TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2026, 17:38

Dëbora arrin deri në 60 centimetra në SHBA, shpallet gjendje e jashtëzakonshme në bregun lindor

Shkruar nga Pamfleti

Dëbora arrin deri në 60 centimetra në SHBA, shpallet gjendje e

Një stuhi e fortë dimërore ka përfshirë bregun lindor të Shteteve të Bashkuara, duke sjellë reshje të dendura dëbore dhe paralizuar transportin në disa shtete. Në disa zona, trashësia e dëborës ka arritur deri në 55.9 centimetra, ndërsa në New York është regjistruar rreth 38 centimetra.

Paralajmërimet për stuhi dimërore shtrihen nga Karolina e Veriut deri në veriun e shtetit Maine, ndërkohë që alarme të ngjashme janë lëshuar edhe për disa zona në lindje të Kanadasë.

Gjendje e jashtëzakonshme dhe mbyllje shkollash

Shtetet New York, Delaware, Massachusetts, New Jersey, Connecticut, Rhode Island dhe Pensilvania kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Shkollat janë mbyllur në shumë zona, ndërsa në Uashington shkollat publike kanë nisur mësimin me dy orë vonesë.

Në qytetin e New Yorkut, autoritetet kanë mbyllur shkollat dhe kanë kthyer 13 godina shkollore në “qendra ngrohjeje” për banorët gjatë kohëzgjatjes së stuhisë. Kryebashkiaku Zohran Mamdani u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa vetëm automjetet e emergjencës lejohen të qarkullojnë në pesë bashkitë e qytetit.

Sipas autoriteteve, kjo është stuhia më e fortë e dëborës që godet New Yorkun në nëntë vitet e fundit.

Ndërprerje energjie dhe kaos në transport

Më shumë se 400 mijë abonentë kanë mbetur pa energji elektrike si pasojë e motit të rënduar. Ndërkohë, mbi 5,400 fluturime drejt, nga dhe brenda SHBA-ve janë anuluar deri të hënën.

Shërbimet hekurudhore dhe të trageteve janë pezulluar në disa zona, ndërsa transporti urban, përfshirë autobusët dhe metrotë, po funksionon me vonesa dhe kapacitete të reduktuara. Aeroportet “John F. Kennedy” dhe “LaGuardia” në New York janë ndër më të prekurat nga anulimet dhe vonesat.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa pritet që kushtet e motit të mbeten të vështira edhe në orët në vijim.

Lini një Përgjigje