TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shkurt 2025, 14:04

I izoluar dhe pa asnjë ndikim, Macron mund të dorëhiqet brenda këtij muaji

Shkruar nga Adam Sage & Aulnoye-Aymeries

 

I izoluar dhe pa asnjë ndikim, Macron mund të dorëhiqet brenda
Emmanuel Macron

 

Shumica e analistëve thonë se gabimi i tij më i madh ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare verën e vitit të kaluar.

Ministrat e presidentit Macron duhet të duronin jo rrallë net plot shqetësime. Krye-shtetari i pagjumë do t’i bombardonte me mesazhe që në orët e para të mëngjesit, duke iu kërkuar shpjegime për pikat më të forta të projekteve të tyre.

Ndaj kërkohej që ata t’i mbanin telefonat ndezur në çdo kohë dhe të përgjigjeshin pa vonesë. Nga ana tjetër, thuhet se kabineti i ri francez e bën gjumin shumë mirë. Macron ka pak kontakte me shumicën e anëtarëve të tij jashtë kontakteve zyrtare, siç është mbledhja javore e kabinetit, si dhe një ndikim të kufizuar mbi vendimet kryesore të politikës së brendshme.

Sipas njerëzve pranë kabinetit, tani kur është ende zgjuar në orën 2 të mëngjesit, ai mendohet dy herë përpara se t’i dërgojë mesazh një ministri. “Tani ai duhet të jetë shumë i mërzitur kur zgjohet natën”, thotë François-Xavier Bourmaud, korrespondent politik në gazetën L’Opinion.

Macron, 47 vjeç, ishte dikur një forcë dominuese në skenën evropiane. Ndërkohë sot është shndërruar në një figurë anemike, gjithnjë e më të pafuqishme dhe të izoluar në Francë, dhe kjo 2 vjet përpara përfundimit të mandatit të tij të dytë dhe të fundit.

“Një dëshmi e impotencës së tij politike, ishte mënyra se si e përshkroi një punonjës i zyrës së shtypit në Elysée. “A është sot pak më shumë se një spektator. Nuk e di vërtet se çfarë duhet të bëjë më!”, theksoi burimi.

Vlerësimi ndaj Macron në sondazhe ka rënë në vetëm 21 për qind, sipas një sondazhi më të fundit të Institutit Ipsos në janar. Një sërë ndihmësish të lartë janë larguar nga Elysée javët e fundit. François Bayrou, 73 vjeç, kryeministri i tij i fundit - dhe i katërti që nga fillimi i vitit 2024 - duket se e sheh atë si një gur mulliri, që në rastin më të mirë mund të hiqet dhe lihet në një cep.

Kundërshtari i tij kryesor, Tubimi Kombëtar, të cilin ai u zotua ta shkatërronte politikisht, nuk ka qenë kurrë më i fortë sesa sot. Është pak a shumë e njëjta histori në Bruksel, ku Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, ka marrë përsipër të mënjanojë Macron.

Për shembull, duke shkarkuar në shtator 2024 komisionerin francez, dhe duke injoruar protestën e Parisit kundër një marrëveshje tregtare që u firmos në dhjetor me Amerikën e Jugut. “Autoriteti politik dhe aftësia e Macron për të udhëhequr janë shumë të dobëta”- thotë Olivier Rouquan, lektor në Qendrën e Studimit dhe Kërkimit të Shkencave Politike dhe Administrative në Paris.

Bruno Cautrès, studiues në institutin e studimeve politike Sciences Po, bie dakord me të, duke thënë: ”Ai e ka humbur ndikimin mbi shumë vendime në Evropë, në skenën ndërkombëtare dhe në Francë”. Cautrès thekson se Macron po e merr Francën me vete në këtë vithisje, teksa tani vendi po përballet me një “periudhë të vërtetë dobësie”. Situata ishte shumë ndryshe, kur centristi u zgjodh në vitin 2017 si kreu më i ri Francës që nga koha e Napoleonit. Establishmenti parizien e përshëndeti atë si një hero përparimtar, i cili do të shpëtonte jo vetëm Francën, por të gjithë Evropën nga forcat populiste.

Ai premtoi një presidencë “Jupiteriane”, dhe për njëfarë kohe, u duk sikur po funksiononte. Sindikatat francze nuk ishin në gjendje ta ndalnin axhendën e tij reformiste miqësore ndaj biznesit gjatë fazave fillestare të mandatit të tij të parë. Ndërsa në BE, ai shihej si një kampion i federalizmit. Sot askush nuk e krahason Macronin me Jupiterin. “Në terma konkretë, ai nuk ka më shumë kompetenca”- mendon Bourmaud. Mandati i tij i dytë 5-vjeçar, që filloi kur mposhti Marine Le Pen, udhëheqësen populiste të Tubimit Kombëtar, në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, kishte të ngjarë të ishte në çdo rast i vështirë.

Ai ishte presidenti i parë që u rizgjodh, që kur një ndryshim kushtetues i ndaloi zyrtarët në detyrë të shërbenin për një mandat të tretë, dhe i pari që u përball me zbehjen e pashmangshme të autoritetit që vjen me një datë të paracaktuar të largimit.

Por ai i thelloi vështirësitë e tij, duke gabuar pikërisht në fushën ku supozohej të ishte më i kualifikuar: menaxhimin e ekonomisë. Kur kishte ende në duar levat e pushtetit, lejoi që deficiti publik të rritet frikshëm, duke arritur në 6.1 për qind të PBB-së.

Kjo shifër ishte një njollë në reputacionin e ish-bankierit tregtar, dikur i shpallur nga mbështetësit e tij si “Mozarti i financave” që do të modernizonte dhe reformonte Francën. “Sot, një sërë faktorësh e privojnë atë nga aftësia për të mishëruar modernitetin dhe reformat”, shprehet Rouquan.

Gjithsesi, shumica e analistëve thonë se gabimi i tij më i madh ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare verën e vitit të kaluar. Ato nuk i priste askush, dhe e kanë lënë vendin në kaos politik. Asambleja Kombëtare është e paralizuar, pa asnjë parti që ka shumicën dhe me një kryeministër që nuk është i sigurt se do të qëndrojë më shumë se sa disa javë në detyrë.

Ish-negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, u emërua në shtator 2024 për të udhëhequr një qeveri të qendrës së djathtë. Por u rrëzua gjatë një votëbesimi në dhjetor. Ai u zëvendësua nga centristi Bayrou, 73 vjeç, qw përfitoi nga dobësia e Macron për t’iu imponuar.

E kërcënoi se do të rrëzonte kampin e Macron nëse nuk e merrte këtë post. Presidenti, që donte të emëronte në krye ministrin e mbrojtjes Sébastien Lecornu, kapitulloi dhe emëroi Bayrou në vend të tij. Tani ky i fundit e ka mënjanuar Macron nga negociatat mbi buxhetin.

Megjithatë, vetë kryeministri i ri ka të ngjarë të përballet me një votëbesim javën e ardhshme. Rezultati është i pasigurt dhe ai mund të bjerë. Nëse ndodh kjo, Macron do të vihet nën presion të madh për t’i dhënë fund ngërçit duke dhënë vetë dorëheqjen.

Presidenti thotë se nuk ka dyshim se do të largohet para vitit 2027, dhe ai ka nisur atë që këshilltarët e tij po e përshkruajnë si një përpjekje për të krijuar një “lidhje të drejtpërdrejtë” me popullin francez. Deri tani, gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë.

Për shembull, Macron nuk iu përgjigj një ndikuesi në Tik-Tok, që u ankua se nuk mund të përdorte Apple Pay për pagimin e tarifave të kalimit në autostradë. Presidenti pranoi se ishte një problem, por nuk e vuri re që ndikuesi ishte një radikal islamik që e kishte fyer në të kaluarën.

Plani për të rindërtuar lidhjet me votuesit, do të përfshijë gjithashtu shpalljen e një referendumi këtë pranverë, thonë ndihmësit e Macron. Por askush nuk duket se e di se çfarë do të jetë. Këtë javë, ai bëri vizitën e tij të parë zyrtare në provincat franceze që nga shtatori 2024.

Shkoi në një pjesë të varfër të Francës Verilindore, e cila ka një normë papunësie prej 12.2 për qind, së bashku me nivele alarmante të larta të dhunës në familje. Në Maubeuge, vizitoi një fabrikë në pronësi të Framatome, grupi bërthamor francez.

Në Aulnoye-Aymeries aty pranë, mbajti një fjalim në një qendër kulturore të ndërtuar me fonde nga një investim total prej rreth 500 milionë eurosh në zonë.

Ngjarja u cilësua si një ripërtëritje e kontaktit me Francën provinciale, pro të vetmit njerëz që takoi ishin stafi i Framatome dhe kryetarët e bashkive, këshilltarët dhe zyrtarët në Aulnoye-Aymeries. Nuk kishte as edhe një turmë të vogël njerëzish, si ato dilnin dikur për të protestuar sa herë që ai largohej nga Parisi.

Në një natë me shi jashtë qendrës kulturore, qëndronin 2 protestues, një burrë i veshur tërësisht me të verdha, dhe një grua që denonconte mungesën e mundësive lokale të punësimit. Edhe gazetarët francezë të pranishëm dukeshin të neveritur.

“Shpresoj që ai të përfundojë në kohë, që të shohim ndeshjet e Ligës së Kampionëve”, tha një korrespondent politik që kishte udhëtuar nga Parisi. Ai e mbylli mbrëmjen i nervozuar. Në momentin që Macron ishte larguar, kishin nisur pjesët e dyta të ndeshjeve./ Përshtati "Pamfleti" nga “Sunday Times”

Lini një Përgjigje