Me origjinë nga Bjellorusia, Suliak është dentiste dhe përshkruhet nga mediat si një figurë diskrete dhe enigmatike, e cila tani ka dalë në qendër të një skandali ndërkombëtar...
Karina Suliak është kthyer në një nga figurat më të diskutuara ditët e fundit, pas publikimit të grupit të fundit të dokumenteve që lidhen me çështjen e Jeffrey Epstein. Dokumentet zbulojnë se ajo ishte jo vetëm personi i fundit me të cilin Epstein foli përpara vdekjes së tij, por edhe një nga trashëgimtaret kryesore të pasurisë së madhe të financuesit amerikan, si dhe e fejuara e tij në atë periudhë.
Sipas dokumenteve të fundit gjyqësore, Suliak ishte partnerja e fundit e njohur e Epstein dhe mbante një marrëdhënie të afërt me të për gati një dekadë. Deri së fundmi, ajo ishte praktikisht e panjohur për publikun e gjerë. Me origjinë nga Bjellorusia, Suliak është dentiste dhe përshkruhet nga mediat si një figurë diskrete dhe enigmatike, e cila tani ka dalë në qendër të një skandali ndërkombëtar.
Karina Suliak ka lindur më 15 mars 1989 në Minsk. Në vitin 2009 ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur studime në stomatologji. Ajo u regjistrua në institucione të arsimit të lartë, përfshirë Universitetin Columbia, ku përfundoi studimet dhe mori licencën për ushtrimin e profesionit. Emri i saj u bë më i njohur pas vdekjes së Epstein, por të dhëna gjyqësore dhe arkiva mediatike tregojnë se ajo u bë partnere e qëndrueshme e tij rreth vitit 2010, pak kohë pas lirimit të Epstein nga burgu pas dënimit për vepra penale që lidhen me prostitucionin e të miturve.
Për disa vite, Suliak kombinoi aktivitetin e saj profesional me marrëdhënien me Epstein, çka bëri që ajo të shfaqej në adresa të lidhura me rrjetin e pasurive të tij të paluajtshme. Këtu përfshihet edhe një klinikë dentare në St. Thomas të Ishujve të Virgjër, e lidhur me kompani të kontrolluara nga Epstein, si dhe pjesëmarrje sporadike në evente private.
Dokumentet hetimore tregojnë se Suliak ishte personi i fundit me të cilin Epstein foli në telefon përpara se të gjendej pa ndjenja në qelinë e tij në gusht të vitit 2019. Në dokumentacionin zyrtar të burgut ajo identifikohet si “Personi 1”. Kjo thirrje ka ushqyer spekulime të shumta lidhur me rrethanat e vdekjes së Epstein, megjithatë autoritetet amerikane nuk kanë konfirmuar prova që të tregojnë për vepër penale, duke e konsideruar vdekjen si vetëvrasje.
EXCLUSIVE - PICTURED: Jeffrey Epstein's last girlfriend Karyna Shuliak is seen for first time since DOJ ruled pedophile's 2019 jail death a suicide - the same week his client Leon Black is accused of raping a 16-year-old with Down syndrome https://t.co/WqeR0y8x3Z pic.twitter.com/zHwaUGiTiw
— Daily Mail US (@Daily_MailUS) July 31, 2023
Një nga aspektet më domethënëse të dosjes është fakti se Epstein e kishte përfshirë Suliak si një nga përfitueset kryesore të pasurisë së tij. Në testamentin e nënshkruar më 8 gusht 2019, vetëm dy ditë përpara vdekjes, Epstein e vendos atë në qendër të trashëgimisë së tij. Sipas dokumenteve, ajo pritej të përfitonte rreth 100 milionë dollarë, në formë pagesash të drejtpërdrejta dhe këste vjetore, si dhe disa prona të rëndësishme, përfshirë rezidencën në Manhattan, vilën në Palm Beach, fermën Zorro Ranch në Nju Meksiko, një apartament në Paris, dy ishuj privatë në Karaibe dhe një unazë diamanti gati 33 karatësh, e dhënë “në pritje të martesës”.
Megjithatë, pas vdekjes së Epstein, pasuria e tij nuk u shpërnda menjëherë. Ajo u transferua në një fond të posaçëm, të njohur si “Trust 1953”, i cili u vendos nën administrim gjyqësor dhe u përdor për kompensimin e viktimave të krimeve të tij, si dhe për shpenzime ligjore dhe tatimore. Kjo ka reduktuar ndjeshëm vlerën e pasurisë së disponueshme për trashëgimtarët e mundshëm, ndërsa mbetet e paqartë nëse dhe në çfarë mase Suliak do të përfitojë nga këto asete, çështje që vazhdon të shqyrtohet në procese ligjore.
Licenca e saj për ushtrimin e profesionit të stomatologes në Florida aktualisht figuron si joaktive. Po ashtu, mediat raportojnë se në vitin 2013 ajo u martua me një bashkëpunëtor të Epstein, një martesë që disa media e kanë përshkruar si formale, me qëllim lehtësimin e statusit të qëndrimit në SHBA.
Edhe pse Karina Suliak vazhdon të mbajë një profil të ulët dhe diskret, zbulimet e fundit e kanë shndërruar atë në një nga figurat më të debatueshme të një skandali global me shumë shtresa.
Lini një Përgjigje