TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Qershor 2024, 20:25

Gjashtë palë zgjedhje në tre vite: Pse Bullgaria ka hyrë në një paralizë politike të përhershme

Shkruar nga Andrea Walton

Gjashtë palë zgjedhje në tre vite: Pse Bullgaria ka hyrë

Kriza e vazhdueshme politike, mund të favorizojë përpjekjet e Kremlinit për depërtim, ta dobësojë besueshmërinë e Sofjes në skenën ndërkombëtarë dhe të dëmtojë kohezionin e NATO-s në një front të nxehtë si ai i rajonit të Ballkanit dhe Detit të Zi.

Gjashtë palë zgjedhje në tre vitet e fundit, dhe një paralizë politike gjysmë e përhershme që nuk po duket se e ka një fund në horizont. Këto janë kushtet në të cilat gjendet Bullgaria, si anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s në prag të ngjarjeve të rëndësishme, siç është hyrja e mundshme në Eurozonë dhe anëtarësimi i saj i plotë në zonën Shengen.

Konsultimet e fundit politike, të cilat u zhvilluan në të njëjtën ditë me zgjedhjet e Parlamentit Evropian, kanë ringjallur një skenar të pasigurt, që sipas disave mund t’i hapë rrugën një rikthimi tek zgjedhjet e reja parlamentare. Partia më e votuar në 9 qershor ishte GERB, një formacion politik i qendrës së djathtë i udhëhequr nga ish-kryeministri Boyko Borissov.

Ajo fitoi 24.7 për qind të votave, ndërsa Lëvizja centriste për të Drejtat dhe Liritë doli në vendin e dytë me 17 për qind të votave. Në vendin e tretë dhe të katërt, me vota thuajse të barabarta, u renditën pro-evropianët liberalë të “Vazhdo Ndryshimin-Bullgaria Demokratike (PP)” dhe ultra-nacionalistët pro-rusë të Rilindjes, respektivisht me 14.3 dhe 13.8 për qind të votave.

Listën e mbyll Partia Socialiste sërish pro-ruse me 7 për qind, populistët e “Ka një popull të tillë” me 5.9 për qind të votave, dhe e djathta ekstreme Velichie me 4.6 për qind. Përpjekja e parë për të formuar qeverinë e ardhshme i takon GERB-it, që deri në mars qeverisi për 9 muaj në një koalicion me PP-në.

Por ai u prish për shkak të mosmarrëveshjeve të forta rreth reformave në drejtësi, dhe ndarjes së posteve gjatë rotacionin qeveritar të parashikuar nga marrëveshjet pas-zgjedhore. Borisov, që e kishte qeverisur Bullgarinë për një dekadë përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2021 për shkak të protestave popullore kundër skandaleve të korrupsionit që e kishin tronditur vendin, e përjashtoi veten nga lista e kryeministrave të mundshëm, pasi nuk pëlqehet nga partitë e tjera.

Nga ana tjetër, mungon një figurë karizmatike, që të jetë e aftë t’i marrë gjërat në duart e veta, dhe vazhdimi i paralizës politike po shkakton efekte shumë negative tek elektorati. Pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit, ishte më e ulëta që nga rënia e komunizmit, dhe arriti në vetëm 33.4 për qind të atyre me të drejtë vote.

German Marshall Fund, një institut kërkimor jopartiak në SHBA, vë në dukje se si të gjitha partitë në parlamentin bullgar, me përjashtim të PP, përfaqësojnë status quo-në e vjetër, e cila e ka penguar Bullgarinë të luftojë korrupsionin dhe ndikimin rus në vend. Sipas grupit të ekspertëve, Sofja është pro-perëndimore, por shpesh ka favorizuar edhe interesat e Moskës. Prapësimi më i madh në aspektin demokratik u pa gjatë qeverisjes së Borisov, në periudhën midis viteve 2009-2020. GMF thekson në analizën e saj si qeveria e koalicionit, e udhëhequr nga Nikolay Denkov i PP dhe që u rrëzua marsin e kaluar, ishte e para vitet e fundit, që i dha një orientim pro-perëndimor politikës së jashtme bullgare, për të luftuar ndikimin e Rusisë dhe për të promovuar reformat në gjyqësor dhe ato anti-korrupsion.

Kriza e vazhdueshme politike, mund të favorizojë përpjekjet e Kremlinit për depërtim, ta dobësojë besueshmërinë e Sofjes në skenën ndërkombëtarë dhe të dëmtojë kohezionin e NATO-s në një front të nxehtë si ai i rajonit të Ballkanit dhe Detit të Zi.

Bullgaria luan një rol strategjik nga pikëpamja energjetike, pasi territori i saj përshkohet nga gazsjellësi “Balkan Stream”, një zgjatim i “Turkish Stream”, që e lejon gazin rus të arrijë në Ballkan dhe Evropën Qendrore pa kaluar përmes Ukrainës. Moska synon që të mbyllë deri në fund të këtij viti tubacionet e gazit që kalojnë përmes Ukrainës.

Ndaj territori bullgar do të ketë një rol shumë jetik për të siguruar furnizime për vendet aleate si Hungaria e kryeministrit Viktor Orban dhe Serbia e presidentit Aleksandër Vucic. Sofja e reduktoi varësinë e saj nga gazi rus pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, dhe pavarësisht se nuk e ble më atë, lejon ende që gazi rus të kalojë tranzit përmes territorit të saj.

Autoritetet lokale kanë vendosur të lidhen me Gazsjellësin Trans-Adriatik që sjell gazin azerbajxhanas në Greqi, dhe t’i japin fund importit të naftës ruse duke e zëvendësuar atë me naftën bruto kazake, irakiane dhe tuniziane. Përpara shpërthimit të luftës në Ukrainë, Bullgaria ishte gati tërësisht e varur nga burimet ruse të energjisë dhe vendimi për ndërprerjen e këtyre lidhjeve, përfaqëson një pikë kthese për kombin ballkanik.

Megjithatë, pasiguria politike rrezikon të ndikojë tek këto ndryshime dhe të modifikojë vendimet e marra tashmë. Në sfond, mbeten dy çështje të rëndësishme, të cilat mund të përshpejtojnë apo ngadalësojnë integrimin e Sofjes me pjesën tjetër të Evropës. Bullgaria u pranua pjesërisht, së bashku me Rumaninë, në Zonën Shengen, dhe ky zhvillim i dha fund pritjes 13-vjeçare, pasi vendi i kishte përmbushur prej kohësh kriteret e kërkuara për këtë anëtarësim.

Megjithatë, anëtarësimi është i pjesshëm, pasi ka të bëjë vetëm me kufijtë ajrorë dhe detarë.

Kufijtë tokësorë, do të vazhdojnë t’i nënshtrohen kontrolleve për shkak të vetos së vendosur nga Austria, e cila i frikësohet një fluksi të tepruar azilkërkuesish nga Bullgaria dhe Rumania, dy vendet më të varfra në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë Sofja synon të anëtarësohet edhe në Eurozonë, por qëllimi për ta arritur këtë në janar 2025 nuk do të arrihet, dhe është shumë e mundur një shtyrje për në fund të vitit të ardhshëm. Inflacioni vazhdon të pengojë adoptimin e euros nga Bullgaria, por edhe paqëndrueshmëria politike, zgjedhjet e shpeshta dhe ndryshimi i qeverive, nuk janë në favor të besueshmërisë së vendit, ashtu si në rastin e zonës Shengen.

Arritja e objektivit të dyfishtë nga Bullgaria është jetik për të shmangur synimet dashakeqe të Moskës, për të forcuar kohezionin e brendshëm, dhe për t’i ofruar popullatës lokale rezultatet e prekshme që sjell anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Një dështim dhe një vazhdim i pasigurisë është në favor të populizmit dhe ekstremizmit lokal, i cili mund të shkaktojë një ndryshim të skenarit politik dhe të qasjes pro-perëndimore të vendit. Prandaj, muajt e ardhshëm do të jenë thelbësorë për të kuptuar se çfarë drejtimi do të marrë ky vend./ Përshtati "Pamfleti" nga “Linkiesta”

Lini një Përgjigje