ri, veçanërisht për rusët që janë numerikisht superiorë, por përparimi është i ngadaltë dhe i kushtueshëm, në jetë ushtarësh dhe armatime. Kievi ka nevojë për shumë më tepër sesa vetëm disa përmirësime modeste në aftësinë e tij për të kapërcyer mbrojtjen ruse dhe për ta kthyer luftën aktuale të llogoreve në një luftë manovrimi, në të cilën terreni mund të fitohet shpejt, me kosto të tolerueshme dhe në një shkallë të gjerë.

Përparimet e fundit të forcave ukrainase në rajonin rus të Kurskut, tregojnë vështirësinë e ndryshimit të kahjes së luftës. Kievi sulmoi një segment tejet të keq-përgatitur të frontit rus, gjë që i dha mundësi forcave ukrainase të fitonin shpejt terren. Por tani që kanë mbërritur rezervat ruse, përparimi ukrainas është ngadalësuar, dhe ngjan e pamundur që Ukraina të bëjë ndonjë përparim të madh.

Pushtimi sado modest i territorit rus, mund ta forcojë pozicionin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve, ta lehtësojë disi presionin rus mbi mbrojtjen e Ukrainës në Donbass, apo ta dobësojë politikisht presidentin rus Vladimir Putin. Por ai nuk ka gjasa të ndryshojë në mënyrë domethënëse tablonë e luftës në tërësi.

Në parim, ka disa mënyra sesi një aftësi më e madhe e goditjes në thellësi nga ana e Ukrainës, mund të ndryshojë rrjedhën e luftës. Kievi duhet të jetë në gjendje të godasë objektiva të largëta logjistike dhe komanduese, baza ajrore ose detare ruse, zonat e grumbullimit të forcave tokësore, fabrikat e armëve apo infrastrukturën mbështetëse, industrinë e energjisë civile ose qendrat e kontrollit politik rus, si Kremlini.

Goditja ose edhe kërcënimi për të goditur objektiva të tilla do të zvogëlonte efikasitetin e sulmeve ruse, do të dobësonte aftësinë e saj mbrojtëse, do ta bënte më pak të qëndrueshëm në një periudhë afatgjatë veprimin ushtarak, si dhe do të rriste kostot e luftës për Putinin dhe udhëheqjen ruse.

Por në horizont ka jo pak sfida. Së pari, sistemet e goditjes në thellësi janë të shtrenjta. Dronët e lirë nuk mund të fluturojnë qindra kilometra për të goditur objektiva të largëta. Kjo aftësi kërkon armë më të mëdha, më të sofistikuara dhe më të kushtueshme. Ndihma e SHBA-së për Ukrainën mbetet ende shumë e kufizuar.

Një flotë prej vetëm 36 avionësh luftarakë amerikanë F-16, do të harxhonte 3 nga 60 miliardë dollarët e akorduara për Ukrainën në paketën më të fundit të ndihmës. Së dyti, kur njëra palë nis të ketë aftësi të reja, pala tjetër është kundërpërgjigjur me shpejtësi duke iu përshtatur.

Kështu, ndonëse armët e shtrenjta si raketa HIMARS apo predhat e artilerisë Excalibur ishin shumë efektive kur trupat ukrainase nisën t’i përdorin, ato e humbën pjesën më të madhe të efikasitetit brenda pak javësh sepse forcat ruse u përshtatën në një kohë të shkurtër.

Së treti, kjo strategji nuk inkurajohet aq shumë nga të dhënat historike. Forcat aleate nisën fushata të mëdha bombardimesh për të shkatërruar qytetet dhe bazat industriale gjermane dhe japoneze në Luftën e Dytë Botërore. Po ashtu, forcat amerikane goditën në mënyrë të përsëritur qytetet dhe infrastrukturën e Koresë së Veriut gjatë Luftës Koreane, por edhe qytetet dhe infrastrukturën e Vietnamit të Veriut gjatë Luftës së Vietnamit.

Dhe këto sulme nuk e thyen kurrë vendosmërinë e vendit të shënjestruar. Bombardimet atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, mund të kenë qenë vendimtare në nxitjen e Japonisë për t’u dorëzuar në 1945-ën, por askush nuk po propozon sot një sulm bërthamor ndaj qyteteve ruse.

Fushatat më të fundit të bombardimeve, sigurisht në një shkallë më të vogël, kanë pasur disi më shumë sukses. SHBA-ja me aleatët e saj kryen operacione të tilla në Irak në vitet 1991 dhe 2003, Serbi në vitin 1999, në Afganistan në vitin 2001 dhe Libi në vitin 2011.

Rusia ka ndërmarrë një fushatë bombardimesh strategjike kundër qyteteve të Ukrainës dhe infrastrukturës energjetike që nga dimri i viteve 2022-2023. Por në asnjë nga këto raste, rezultatet nuk kanë qenë premtuese. Përkundrazi, sulmet e Rusisë ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, e forcuan vullnetin e ukrainasve për të luftuar.

Edhe bombardimet në Afganistan, Irak dhe Libi, nuk arritën të nxisnin lëshime. Dhe u deshën kombinime të sinkronizuara të luftimeve ajrore me ato tokësore për të siguruar përmbushjen e synimeve të Perëndimit. Provat janë të përziera në rastin e Serbisë në vitin 1999.

Udhëheqësi serb Slobodan Milosevic e pranoi shumicën e kërkesave të NATO-s pas një fushate një mujore të bombardimeve të NATO-s, por është e vështirë të ndash efektet e bombardimeve nga vitet e sanksioneve, që i kishin shkaktuar ekonomisë serbe një dëm më të madh sesa.

Pra dekadat e historisë, ofrojnë pak bazë për të besuar se Ukraina mund ta thyejë vullnetin e Rusisë për të luftuar përmes një fushate bombardimesh modeste. Disa analistë, mendojnë se rezultati më i dobishëm i bombardimeve strategjike, është aftësia e tyre për të devijuar përpjekjet ushtarake të armikut nga lufta tokësore në mbrojtjen ajrore, apo aftësia e tij për të shkatërruar prodhimin ushtarak të armikut, duke dobësuar forcat e tij në terren.

Por të bësh njërën nga këto në një shkallë mjaft të gjerë, është një sipërmarrje shumë e madhe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, fuqitë aleate përdorën më shumë se 710.000 fluturime avionësh për të hedhur mbi 2 milionë ton bomba në Gjermani gjatë 3 viteve e gjysmë, teksa prodhimi gjerman i armëve u rrit ende midis janarit 1942 dhe korrikut 1944.

Vetëm gjatë muajve të fundit të luftës, pasi forcat ajrore gjermane ishin shkatërruar në pjesën më të madhe, një fushatë e tillë arriti të paralizonte forcat tokësore gjermane. Edhe duke përdorur të gjithë teknologjinë moderne, asnjë transferim i besueshëm i armëve perëndimore sot, nuk do t'i jepte Ukrainës mundësinë të kryente një fushatë të madhe bombarduese mbi Rusi.

Edhe nëse do të ndodhte disi, Rusia ka qasje në armë dhe pajisje të huaja nga vende si Koreja e Veriut dhe Kina. Sigurisht, kryerja e sulmeve më të gjera në Rusi do ta ndihmonte Ukrainën. Dëmtimi i fabrikave apo i infrastrukturës brenda Rusisë, mund të ndihmojë në rritjen e moralit ukrainas, siç ndodhi me një sulm të vogël ajror të SHBA kundër Tokios në vitin 1942.

Por kjo aftësi nuk do ta transformojë dot situatën ushtarake në terren. Ndaj partnerët e Kievit, duhet të pyesin tani veten nëse përfitimet modeste ushtarake, ia vlejnë rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.

Shënim: Stephen Biddle, profesor i Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin e Kolumbias, SHBA. Ai është autor i librit “Fuqia ushtarake: Shpjegimi i fitores dhe humbjes në luftërat moderne”./ Përshtati "Pamfleti", Marrë nga “Foreign Affairs”

Lini një Përgjigje