TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Qershor 2024, 17:39

Si duhet të reagojë Perëndimi ndaj shantazheve bërthamore të Putinit

Shkruar nga Kseniya Kirillova

Si duhet të reagojë Perëndimi ndaj shantazheve bërthamore

Putin kërcënoi se do t’i furnizonte aleatët me armë me rreze të gjatë veprimi në rajone të botës, ku ata mund të sulmonin vendet që furnizonin me armatim Ukrainën.

Për më shumë se një dekadë, propaganda e Kremlinit e ka kërcënuar Perëndimin me një sulm bërthamor. Në pranverën e vitit 2014, zëdhënësi kryesor i regjimit, Dmitriy Kiselyev, deklaroi  se Rusia mund ta shndrrojë SHBA-në në një hi radioaktiv.

Gjatë viteve të fundit, kërcënimet për sulme ndaj SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Polonisë dhe vendeve të tjera të NATO-s, janë dëgjuar pothuajse çdo ditë në emisionet kryesore aktuale televizive të Rusisë. Analistët pro-Kremlinit i kanë përforcuar me gëzim kërcënime të tilla.

Një vit më parë, Sergej Karaganov, kryetar i Presidiumit të Këshillit për Politikën e Jashtme dhe të Mbrojtjes, shkroi se një sulm parandalues bërthamor kundër vendeve perëndimore “mund ta shpëtojë njerëzimin nga një katastrofë globale”.

Hapi tjetër në procesin e frikësimit të Perëndimit, ishte kryerja e stërvitjeve nga Moska me armë bërthamore taktike, të cilat siç e kanë paralajmëruar edhe disa analistë, komandantët ushtarakë rusë nuk kanë më frikë që t’i përdorin. Pavarësisht kësaj historie, Vladimir Putin u bëri thirrje ndjekësve të tij gjatë Forumit Ekonomik Ndërkombëtar të Shën Petersburgut në fillim të këtij muaji, që të mos bëjnë kërcënime bërthamore “të kota”.

Pra denoncoi një qasje që ai vetë ka përdorur. Por nga ana tjetër, refuzoi të përjashtonte ndryshimet në doktrinën e Moskës për përdorimin e armëve të tilla, të cilat mund të konsiderohen në vetvete një kërcënim bërthamor. Ndryshime të tilla në tonin e qëndrimeve, nuk do të thonë se shantazhi bërthamor do të zhduket nga retorika e zyrtarëve dhe propaganduesve të Kremlinit.

Analistët ushtarakë rusë, argumentojnë se një pjesë jetike e qasjes së Moskës ndaj ndërveprimit me Perëndimin, është se “armiku duhet të jetojë me frikë”. Dhe pavarësisht se cilat armë përdoren, ‘është e nevojshme të bëhet e qartë, se çdo cenim ndaj objekteve strategjike të Rusisë do të sjellë pasoja qartazi fatale”- shkroi Roman Skomorokhov në një artikull për The Military Revieë, një faqe interneti pro-Kremlinit (me sa duket një referencë ndaj kërcënimit të sulmeve ukrainase me dronë).

Por jo të gjithë në Rusi janë të kënaqur me këtë qasje. Edhe midis ekspertëve ushtarakë që e mbështesin Kremlinin, ka nga ata që ndërsa përsërisin propagandën për një Perëndim të lig që ka gjithnjë në plan të shkatërrojë botën ruse, janë nga ana tjetër kundër çdo lloj përdorimi të armëve bërthamore.

Pasi në këtë mënyrë, Rusia do të vepronte në favor të kundërshtarëve të saj, dhe “do të hynte në rendin e ri botëror si një fuqi e mundur, si Japonia dhe Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore” thotë Alexander Samsonov, një autor tjetër në të njëjtën faqe.

Në mesin e propagandës në ndryshim e sipër dhe pikëpyetjeve që po ngrihen mbi mençurinë e një sulmit bërthamor, Kremlini ka gjetur një mënyrë tjetër për të nxitur përshkallëzimin. Në të njëjtin forum ekonomik, Putin kërcënoi se do t’i furnizonte aleatët me armë me rreze të gjatë veprimi në rajone të botës, ku ata mund të sulmonin vendet që furnizonin me armatim Ukrainën.

Ky kërcënim, shkon dorë për dore me narrativën e Kremlinit për një “konfrontim global” midis Rusisë dhe NATO-s. Analistët nga Klubi i Diskutimit Valdai i mbështetur nga Putini, paralajmëruan se duhet të merret seriozisht kërcënimi i një lufte të përhapur.

Rreziqet e një konflikti të tillë, do të rriten ndjeshëm në rast se kontingjentet ushtarake nga vendet e aleancës shfaqen në territorin ukrainas, apo lejojnë përdorimin e fushave ajrore të NATO-s në luftë, shkroi në faqen e tij Ivan Timofeev, drejtori i programit të klubit.

Kërcënime të tilla, mund të shihen si një formë e mbuluar e kërcënimit bërthamor, duke pasur parasysh se Putini ka deklaruar vazhdimisht se “një luftë globale, do ta sjellë të gjithë njerëzimin në pragun e shkatërrimit”. Njëkohësisht, propagandistët e tjerë kanë synuar të garantojnë rusët se perspektiva e një lufte konvencionale me Evropën brenda Ukrainës (me ç’duket një referencë ndaj deklaratës së  presidentit francez Macron mbi dërgimin e mundshëm të trupave), nuk do të ishte dhe aq e tmerrshme. 

Detyra e udhëheqjes ruse, do të jetë të sigurojë “një luftë me vendet individuale evropiane (në Ukrainë), dhe jo me të gjithë Evropën”, pa e zhvendosur teatrin e operacioneve ushtarake përtej Ukrainës, thotë Alexander Nosovich, kryeredaktor. e RuBaltic.Ru.

Në dallim nga kërcënimet e mëparshme, duket se shumë njerëz në udhëheqjen ruse po e marrin seriozisht një skenar të tillë, dhe e mendojnë atë si të dëshirueshëm. Politikanët evropianë, kanë vënë në dukje se Vladimir Putin po e teston vazhdimisht unitetin e NATO-s, ndaj ata kanë arsye të shpresojnë se SHBA-ja dhe vendet evropiane, nuk do të ngrihen në mbrojtje të viktimave të ardhshme të agresionit rus.

Është një çështje tjetër, nëse nga një përshkallëzim i tillë do të përfitonte apo jo Moska. Ekonomistët e pavarur, e pranojnë se Rusia mund të ruajë nivelin e saj aktual të shpenzimeve ushtarake për një kohë të gjatë, duke i dhënë mundësi Putinit të ruajë iluzionin e një “kështjelle të rrethuar”, pa provokuar shumë pakënaqësi popullore në vend.

Por situata do të ndryshonte në rastin e një lufte reale me vendet e NATO-s. Megjithatë, politika e jashtme ruse varet drejtpërdrejt nga politika e brendshme. Nëse “konsensusi patriotik” nis të dobësohet, siç ndodhi në vitet pas aneksimit të Krimesë, Putin mund të ketë nevojë për një raund të ri përshkallëzimi për të vazhduar mbështetjen ndaj tij.

Për këtë arsye, është e rëndësishme të tregohet uniteti i Perëndimit në zmbrapsjen e agresionit. Udhëheqja ruse duhet ta kuptojë qartë, se asnjë përshkallëzim i konfliktit nuk do të mbetet i pandëshkuar./Përshtati “Pamfleti” nga “Center for European Policy Analysis”

putin

Lini një Përgjigje