Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se fushata ushtarake kundër Iranit po vazhdon “me intensitet të plotë”, duke theksuar se kapacitetet ushtarake të Teheranit janë dëmtuar rëndë.
Sipas Trump, forcat amerikane kanë goditur më shumë se 7.000 objektiva në të gjithë Iranin që nga fillimi i operacionit ushtarak më 28 shkurt, ndërsa sistemi i mbrojtjes ajrore iraniane është “dezimuar”.
“Fushata ushtarake ka vazhduar me ritëm të plotë ditët e fundit. Pajisjet kundërajrore iraniane janë shkatërruar në masë dhe Iranit i kanë mbetur shumë pak raketa”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump njoftoi se vetëm gjatë ditës së sotme janë goditur tre qendra iraniane të prodhimit të dronëve dhe raketave, ndërsa gjatë 10 ditëve të fundit janë shkatërruar mbi 100 anije. Ai shtoi se sulmet amerikane vazhdojnë “çdo orë nga të gjitha drejtimet”.
Presidenti amerikan akuzoi gjithashtu Iranin se po përpiqet të përdorë Ngushticën e Hormuzit si armë ekonomike, duke kërcënuar trafikun detar në një nga rrugët më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës.
“Irani po përpiqet ta përdorë Ngushticën e Hormuzit si armë ekonomike, por nuk do të mund ta bëjë këtë për shumë kohë”, tha Trump.
Ai u bëri thirrje vendeve të tjera që varen nga ky korridor energjetik të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së trafikut detar.
“Ne marrim më pak se 1% të naftës sonë nga kjo rrugë. Japonia merr rreth 95%, Kina 90%, shumë vende evropiane marrin një pjesë të madhe dhe Koreja e Jugut rreth 35%”, tha presidenti amerikan.
Trump shtoi se disa vende janë treguar të gatshme të bashkohen me Shtetet e Bashkuara në përpjekjet për të garantuar sigurinë në rajon, ndërsa të tjera kanë qenë më pak entuziaste.
“Disa janë shumë entuziastë për këtë, dhe disa jo. Disa janë vende që ne i kemi ndihmuar për shumë, shumë vite. Ne i kemi mbrojtur ato nga burime të tmerrshme të jashtme, dhe ata nuk ishin aq entuziastë. Dhe niveli i entuziazmit ka rëndësi për mua”, vazhdoi ai gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë.
Në deklaratën e tij, presidenti amerikan minimizoi gjithashtu kërcënimin nga Irani, duke e përshkruar Republikën Islamike si një “tigër prej letre”.
“Me atë që kemi përballë tani kemi të bëjmë me një tigër prej letre. Dy javë më parë nuk ishte i tillë”, u shpreh ai.
Trump tha gjithashtu se operacionet amerikane kanë reduktuar me 90% lëshimet e raketave balistike iraniane dhe me 95% sulmet me dronë.
Duke iu referuar situatës në Ngushticën e Hormuzit, presidenti amerikan tha se Shtetet e Bashkuara nuk kanë siguri të plotë nëse Irani ka vendosur mina të tjera detare në zonë, por paralajmëroi se një veprim i tillë do të ishte “një formë vetëvrasjeje” për Teheranin. Ai shtoi se të gjitha anijet iraniane të përdorura për vendosjen e minave janë shkatërruar.
Lini një Përgjigje