Administrata amerikane po intensifikon kontaktet diplomatike për një marrëveshje të mundshme paqeje me Iranin, ndërsa presidenti Donald Trump ka thirrur urgjentisht në Shtëpinë e Bardhë zëvendëspresidentin JD Vance dhe sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth për konsultime mbi zhvillimet në Lindjen e Mesme.
Sipas Axios, JD Vance është kthyer menjëherë nga Ohio, ndërsa Pete Hegseth nga Nju Jorku, për të marrë pjesë në diskutimet mbi propozimin iranian për paqe, që po shqyrtohet nga Uashingtoni.
Ndërkohë, mediat amerikane raportojnë se SHBA dhe Irani mund të shpallin brenda 24 orëve finalizimin e një draft-marrëveshjeje për ndalimin e luftimeve në disa fronte të tensionit në Lindjen e Mesme.
Washington Times, duke cituar burime pranë negociatave, shkruan se një draft paraprak është dakordësuar të shtunën në mëngjes dhe pritet që përgjigjja zyrtare amerikane ndaj propozimit iranian të vijë deri të dielën.
Lëvizjet diplomatike kanë shtuar pritshmëritë për një ulje të tensioneve në rajon, pas javësh të mbushura me kërcënime, sulme dhe frikë për përshkallëzim ushtarak.
Paralelisht me zhvillimet në Uashington, presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar biseda intensive me liderët e Gjirit Persik dhe me Donald Trump për situatën në Lindjen e Mesme.
Sipas mediave franceze, Macron ka folur me mbretin e Jordanisë, emirin e Katarit dhe princin e kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, në përpjekje për të koordinuar qëndrimet mbi krizën rajonale.
Negociatat po ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar, pasi çdo marrëveshje mes SHBA-së dhe Iranit mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë rajonale, tregjet globale të energjisë dhe balancat gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
Lini një Përgjigje