
34 vite pas masakrës së Capacit, Italia kujton dy simbolët e drejtësisë që sfiduan Cosa Nostrën deri në flijim.
Më 23 maj 1992, një shpërthim i fuqishëm tronditi autostradën pranë Capacit, në hyrje të Palermos. Nën asfaltin e rrugës, mafia kishte vendosur rreth 500 kilogramë eksploziv. Në momentin që kolona e makinave kaloi mbi të, shpërthimi hapi një krater të madh dhe i mori jetën gjyqtarit Giovanni Falcone, bashkëshortes së tij Francesca Morvillo dhe tre truprojave.
Ishte fillimi i luftës më të ashpër mes shtetit italian dhe Cosa Nostrës.
Vetëm 57 ditë më vonë, më 19 korrik 1992, mafia goditi sërish. Në Via D’Amelio të Palermos, një makinë-bombë shpërtheu pranë banesës së nënës së Paolo Borsellinos. Gjyqtari u vra bashkë me pesë efektivë të eskortës së tij.
Dy atentatet hynë në histori si momenti më dramatik i betejës moderne kundër mafias italiane.
Sot, 34 vite më pas, Italia i kujton Falcone dhe Borsellino jo vetëm si magistratë, por si simbolë të guximit civil dhe të luftës kundër krimit të organizuar.
Në Palermo, mijëra studentë, gjyqtarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionesh marshuan në vendet simbol të masakrave mafioze. Presidenti italian Sergio Mattarella deklaroi se sakrifica e tyre mbetet “një pikë referimi etike e pazëvendësueshme për ndërgjegjen demokratike të vendit”.
Por historia e Falcone dhe Borsellinos nuk nisi me atentatet. Ajo nisi vite më parë, në një Siçili ku mafia kishte depërtuar në çdo hallkë të jetës politike, ekonomike dhe shoqërore.
Dy miq nga Palermo
Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino u rritën në të njëjtin lagje të Palermos, Kalsa. Fëmijë, luanin në të njëjtat rrugë ku më vonë do të sundonte mafia.
Të dy u bënë gjyqtarë dhe në vitet ’80 hynë në grupin e famshëm antimafia të krijuar nga gjyqtari Rocco Chinnici dhe më pas i drejtuar nga Antonino Caponnetto.
Aty lindi “pool antimafia”, skuadra e parë e prokurorëve që vendosi të hetojë mafian si një organizatë të vetme dhe jo si krime të izoluara.
Falcone solli revolucion në hetime. Ai ndoqi gjurmët e parave, analizoi lidhjet financiare të Cosa Nostrës dhe ndërtoi marrëdhënie me FBI-në amerikane për të zbuluar trafikun ndërkombëtar të heroinës.

Në vitin 1984 erdhi kthesa vendimtare: mafiozi Tommaso Buscetta, i njohur si “bossi i dy botëve”, pranoi të bashkëpunonte me drejtësinë.
Për herë të parë, shteti italian mori një pamje të plotë të strukturës së Cosa Nostrës.
Nga dëshmitë e Buscettas lindi “Maxiprocesso”, gjyqi më i madh kundër mafias në historinë italiane.
Gjyqi që tronditi mafian
Në vitin 1986, në një bunker të ndërtuar posaçërisht pranë burgut Ucciardone në Palermo, nisën proceset ndaj qindra mafiozëve.
Mbi 470 të akuzuar u ulën në bankën e të pandehurve. Për herë të parë, shteti italian godiste kupolën e Cosa Nostrës si një organizatë kriminale të centralizuar.
Falcone dhe Borsellino jetonin të izoluar, nën mbrojtje të vazhdueshme, të vetëdijshëm se kishin hyrë në shënjestër.
Në vitin 1987, gjykata dha qindra dënime dhe burgime të përjetshme. Mafia kuptoi se kishte humbur paprekshmërinë e saj historike.
Por ndërsa në publik Falcone dhe Borsellino u kthyen në simbol të shtetit, brenda institucioneve shpesh mbetën të izoluar.
Falcone u sulmua politikisht, u akuzua se kërkonte protagonizëm dhe u pengua disa herë në karrierë. Megjithatë, ai vazhdoi luftën.
Në vitin 1992, Gjykata e Kasacionit konfirmoi dënimet e “Maxiprocesso”-s. Ishte goditja më e rëndë që mafia kishte marrë ndonjëherë.
Për Cosa Nostrën, hakmarrja ishte vetëm çështje kohe.
Masakrat që ndryshuan Italinë
Masakra e Capacit tronditi Italinë dhe gjithë Europën. Pamjet e autostradës së shkatërruar u kthyen në simbol të brutalitetit mafioz.
Paolo Borsellino e kuptoi menjëherë se edhe ai do të ishte objektivi i radhës.
“Nuk do të ketë nevojë për shumë kohë”, u kishte thënë miqve të afërt pas vrasjes së Falcones.
57 ditë më vonë, parashikimi i tij u bë realitet.

Pas atentateve, Italia reagoi me zemërim. Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë, ndërsa shteti nisi ofensivën më të madhe kundër mafias.
Në vitet që pasuan u arrestuan bosët më të fuqishëm të Cosa Nostrës, përfshirë Salvatore “Totò” Riina dhe Bernardo Provenzano.
Falcone dhe Borsellino u kthyen në figurat më të rëndësishme morale të Italisë moderne.

Sot emrat e tyre mbajnë shkolla, aeroporte, institucione dhe sheshe publike. Për shumë italianë, ata përfaqësojnë idenë se shteti mund të fitojë ndaj mafias vetëm kur drejtësia, guximi dhe shoqëria ecin bashkë.
Në Palermo, çdo vit, sirenat bien në të njëjtën orë kur shpërtheu bomba në Capaci.
Dhe çdo vit Italia rikthehet te e njëjta pyetje që Falcone kishte bërë dekada më parë: “Mafia është një fenomen njerëzor dhe si çdo fenomen njerëzor, ka një fillim dhe do të ketë edhe një fund.” /Pamfleti
Dergoni nje kopje te busteve te tyre ti vendosin prane SPAK, ndoshta i shohin dhe marrin sadopak shembull ata prokuroret qe vene ne pune ne zyrat e ketij institucioni.
Ka dicka te keqe ketu te ne? Ne kemi dal pas nje diktature 50 vjecare, kurse Italia jo? Jemi popull i shtypur i rrahur i frikesuar deri ne palce, duhet shum kohe qe te ndergjegjesohen e te reagojne. Flm!
Bustet duhen vendosur në kryeministri , në kryeqendrën e mafies.
Gjergji flet me gjuhen e qeveritareve qe tere kohen merren me kohen monizmit..Kjo per te harruar e heshtur per poshtersite e te tashmes. Pse ne si popull reaguam ne 91, ne 97 etj etj. Por tani qeveria aktuale ka krijuar kushte adekuate qe shqiptaret te ikin dhe vetem te ikin se nuk strehohen dot ne kullat dhe pallatet qe ndertojne mafja dhe qeveritaret me cmime extra te larta, se nuk ka meritokraci dhe nuk vepron ligji, por mbetet ne leter. se parlamenti, me urdher te Rames mbron te korruptuarit e tj...Pra kush do reagoje ne keto kushte, apo ata pensionistet me 150 mije leke? Pastaj mos harroni bashkepunimin Rama Berisha qe i jep mundesi Kryemi istrit te beje cfare te doje me pronat, me buxhetin etj e tj dhe ta dali be podcast me ato syzet e kuqe per ti bere karshillek atyre qe bin ne varferi apo ikin jashte. Prandaj lereni te kaluaren, merruni me te tashmen, me korrupsionin, grabitjen e pronave, me lojen qe ben qeveria dhe banka lidhur me vleren e euros apo dollarit qe i trajton sikur te jene domate dhe kalben, prandaj duhen shitur sa ne lire dhe ato i mbledh po qeveria perme BSh ne menyre qe te shlyej sa me shume borxhin e pastaj te marri borxh tjeter e ti shpjere tek oligarket apo qeveritaret me biznese...