Irani është një tigër letre. Nuk është aq i fortë sa mund ta mendoni. Ai ka krijuar disa milici arabe shiite që luftojnë në emër të tij, dhe që synojnë të krijojnë probleme sigurie në rajon. Megjithatë, Irani distancohet publikisht prej tyre, dhe thotë se është një mbështetës i paqes dhe stabilitetit në rajon...

Konflikti midis Izraelit dhe Hezbollahut, ka kaluar ditët e fundit në një luftë thuajse totale. Pas sulmeve të fundit ajrore izraelite në Bejrut, të cilat shkaktuan vdekjen e kreut të njësisë raketore të Hezbollahut, Ibrahim Qubaisi, milicia libaneze e lidhur me Iranin u kundërpërgjigj me një raketë me rreze të gjatë veprimi, që synonte të godiste Tel Avivin.
Ishte sulmi i parë që nga 7 tetori ndaj këtij qyteti. Raketa që u kap menjëherë sistemi mbrojtës izraelit, ishte drejtuar tek zona civile e qytetit. Edhe pse vetë Hezbollahu pretendon se vuri në shënjestër selinë e shërbimit sekret Mossad. Ndërkohë Izraeli vazhdon sulmet në Libanin Jugor.
Ditët e fundit numri i të vdekurve ishte mbi 600, ndërsa mijëra të tjerë janë plagosur.
Shteti hebre duket gjithnjë e më shumë pranë një sulmi tokësor në Liban. Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant, u takua së fundmi me ushtarë që po stërviten për një skenar të tillë. Ne intervistuam mbi këtë situatë Hilal Khashan, politolog në Universitetin Amerikan të Bejrutit, autor i librit “Hezbollahu: Një mision drejt askundit”, për të kuptuar më shumë mbi evolucionin e mundshëm të konfliktit.
Profesor, çfarë sinjali donte t'i dërgonte Hezbollahu Izraelit duke lëshuar një raketë të madhe drejt Tel Avivit?
Unë nuk mendoj se Hezbollahu donte të dërgonte ndonjë sinjal. Milicia lëshoi një raketë të vetme drejt Tel Avivot, e cila u neutralizua pa probleme nga izraelitët. Madje u shkatërrua edhe lëshuesi. Pas këtij rasti është më se e qartë se aftësia e Hezbollahut për të lëshuar raketa, është komprometuar ndjeshëm nga sulmet e mëdha ajrore izraelite në ditët e fundit.
Para fillimit të luftës, besohej se Hezbollahu ishte në gjendje të lëshonte deri 3000 raketa në ditë. Tani, për shkak të bombardimeve izraelite, kjo milici nuk është në gjendje të lëshojë më shumë se 10 për qind të kësaj shifre, pra 300 raketa në ditë.
Pra, nuk parashikoni një përgjigje të mëtejshme nga pala izraelite?
Izraelit nuk i mungon motivimi për të sulmuar Hezbollahun. A ka sulmuar tashmë të gjitha pozicionet e tij në periferitë jugore. Situata do të ishte ndryshe, nëse Hezbollahu do të ishte në gjendje të lëshonte 50 raketa drejt Tel Avivit.
A tregon reagimi i kufizuar i Hezbollahut epërsinë aktuale të Izraelit, sa i përket kapacitetit ushtarak?
Nuk është vetëm një përgjigje e kufizuar, por shumë më tepër. Hezbollahu ka thënë se në rastin e një lufte të gjerë, Izraeli parashikonte vdekjen e të paktën 1000 izraelitëve nga raketat e milicisë libaneze. Për momentin asnjë izraelit nuk është vrarë. Dhe kjo do të thotë se izraelitët kanë marrë masa paraprake të rëndësishme, për të kapur në kohë të gjitha raketat e Hezbollahut, dhe për të shkatërruar depot e armëve të milicisë. Duket se Izraeli ka arritur të eliminojë një pjesë të konsiderueshme të arsenalit ushtarak të Hezbollahut.
Izraeli po i përshkallëzon sulmet e tij për ta detyruar Hezbollahun të arrijë një marrëveshje. Cilat janë tani qëllimet e Hezbollahut?
Hezbollahu nuk mund të tërhiqet nga Libani i Jugut, pasi kjo lëvizje do të ishte e barabartë me një dënim me vdekje për të, sepse e përkufizon veten si një lëvizje rezistence. Prandaj unë besoj se nuk do të funksionojë fushata e fundit ushtarake e Izraelit për ta bindur Hezbollahun të tërhiqet. Problemi është se nëse nuk tërhiqet Hezbollahu, rritet shumë mundësia për një ofensivë tokësore të Izraelit për ta dëbuar milicinë nga Libani Jugor. Irani po përpiqet të arrijë një marrëveshje të negociuar për ta zgjidhur këtë çështje.
Pra Irani është ende i gatshëm të kërkojë një zgjidhje, për të shmangur një luftë në shkallë të plotë?
Presidenti iranian Pezeshkian, e ka bërë të qartë se është i gatshëm të rifillojë bisedimet mbi programin bërthamor të vendit të tij. E dini se cila ishte pengesa kryesore në bisedimet indirekte në Vjenë mes SHBA-së dhe Iranit, të nisura në vitin 2021? Nuk ishte programi bërthamor ushtarak i Iranit, siç e besojnë shumica e njerëzve.
Irani nuk është i interesuar të ndërtojë një armë bërthamore. Ata që sabotuan bisedimet ishin përfaqësuesit rajonalë të Iranit, dhe ndër ta më i rëndësishëm është Hezbollahu. Nëse Irani dëshiron të rifillojë bisedimet mbi programin e tij bërthamor, kjo do të thotë se dëshiron që të gjejë një zgjidhje mbi çështjen e Hezbollahut.
Milicia është një dilemë e vërtetë për Iranin, dhe Teherani duhet të gjejë një mekanizëm për të shpëtuar fytyrën dhe për t’u tërhequr nga jugu i Libanit. Do të duhet shumë kohë përpara se të arrihet një marrëveshje e negociuar. Ndërkohë Izraeli duket shumë i vendosur për ta goditur Hezbollahun.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar gjithashtu se Hezbollahu “nuk mund të luftojë më vetëm kundër Izraelit dhe aleatëve të Izraelit”...
Irani është një tigër letre. Nuk është aq i fortë sa mund ta mendoni. Ai ka krijuar disa milici arabe shiite që luftojnë në emër të tij, dhe që synojnë të krijojnë probleme sigurie në rajon. Megjithatë, Irani distancohet publikisht prej tyre, dhe thotë se është një mbështetës i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Më bëri shumë përshtypje deklaratat e fundit e presidentit iranian Pezeshkian. Ai tha se “çdokush në rajon ka të drejtë të jetojë në paqe”. Kjo frazë, është një njohje indirekte e shtetit të Izraelit. Irani dëshiron që taktikat e tij indirekte të përkeqësojnë situatën në rajon, që më pas të shfaqet si një paqe-bërës dhe mbështetës kryesor i paqes dhe stabilitetit. Irani nuk do ta luftojë kurrë ndaj Izraelit. E them këtë me një siguri të madhe.
Dhe a nuk do të angazhojë Teherani milici të tjera aleate për ta ndihmuar Hezbollahun?
Po, herë pas here milicitë irakiane lëshojnë ndonjë dron drejt Izraelit, dhe izraelitët e neutralizojnë atë që përpara se të mbërrijë në hapësirën e tyre ajrore, apo sapo të hyjë në të. Ndaj këto sulme me dron janë të pakuptimta dhe të padobishme.
A do të nisë Izraeli një operacion të madh tokësor në Liban?
Mendoj se jo. Izraeli nuk ka interes të pushtojë Libanin. Ai dëshiron të sigurohet që Libani të mos shndërrohet në një trampolinë veprimi kundër shtetit hebre. Politika e Izraelit për Libanin, ndryshon shumë nga ajo ndaj Bregut Perëndimor. Izraeli nuk ka ambicie territoriale në Liban. Ndaj them se sulmi do të kufizohet në zonën jugore të Libanit.
A shihni shpresë për të kaluar tek diplomacia? Në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Joe Biden bëri sërish thirrje për një marrëveshje armëpushimi në Gaza, duke thënë se është ende e mundur një zgjidhje diplomatike e konfliktit midis Izraelit dhe Hezbollahut...
Jam i sigurt se në fund do të ketë një zgjidhje diplomatike. Çdo luftë përfundon me një marrëveshje politike. Por aktualisht Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të ushtrojnë presion mbi Izraelin. Zgjedhjet në SHBA mbahen pas disa javësh. Administrata Biden është e çalë, dhe nuk është në gjendje të bëjë asgjë.
Ajo qëndron e heshtur dhe bën deklarata që promovojnë paqen. Por në terren ajo s’mund ta detyrojë Izraelin që të ndalojë sulmet. Do të ketë marrëveshje kur izraelitët t’i kenë arritur synimet e tyre. Dhe unë mendoj se në fund, Hezbollahu do të detyrohet të braktisë përfundimisht Libanin Jugor./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje