
Trump u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë të fortë dhe të guximshëm...
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka reaguar mbi atë që po ndodh pas vendosjes së tarifave. Bursa e SHBA-së është tronditur, por presidenti amerikan nuk ka ndërmend të bëjë asnjë hap pas.
Përmes një postimi në rrjetin "Truth Social", Trump u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të qëndrojnë të fortë dhe të guximshëm, duke mos u dorëzuar ndaj pasojave të politikave të tij ekonomike.
“Shtetet e Bashkuara kanë një shans për të bërë diçka që duhet të ishte bërë dekada më parë. Mos jini të dobët! Mos jini budallenj! Qëndroni të fortë, të guximshëm dhe të durueshëm, dhe madhështia do të jetë rezultati!”, shkroi ai.
Ndërkohë, në një deklaratë për mediat më herët, Trump insistoi se nuk kishte pasur qëllim të nxiste rënien e tregjeve financiare, por riafirmoi angazhimin e tij për të eliminuar deficitin tregtar të Shteteve të Bashkuara.
“Ne kemi një trilion dollarë deficit tregtar me Kinën, qindra miliarda dollarë që i humbasim çdo vit. Pa u zgjidhur kjo, nuk do të ketë asnjë marrëveshje”, tha Trump.
Presidenti amerikan theksoi se SHBA-të, të cilat ai i quajti “të abuzuara prej kohësh”, mbledhin miliarda dollarë çdo javë nga tarifat e vendosura tashmë ndaj vendeve që ai akuzon se përfitojnë prej tyre.
Trump sulmoi veçanërisht Kinën, duke e quajtur atë “shfrytëzuesin më të madh nga të gjithë”, duke thënë se tregjet e saj po “kolapsoheshin”, ndërsa kritikoi vendimin e saj për të rritur tarifat e veta me 34% – një rritje që ai tha se ishte në krye të “tarifave tashmë qesharake të larta” që ajo ka vendosur prej vitesh.
Ai u ankua gjithashtu se Pekini kishte injoruar paralajmërimet e tij për të mos u hakmarrë, duke vënë në dukje se “ata kanë fituar shumë gjatë dekadave, duke përfituar nga Amerika e vjetër e mirë”.
Lini një Përgjigje