Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, paralajmëroi se çdo vend që përpiqet të “luajë lojëra” me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë për tarifat doganore do të përballet me tarifa shumë më të larta dhe masa më të ashpra.
Reagimi i tij vjen disa ditë pasi Gjykata e Lartë shpalli të pavlefshme një pjesë të konsiderueshme të tarifave që administrata e tij kishte vendosur. Trump e kritikoi sërish ashpër vendimin dhe akuzoi gjykatën se “mbështet Kinën”.
“Në vijim, (gjyqtarët e Gjykatës së Lartë) do të marrin vendime në favor të Kinës dhe vendeve të tjera”, shkroi ai në platformën Truth Social.
Trump deklaroi se vendimi i fundit, sipas tij, i ka dhënë më shumë kompetenca presidencës sesa kishte më parë. Ai e cilësoi vendimin si të gabuar dhe me pasoja negative në nivel ndërkombëtar, duke kundërshtuar kufizimin e kompetencave të tij në fushën e politikës tarifore.
Sipas presidentit amerikan, edhe pas vendimit të Gjykatës, ai mund të vazhdojë të përdorë autoritetet ekzekutive për të ndërmarrë masa të forta kundër vendeve që, sipas tij, kanë përfituar prej dekadash nga marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.
Që të premten, Trump e kishte cilësuar vendimin e Gjykatës së Lartë si “të gabuar” dhe “të dëmshëm”. Në reagimin e tij të fundit, ai kritikoi shumicën e gjyqtarëve, ndërsa përjashtoi nga kritikat tre anëtarët që votuan kundër vendimit.
Presidenti theksoi gjithashtu se, sipas interpretimit të tij, nuk ka nevojë të kërkojë miratim të ri nga Kongresi për vendosjen e tarifave, duke argumentuar se autorizimi përkatës ekziston prej kohësh dhe se vendimi i fundit, në mënyrë të tërthortë, e ka rikonfirmuar atë.
Lini një Përgjigje