TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shkurt 2025, 11:29

“Përça dhe sundo”: Ekuilibrat e rinj gjeopolitikë që po sjell SHBA-ja e Donald Trump

Shkruar nga Marta Dassu

“Përça dhe sundo”: Ekuilibrat e rinj gjeopolitikë

Presidenti i ri amerikan, e refuzon hapur barrën e rendit të vjetër liberal dhe në një farë kuptimi, perandoria bëhet sërish republikë.

Zgjedhja e Donald Trumpit, konfirmoi rregullin e artë të vitit zgjedhor: për ata që janë tashmë në pushtet, është gjithnjë e më e vështirë që të ruajnë mbështetjen. Popullsia dëshiron ndryshim, dhe kjo është veçanërisht e dukshme në Shtetet e Bashkuara, ku rritja e kostos së jetesës ka qenë në favorin e Trump.

Në një sistem zgjedhor ku fituesi i merr të gjitha, mandati i dytë i Donald Trump - falë fitores së votës popullore dhe kontrollit si të Senatit ashtu edhe Kongresit - duket më i qëndrueshëm se në vitin 2016. Megjithatë, mbetet të shihet, duke filluar nga zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026, se për sa kohë presidenca e tij do t’i përmbushë pritshmëritë?

Koalicioni i Trump bazohet tek një aleancë e paprecedentë - ose ndoshta një “martesë komoditeti” - midis kapitalizmit të ri teknologjik dhe politikës, e përfaqësuar simbolikisht nga roli i Elon Musk. Por është e paqartë se sa do të zgjasë ky koalicion.

Kësaj aleance i bashkohet një pjesë e Silicon Valley, e cila në vitin 2016 kishte qenë shumë më e kujdesshme. Një pjesë janë të joshur nga ulja e taksave. Pastaj është elita e vjetër financiare, e lidhur me naftën dhe gazin argjilor, dominuese në sektorin e energjisë; dhe një pjesë e prodhuesve të vjetër, që shpresojnë tek ri-industrializimi i bazuar në kushte të favorshme dhe jo subvencione shtetërore.

Në bazë, Trump ka arritur që ketë përkrahjen e klasës punëtore të paprivilegjuar, jo vetëm të bardhëve, por e ka rritur mbështetjen tek pakicat, në veçanti të hispanikëve. Është një koalicion transversal dhe horizontal. Niveli arsimor është “ndarja” e re reale politike.

Dhe kjo i jep fund tezës se demokratët kanë shumicën demografike të nevojshme. Por nuk ka ndryshuar vetëm pushteti, por edhe mënyra e ushtrimit të tij. Synimi i qartë i Trump, është të zgjerojë fuqinë e presidencës, duke reduktuar në mënyrë drastike peshën e qeverisë federale (nëpërmjet shkurtimeve të shpenzimeve, që i është besuar Departamentit të ri të Efiçencës Qeveritare të drejtuar nga Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy).

Prandaj do të kemi, të paktën bazuar tek synimet fillestare, një hiper-presidencë të fortë, një pushtet legjislativ të dobët dhe një autonomi të madhe për secilin nga 50 shtetet. Kjo nuk është “qeveri e vogël” e stilit të Reagan.

Jemi përballë një vizioni thuajse konfederal, por të korrigjuar nga rritja e peshës së presidencës. Ndërsa po afrohet një përplasje e qëllimshme me Deep State, veçanërisht në Pentagon, Inteligjencën Kombëtare dhe Departamentin e Drejtësisë.

Pyetja e vërtetë është: deri në çfarë mase institucionet (Senati, që dëshiron të ruajë kompetencën e tij për të rishikuar emërimet; FED, ku Jay Powell do të qëndrojë në detyrë deri në maj 2026) do të luajnë një rol balancues?

Së bashku edhe me atë pjesë të botës ekonomike, që i frikësohet proteksionizmit të madh tregtar të Amerikës. Në çdo rast, pritet një shkallë e fortë tensionesh të brendshme. Amerika do të jetë ende e ndarë. Por le të kalojmë në skenën ndërkombëtare.

Trump duket të jetë një simptomë, dhe jo shkak i një ndryshimi të paradigmës. Është e vërtetë që tregtia ndërkombëtare ka mbetur e njëjtë në shifra, falë edhe rolit të të ashtuquajturave shtete lidhëse (Vietnam, Meksikë). Por fakt është që taksat dhe tarifat janë rritur prej vitesh.

Amerika e Trump e bën edhe më të qartë këtë trajektore, e cila lidhet në fushën gjeopolitike me konkurrencën midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, të luajtur mbi të gjitha në aspektin e dominimit teknologjik. Presidenti i ri amerikan, e refuzon hapur barrën e rendit të vjetër liberal, dhe në një farë kuptimi, perandoria bëhet sërish republikë.

Për këtë, ai njofton vendosjen e një morie tarifash, kundër Kinës në veçanti, por mbi importet në përgjithësi. Ne do të shohim se si dhe në çfarë mase do të zbatohen ato. Megjithatë kjo qasje, do të ketë ende pasoja për Evropën, e cila është shumë më e varur nga tregtia globale sesa Shtetet e Bashkuara.

Dhe përballë sfidës teknologjike në të gjithë Paqësorin, rrezikon të jetë një humbëse e mundshme. Në politikën e jashtme, Trump gjykon se Amerika është në gjendje të ushtrojë një fuqi dominuese përmes fuqisë së saj të madhe në energji, ushtri dhe teknologji.

Ajo s’do të ketë nevojë të ushtrojë forcë të drejtpërdrejtë, me ndërhyrje ushtarake jashtë vendit. Por do ta bëjë atë të vlefshme (sipas teorisë së “paqes përmes forcës”). Dhe do ta arrijë përmes kërcënimit se do të “tërhiqet” nga marrëveshjet ndërkombëtare (dalja e njoftua nga Marrëveshja e Parisit për klimën, kriza e OBT-së).

Në këtë mënyrë, Amerika shndërrohet në një fuqi e madhe me kohë të pjesshme. Është më shumë një linjë e ashpër nacionaliste se sa izolacioniste. Ajo merr parasysh kufizimet e burimeve amerikane, duke zgjedhur prioritetet: në radhë të parë kontrollin e Kinës, që nënkupton gjithashtu një përpjekje për ta ndarë Moskën nga Pekini.

Nëse linja e Joe Biden synonte ta dobësonte Rusinë në Ukrainë, dhe nëse interpretimi i tij për botën ishte përplasja midis demokracive dhe autokracive, Trump do përpiqet të prishë marrëdhëniet midis autokracive, duke e mbyllur konfliktin në Ukrainë.

Dhe në bashkëpunim me Izraelin dhe vendet e Gjirit, do të përpiqet që të lajë hesapet me Iranin. Për t’u përqendruar më pas në frontin e Indo-Paqësorit. Emërimet e Marco Rubios si Sekretar Shteti dhe Mike Waltz si Këshilltar i Sigurisë Kombëtare e konfirmojnë këtë qasje, e cila nënkupton ndër të tjera një humbje relative të peshës së Evropës.

Ajo kombinohet me presionin amerikan - që tashmë ekziston prej kohësh, por që do forcohet nga Trump - për një NATO shumë më të varur nga shpenzimet ushtarake evropiane. Një lloj NATO 3.0, me më pak Amerikë. Në këtë kuadër, Shtëpia e Bardhë do të shfrytëzojë faktorin e paparashikueshmërisë, i cili frikëson si aleatët ashtu edhe rivalët.

Megjithatë, nuk është e garantuar se kjo strategji do të funksionojë. Me pak fjalë, gjatë presidencës së dytë të Trump po shfaqet një konfigurim i ndryshëm i balancave politike: bazuar në një derregullim të fortë të brendshëm (i cili mund të sjellë avantazhe për ekonominë amerikane) dhe tek një rritje e proteksionizmit nga jashtë (i cili rrezikon të shkaktojë probleme, duke sjellë ndër të tjera rritjen e inflacionit).

Dominimi në sektorin energjik, është gjithashtu pjesë e vizionit të “Amerika e Para”. Trump ka emëruar Chris Wright si Sekretar të Energjisë dhe Doug Burgum në krye të Këshillit të Energjisë, për të rikthyer përdorimin masiv të lëndëve djegëse fosile. Ideja është të ecet me vendosmëri, drejt rritjes së prodhimit të naftës dhe licencave të reja për gazin natyror të lëngshëm (LNG). Ndikimet në çmimet e energjisë dhe tregjet do të jenë të rëndësishme. Por është e vështirë të thuhet sa do ndikojë ajo në sektorin amerikan të energjisë së rinovueshme.

Disa analistë, thonë se Trump nuk ka gjasa të anulojë subvencionet e Aktit të Reduktimit të Inflacionit për investimet në infrastrukturë, nga të cilat kanë përfituar shtetet republikane si Teksasi. Tarifat, menaxhimi i faktorit Kinë, përplasjet mbi rregulloret dhe kostot e energjisë do të priren të ndërlikojnë marrëdhëniet midis Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.

Dhe ato do ta bëjnë më të vështirë që Evropa të ruajë të njëjtin ritëm ne sektorin teknologjik. Natyrisht, Trump nuk është arsyeja e vonesës së BE-së në këtë aspekt.

Ai vetëm sa po e nxjerr më në pah atë. Dhe këtu ka 2 teza të kundërta.

Sipas të parës, efekti Trump do t’i shtyjë evropianët të bashkohen dhe të përballen me një negociatë të ndërlikuar tregtare (motoja kryesore në Bruksel është “më mirë të negociosh sesa të kundërpërgjigjesh me një luftë tregtare”) dhe të rrisë peshën e evropianëve në NATO.

Por ekziston edhe një teori tjetër, sipas së cilës evropianët do të priren të ndahen, duke kërkuar marrëdhënie dypalëshe preferenciale me Uashingtonin dhe duke mos ushtruar në tërësi ndonjë peshë reale. Italia ka avantazhin e afërsisë politike por edhe të stabilitetit të brendshëm.

Gjithsesi, ka problemin e shpenzimeve të pamjaftueshme ushtarake (1.5 për qind e PBB-së) dhe një suficit të konsiderueshëm tregtar me Amerikën (rreth 40 miliardë dollarë). Pastaj ka nga ata që argumentojnë se kriza e brendshme në Francë dhe Gjermani e dobëson Komisionin.

Por edhe të tjerë, që thonë Komisioni i ri ka pikërisht për këtë arsye më shumë hapësirë për veprim. Mjerisht, e vetmja siguri është se Evropa është e papërgatitur për një ngjarje të parashikueshme: epilogun e epokës së vjetër transatlantike dhe fillimin e një loje më të ashpër ndërkombëtare, në të cilën kombinohen tregtia dhe siguria.

Një lojë për “mishngrënësit”, për një Evropë që është ende shumë “barngrënëse”. Për të konkurruar në këtë kontekst të ri, Evropa duhet të përballet me sfida komplekse. E para ka të bëjë me autonominë strategjike, e cila kërkon investime më të mëdha në mbrojtje, teknologji dhe energji.

E dyta lidhet me nevojën për një front të përbashkët midis shteteve anëtare, duke shmangur fragmentimet që mund ta dobësojnë më tej atë në marrëdhëniet me SHBA-në dhe Kinën. Në këtë skenar, për Bashkimin Evropian do të jetë thelbësore të përdorë burimet dhe peshën e tij ekonomike për të forcuar kohezionin e brendshëm dhe për të negociuar nga një pozicion më i fortë.

Megjithatë, ekziston rreziku që pa një ndryshim të ritmit, Evropa të mbetet një lojtare periferike në një sistem ndërkombëtar gjithnjë e më konkurrues të dominuar nga logjika e pushtetit./ Përshtati "Pamfleti", nga “Linkiesta”

Shënim: Marta Dassù, këshilltare për çështjet Evropiane në Institutin Aspen, dhe ish- zëvendësministre e Jashtme e Italisë.

Lini një Përgjigje