TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Dhjetor 2025, 18:55

Mes Lindjes dhe Detit të Kuq, sfida globale e Turqisë me Izraelin dhe Emiratet!

Shkruar nga Pamfleti
Mes Lindjes dhe Detit të Kuq, sfida globale e Turqisë me Izraelin dhe
Benjamin Netanyahu dhe Erdogan

Lufta e ftohtë e re në Juglindje: Tensionet mes Turqisë dhe boshtit Tel Aviv–Abu Dabi ndajnë hartën gjeopolitike nga Levanti në Afrikë

Një rrjetë delikate po shpaloset mbi hartën gjeopolitike që përfshin Lindjen e Mesme, Gadishullin Arabik, Detin e Kuq dhe Afrikën Lindore.

Në qendër të kësaj loje të re strategjike shfaqet një rivalitet i qartë mes Turqisë dhe boshtit të ri të konsoliduar Izrael–Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ambiciet gjeostrategjike të Ankarasë përplasen gjithnjë e më hapur me projektimin rajonal të Tel Avivit dhe me fuqizimin politik e ushtarak të Abu Dabit. Në këtë kontekst, përpjekja për të kufizuar ndikimin turk është bërë një objektiv i përbashkët, që njëkohësisht synon të mbajë nën kontroll edhe rrjetet e influencës së Katarit dhe, në plan më afatgjatë, edhe të vetë Arabisë Saudite.

2025, viti kur rivaliteti u bë sistemik

Viti 2025 shënoi daljen në pah të kësaj përplasjeje gjeopolitike, që nuk është më episodike, por strukturore dhe sistemike. Në horizontin e 2026-ës, pritet një konsolidim i këtij trendi, me qendra të përplasjes që përfshijnë territore me rëndësi kritike për lidhjet tregtare, infrastrukturën energjetike, sigurinë kombëtare dhe aksesin në korridore gjeostrategjike ndërkontinentale.

Turqia kërkon të zgjerojë ndikimin e saj duke forcuar kontrollin në Sirinë pas-Asad, tashmë nën ndikimin e qeverisë së Ahmad al-Sharaa. Përplasja me Izraelin është e drejtpërdrejtë në frontin sirian dhe e tërthortë në zonën detare, ku Qiproja mbetet një pikë tensioni: pjesa veriore, nën kontrollin e Ankarasë, sfidon pjesën jugore të njohur ndërkombëtarisht, e cila po forcon aleancat me Greqinë dhe Izraelin për t’u mbrojtur nga asertiviteti turk.

Korniza e gjerë: Afrika dhe Gjiri

Izraeli, nga ana e tij, ka hapur një front të ri në Somaliland, në Zemër të Bririt të Afrikës, një rajon ku Turqia prej kohësh është përballur me ndikimin e Emirateve në Somali. Emiratet, ndonëse e kanë dënuar njohjen izraelite të pavarësisë së Somalilandit, prej vitesh zhvillojnë marrëdhënie të afërta me qeverinë e Hargeisës, ndërkohë që mbështesin fuqishëm lëvizjen separatiste STC në Yemen, në përplasje të hapur me interesat saudite dhe ato turke në mbajtjen e një ekuilibri ndaj Iranit.

Në Sudan, përplasja është edhe më e drejtpërdrejtë. Turqia mbështet regjimin ushtarak të Abdel Fattah al-Burhan, ndërsa Emiratet financojnë dhe armatosin rebelët e RSF-së, një luftë përfaqësimi që ka gjeneruar pasoja të rënda humanitare dhe etnike në Darfur.

Mosmarrëveshje, por jo prishje

Pavarësisht përplasjes në shumë fronte, nuk kemi ende një përplasje totale. Turqia dhe Emiratet kanë tentuar ta ndajnë konkurrencën gjeopolitike nga marrëdhëniet bilaterale, duke ruajtur komunikimin ekonomik dhe diplomatik. Ndërkohë, aks Tel Aviv–Abu Dabi, i konsoliduar pas Marrëveshjeve të Abrahamit (2020), ka pasur përplasje për çështjen palestineze. Rivaliteti i nxehtë turko-izraelit, megjithatë, balancohet pjesërisht nga aleanca e përbashkët me SHBA dhe ndikimi indirekt i Azerbajxhanit, një aktor që herë shërben si urë komunikimi, herë si fuçi baruti.

Mesazhe simbolike në prag të një loje të madhe

Nuk është rastësi që udhëheqësit e Sudanit dhe Somalisë vizituan këtë vit presidentin Erdogan, duke dhënë një mesazh simbolik ndaj Emirateve dhe Izraelit në mbështetje të integritetit territorial të aleatëve të Ankarasë, integritet që vetë Turqia nuk e njeh për Qipron. Ndërkohë, presidenti qipriot dhe kryeministri grek vizituan së fundmi Jeruzalemin për të forcuar bashkëpunimin energjetik (EastMed) dhe atë ushtarak me Izraelin, ndërsa më 14 dhjetor edhe lideri i Emirateve vizitoi Nikozinë.

Këto janë lëvizje dhe kundër-lëvizje në një loje të madhe shahu, ku përplasjet janë rajonale, por qëllimet globale. Në qendër të betejës është pyetja: a do të triumfojnë rrjetet e lidhjes trans-mesdhetare të sponsorizuara nga Turqia, apo projekti Indo-Mesdhetar (IMEC) i shtyrë nga Izraeli dhe Emiratet?

Vendoset kështu se kush do të ketë kontrollin e hyrjes në Detin e Kuq, pika e qarkullimit strategjik për tregtinë globale, dhe aksesin në Afrikën, si kufiri i ri gjeopolitik dhe ekonomik i botës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

 

benjamin netanyahu sfida globale erdogan

Lini një Përgjigje