Një anije e agjencisë evropiane të kufirit, Frontex është përplasur me shkëmbinj dhe është fundosur pranë portit të Megistit në ishullin grek Kastellorizo ditën e sotme. Sipas raportimeve fillestare, në bord ndodhej edhe ambasadori i Estonisë.
Incidenti ndodhi gjatë një manovre pranë portit, kur anija goditi shkëmbinjtë, u përmbys dhe pasagjerët përfunduan në det. Pas përplasjes shpërtheu edhe një zjarr, pasi benzina rrjedhi nga motori i mjetit.
Autoritetet raportojnë se pesë persona janë plagosur në këtë ngjarje, një prej tyre në gjendje të rëndë dhe katër të tjerë me lëndime të lehta.
Në vendngjarje janë dislokuar ekipet e Shërbimeve Mjekësore të Urgjencës Greke (EKAB), të mbështetura nga një helikopter shpëtimi Super Puma, i cili po merr pjesë në operacionin për evakuimin e personave që ndodheshin në një varkë pranë zonës së incidentit.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e sakta të përplasjes.
“Përmbysja dhe fundosja e një anijeje të forcave të Frontex në zonën detare të Megistit. Në bordin e anijes ndodheshin gjithsej 5 persona (4 estonezë, përfshirë ambasadorin estonez dhe 1 oficer ndërlidhës të Frontex-it – LS – HELLENIC AKT). Pasagjerët u morën nga një anije shpëtimi dhe një katamaran dhe u transportuan në qendrën shëndetësore të Kastelorizos. 4 pasagjerë të plagosur po transportohen nga një Super Puma e Rojës Bregdetare Helenike në spitalin e Rodosit”.-njofton policia.
Lini një Përgjigje