
Disa organizata ndërkombëtare humanitare që veprojnë në territoret palestineze, përfshirë organizatën “Mjekë pa Kufij” (MSF), rrezikojnë të ndalojnë aktivitetin e tyre duke filluar nga fillimi i vitit të ardhshëm. Lajmi u bë i ditur sot nga Ministria e Jashtme e Izraelit, e cila njoftoi se qeveria ka ndërmarrë hapa ligjorë për revokimin e licencave të këtyre organizatave.
Sipas autoriteteve izraelite, licencat do të hiqen nga 1 janari, me arsyetimin e mungesës së regjistrimit të rregullt dhe dyshimeve për përfshirjen e disa punonjësve në aktivitete terroriste. Ministria e Çështjeve të Diasporës bëri të ditur se deri tani 37 organizata janë prekur nga ky vendim. Ato janë njoftuar se duhet të ndërpresin aktivitetet e tyre deri më 1 mars, të paktën përkohësisht.
“Mjekë pa Kufij” paralajmëroi javën e kaluar se kërkesat e reja të regjistrimit të vendosura nga Izraeli mund të kenë pasoja të rënda humanitare. Sipas organizatës, këto masa rrezikojnë të lënë qindra mijëra banorë të Rripit të Gazës pa kujdes mjekësor jetik deri në vitin 2026. MSF i bëri thirrje autoriteteve izraelite që të sigurojnë që organizatat ndërkombëtare joqeveritare të mund të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë të paanshme dhe të pavarur në Gaza.
Sipas gazetës izraelite “Yedioth Ahronoth”, disa nga organizatat humanitare kanë refuzuar kërkesën e autoriteteve izraelite për të dorëzuar lista të plota të punonjësve palestinezë për qëllime të kontrolleve të sigurisë.
Nga ana tjetër, Izraeli ka akuzuar konkretisht MSF-në për përfshirjen e disa punonjësve të saj në aktivitete terroriste. Sipas autoriteteve izraelite, në qershor 2024 një anëtar i grupit militant Xhihadi Islamik, i cili punonte për organizatën, u vra, ndërsa në shtator u bë e ditur se një punonjës tjetër kishte shërbyer si snajperist për milicinë palestineze Hamas.
Lini një Përgjigje