TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Maj 2026, 20:40

Bettina Anderson donte martesë në Shtëpinë e Bardhë, pse Donald Trump Jr. hoqi dorë?

Shkruar nga Pamfleti
Bettina Anderson donte martesë në Shtëpinë e Bardhë,
Donald Trump Jr dhe Bettina Anderson

Donald Trump Jr., djali i madh i presidentit amerikan Donald Trump, dhe modelja e njohur nga Palm Beach, Bettina Anderson, po festojnë këtë fundjavë martesën e tyre në një ishull privat në Bahamas, pas heqjes dorë nga ideja fillestare për ta organizuar ceremoninë në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas CNN, Anderson kishte shprehur interes që ceremonia të zhvillohej në rezidencën presidenciale amerikane, por Trump Jr. e konsideroi të papërshtatshme një organizim të tillë në një moment të tensionuar ndërkombëtar, për shkak të konfliktit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit. Burime pranë familjes thanë se edhe presidenti Donald Trump ishte kundër organizimit të një ceremonie të tillë në Shtëpinë e Bardhë.

Në vend të kësaj, çifti zgjodhi një ceremoni të vogël dhe private në Bahamas, me pjesëmarrjen e familjarëve dhe miqve më të afërt. Sipas mediave amerikane, lista e të ftuarve përfshin më pak se 50 persona dhe masat e sigurisë janë shtuar pasi vendndodhja e dasmës u publikua në media.

Teknikisht, Donald Trump Jr. dhe Bettina Anderson janë tashmë të martuar ligjërisht. Dokumentet e regjistruara në Palm Beach tregojnë se ata kurorëzuan martesën civile të enjten, një praktikë e zakonshme për çiftet që organizojnë ceremoni jashtë vendit.

Mediat amerikane raportojnë se marrëdhënia mes Trump Jr. dhe Anderson u bë publike pas ndarjes së tij nga Kimberly Guilfoyle, me të cilën kishte qenë i fejuar për rreth katër vite. Pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024, Trump Jr. dhe Anderson nisën të shfaqeshin së bashku në Palm Beach dhe në aktivitetet e familjes Trump.

Dalja e tyre më e komentuar publike ishte gjatë inaugurimit presidencial, ku Anderson u pa në krah të Trump Jr. në ceremonitë zyrtare dhe eventet festive. Pas rreth një viti lidhjeje, Trump Jr. i propozoi martesë gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë, lajm që u bë publik nga vetë presidenti amerikan.

Në një reagim në rrjetin Truth Social, Donald Trump deklaroi se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë në Bahamas.

“Mendoj se është e rëndësishme të qëndroj në Uashington, në Shtëpinë e Bardhë, gjatë kësaj periudhe të rëndësishme. Urime Donit dhe Betinës”, shkroi ai.

Në ceremoninë private pritet të marrin pjesë Ivanka Trump dhe Eric Trump me familjet e tyre, si edhe pesë fëmijët e Donald Trump Jr. nga martesa e tij e mëparshme me Vanessa Trump.

Bettina Anderson, 39 vjeçe, njihet në Palm Beach si influencuese dhe personazh i jetës sociale, me një profil të ndërtuar kryesisht në rrjetet sociale ku promovon stilin e jetesës luksoze, modën dhe produktet e markave të njohura.

donald trump jr dhe bettina anderson dasma

Lini një Përgjigje