Pas kryengritjes së Wagnerit, kreu i CIA-s telefonoi Sergei Naryshkin, drejtorin e shërbimit të jashtëm të FSB-së, duke e siguruar atë se: Uashingtoni nuk kishte asnjë rol në kryengritjen e Evgeny Prigozhin...
William Burns mbetet njeriu i momenteve të mëdha. Para fillimit të konfliktit, në nëntor 2021, drejtori i CIA-s fluturoi në Moskë për të bindur Vladimir Putinin të mos sulmonte Ukrainën. Presidenti rus nuk ishte aty, pasi ndodhej në Soçi, por pati një bisedë telefonike mes tyre në një linjë të sigurt.
Më pas, kur në janar 2022 u bë e qartë se çfarë do të ndodhte, Burns fluturoi në Kiev për t'i zbuluar Volodymyr Zelensky - ende skeptik në atë kohë - qëllimet e vërteta të carit rus dhe për t'i dhënë atij të gjitha planet e sulmit.
Tani Burns, dikur një ambasador në Rusi dhe që ndihmoi në mbajtjen e hapur të kanalit të komunikimit me Moskën, vazhdoi punën e tij të vlefshme si “lajmëtar”. Pas kryengritjes së Wagnerit, kreu i CIA-s telefonoi Sergei Naryshkin, drejtorin e shërbimit të jashtëm të FSB-së, duke e siguruar atë se: Uashingtoni nuk kishte asnjë rol në kryengritjen e Evgeny Prigozhin. Me pak fjalë, administrata amerikane nuk kishte ndërmend t'i jepte Kremlinit mundësinë për të akuzuar Perëndimin për atë që ata e quajtën "një problem i brendshëm".
Megjithatë, Burns fluturoi sërish në Kiev në fshehtësi të madhe, duke u takuar me Presidentin Zelensky dhe krerët e inteligjencës ukrainase. Këtu, sipas zbulimeve nga Washington Post, atij iu dha një plan "ambicioz" me të cilin rezistenca synon të hapë negociatat për një armëpushim me Moskën deri në fund të vitit. Qëllimi, sipas raporteve nga administrata amerikane, do të ishte të ripushtohej sa më shumë territor në Frontin Lindor deri në vjeshtë dhe në të njëjtën kohë të zhvendoseshin sistemet e artilerisë dhe raketave në kufijtë e Krimesë. Në atë pikë, ukrainasit do të ishin gati të hapnin negociatat me Moskën. Rusët, beson Kievi, do të jenë të gatshëm të negociojnë vetëm nëse ndihen të kërcënuar.
Sipas analistëve ushtarakë është një plan ambicioz, veçanërisht duke pasur parasysh linjën e madhe të fortifikuar të mbrojtjes të ndërtuar nga rusët . Në të njëjtën kohë, megjithatë, ukrainasit po kërkojnë një rrugëdalje që është e pranueshme si për Moskën ashtu edhe për popullin ukrainas: të mbajnë Krimenë - ku ndodhet selia e Flotës së Detit të Zi- "peng" me artileri me rreze të gjatë veprimi. Këtu hyn në lojë SHBA, e cila synon të dërgojë bomba thërrmuese dhe raketa me rreze të gjatë veprimi.
Vendimi, duket se tashmë është marrë si për raketat me rreze të gjatë ashtu edhe për bomba thërrmuese: e vetmja gjë që mungon është autorizimi nga Shtëpia e Bardhë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje