TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Gusht 2025, 18:11

Gjykata e Apelit në Nju Jork rrëzon gjobën gjysmë miliardë dollarëshe kundër Trump

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Apelit në Nju Jork rrëzon gjobën gjysmë

Një gjykatë apeli në Nju Jork ka hedhur poshtë vendimin që i vendoste Donald Trump-it dhe kompanive të tij një gjobë prej rreth gjysmë miliardi dollarësh, në procesin civil për mashtrim të ngritur nga Prokurorja e Përgjithshme e shtetit, Letitia James.

Vendimi i së enjtes, i cili nuk ishte unanim, e lë Trump ende përgjegjës për mashtrim, por anulon dënimin financiar, duke e kthyer çështjen për shqyrtim të mëtejshëm në instanca më të larta.

Në opinionin mbizotërues, gjyqtarët shkruan: “Ndërsa masa parandaluese e vendosur nga gjykata është e hartuar mirë për të frenuar kulturën e biznesit të të paditurve, urdhri për rikthimin e 500 milionë dollarëve është një gjobë e tepruar që bie ndesh me Amendamentin e Tetë të Kushtetutës së SHBA-ve”.

CNN e quajti vendimin “monumental” dhe një “goditje të fortë” për Letitia James. Ish-avokatja e Trump, Alina Habba, e përshkroi si “fitore të jashtëzakonshme” për ish-presidentin dhe kompaninë e tij, duke e cilësuar çështjen si “politikisht të motivuar dhe ligjërisht të pabazë”.

Megjithatë, katër gjyqtarë u rreshtuan me gjykatën e shkallës së parë, duke konfirmuar se Trump dhe të tjerët kishin manipuluar për vite me radhë bilancet financiare, duke fryrë vlerën e pasurive dhe duke mashtruar sigurues e kreditorë. Ata gjithashtu pranuan se prokurorja James kishte vepruar brenda kompetencave të saj ligjore.

James pritet ta apelojë vendimin në gjykatën më të lartë të shtetit të Nju Jorkut.

Në praktikë, kjo do të thotë se Trump i shpëton presionit financiar kolosal prej mbi 500 milionë dollarësh (përfshirë interesat), që e detyronte të paguante ose të rrezikonte sekuestrim asetesh. Paratë e lëna si garanci, 175 milionë dollarë, do t’i kthehen ish-presidentit pasi të përfundojë procesi i apelimit.

Paneli i gjykatës, i ndarë në opinionet e tij, publikoi mbi 300 faqe vendim. Dy gjyqtarë kërkuan rishqyrtim të plotë, ndërsa një tjetër, David Friedman, shkoi edhe më tej, duke kërkuar hedhjen poshtë të gjithë padisë dhe duke akuzuar James për “motive politike”.

“Qëllimi i saj nuk ishte ‘higjienë tregu’, por ‘higjienë politike’: shkatërrimi i karrierës së Trump dhe biznesit të tij. Votuesit e kanë dhënë verdiktin për karrierën e tij politike. Sot, kjo gjykatë i jep fund përpjekjes për të shkatërruar biznesin e tij,” shkroi Friedman.

Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump ka hapur hetime kundër James për mënyrën si ka ngritur çështjen, duke lëshuar thirrje për dëshmi dhe dokumente në lidhje me aktivitetet e saj. Avokati i James e quajti këtë “shembullin më flagrant dhe të dëshpëruar të fushatës së hakmarrjes politike nga kjo administratë”. /CNN

Lini një Përgjigje