Një sabotim që la mijëra banesa dhe spitale pa energji në Berlin ka rikthyer frikën për terrorizmin e brendshëm dhe dobësinë e infrastrukturës kritike në Europë.
Sebastian Brandt e kuptoi menjëherë se diçka nuk shkonte. Ishte mëngjesi i 3 janarit, një fundjavë e ftohtë dimri në Berlin, kur tekniku kryesor i spitalit Immanuel hapi dritaren e apartamentit të tij dhe ndjeu erën e fortë të naftës.
Pak sekonda më vonë, ai e kuptoi burimin: gjeneratori emergjent i spitalit ishte ndezur. Kjo do të thoshte vetëm një gjë – spitali kishte humbur furnizimin me energji nga rrjeti elektrik.
Ajo që Brandt nuk dinte në atë moment ishte se disa kilometra më larg, persona ende të paidentifikuar kishin djegur pesë kabllo të tensionit të lartë poshtë një ure mbi kanalin Teltow, duke shkaktuar ndërprerjen më të madhe të energjisë në Berlin që nga Lufta e Dytë Botërore.
Sulmi la pa energji rreth 45 mijë banesa, mbi 2 mijë biznese dhe katër spitale në jug të kryeqytetit gjerman. Në disa zona, furnizimi u rikthye vetëm pas pesë ditësh.
Në spitalin Immanuel, situata u bë menjëherë kritike. Gjeneratorët emergjentë mbanin në funksion pajisjet bazë, por operacionet kirurgjikale duhej të anuloheshin dhe askush nuk mund të garantonte se sistemi do të rezistonte për ditë të tëra pa ndërprerje.
Brandt kishte llogaritur se rezervuari me 3 mijë litra naftë do të mjaftonte për pak ditë. Kur operatori i rrjetit e njoftoi se ndërprerja mund të zgjaste deri javën tjetër, ai u nis të siguronte karburant shtesë nga stacionet e vetme që ende kishin energji.
Në një tjetër spital të zonës, Hubertus Hospital, drejtori Michael Schmidt po përballej me një krizë tjetër. Edhe pse gjeneratori kishte hyrë në funksion, sistemi i ngrohjes kishte dështuar sepse pompat që furnizonin me gaz ndërtesën nuk ishin të lidhura me energjinë emergjente.
Temperaturat ishin nën zero dhe drejtuesit e spitalit nisën të planifikonin evakuimin e 150 pacientëve.
“Për fat të mirë, teknikët gjetën një zgjidhje në kohë”, kujton Schmidt. Por ai pranon se atmosfera në lagje ishte “distopike”.
Ndërsa spitalet rifituan energjinë pas një dite, banorët e zonave përreth mbetën në errësirë për gati një javë. Të moshuar u transferuan në qendra emergjente, ndërsa qytetarët mblidheshin në spitale për të karikuar telefonët apo pajisjet bazë.
Vetëm pas disa orësh autoritetet kuptuan se ndërprerja nuk ishte aksidentale.
Një deklaratë anonime prej afro 4.500 fjalësh u publikua në platforma të ekstremit të majtë, ku përgjegjësinë e merrte një organizatë që e quan veten “Volcano Group”.
Mesazhi kishte tone anti-kapitaliste dhe ekologjiste radikale. Autorët e përshkruanin sabotimin si një “akt vetëmbrojtjeje” kundër sistemit ekonomik dhe infrastrukturës që, sipas tyre, “po shkatërron planetin”.
Në deklaratë bëhej thirrje për sabotim të rrjeteve energjetike, industrisë automobilistike, qendrave të serverëve dhe infrastrukturës së karburanteve fosile.
“Ne nuk mund t’i përballojmë më të pasurit”, thuhej në tekst.
“Shkatërroni rrjetet e energjisë, industrinë e makinave, armëve dhe aviacionit.”
“Volcano Group” nuk është një emër i panjohur për autoritetet gjermane. Që prej vitit 2011, organizata ose individë që përdorin këtë emër kanë marrë përgjegjësinë për disa sulme ndaj infrastrukturës kritike në Berlin dhe rrethinat e tij.
Mes objektivave ka qenë edhe fabrika gjigante e Tesla-s pranë Berlinit, e cila mbeti pa energji për disa ditë pas një sabotimi në vitin 2024, duke shkaktuar humbje financiare shumë të mëdha.
Pavarësisht hetimeve federale që zgjasin prej më shumë se një dekade, asnjë person nuk është arrestuar për sulmet.
Autoritetet gjermane i trajtojnë këto raste si terrorizëm, pasi ato synojnë funksionimin normal të shtetit dhe infrastrukturës jetike.
Ekspertët thonë se autorët kanë njohuri të avancuara teknike dhe operojnë në grupe shumë të vogla, çka e bën të vështirë identifikimin e tyre.
Sipas studiuesve të ekstremizmit në Gjermani, interneti sot ofron manuale të detajuara jo vetëm për ndërtimin e mjeteve zjarrvënëse, por edhe për mënyrat si të shmangen kamerat, si të mos lihen gjurmë ADN-je dhe si të organizohen qeliza autonome sabotimi.
Kjo ka shtuar shqetësimin se sulme të tilla mund të përsëriten lehtësisht në të ardhmen.
Ndërkohë, qeveria gjermane ka reaguar ashpër. Ministri i Brendshëm Alexander Dobrindt shpalli një shpërblim prej 1 milion eurosh për informacion që çon në arrestimin e autorëve të ndërprerjes së energjisë në Berlin – një nga shpërblimet më të larta të ofruara ndonjëherë për një çështje terrorizmi të brendshëm në Gjermani.
Ngjarja ka rikthyer në debat frikën për cenueshmërinë e infrastrukturës kritike europiane në një kohë tensionesh politike, radikalizimi dhe kërcënimesh hibride që po shtohen në të gjithë kontinentin. /Përshtatur nga "The Guardian"
Lini një Përgjigje