TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Shkurt 2026, 17:05

Vrasja e “El Menchos”, Trump: Meksika të godasë pa mëshirë kartelet e drogës!

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja e “El Menchos”, Trump: Meksika të godasë pa

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje Meksikës të rrisë përpjekjet në luftën kundër karteleve të drogës, pas një operacioni të madh të forcave federale meksikane që përfundoi me vrasjen e kreut të Kartelit të Gjeneratës së Re të Jaliscos (CJNG), i njohur si “El Mencho”.

“Meksika duhet të shtojë përpjekjet e saj kundër karteleve dhe drogës!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale, Truth Social.

Ditën e djeshme, forcat federale të sigurisë zhvilluan një operacion ushtarak në qytetin Tapalpa, rreth 130 kilometra në jug të Guadalajarës, kryeqyteti i shtetit të Jaliscos. Objektivi i aksionit ishte struktura e CJNG-së, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në Meksikë.

Sipas raportimeve, gjatë përleshjeve mbeti i vrarë lideri i kartelit, i njohur me nofkën “El Mencho”. Deri në momentin e raportimit, autoritetet nuk kanë dhënë një deklaratë të detajuar publike mbi bilancin zyrtar të operacionit.

Pas ndërhyrjes së forcave të sigurisë, në disa zona të Jaliscos dhe shteteve të tjera u raportuan bllokada rrugësh, si dhe incidente me zjarrvënie të automjeteve dhe bizneseve. Mediat vendase i kanë cilësuar këto ngjarje si hakmarrje të mundshme nga grupet kriminale.

Qeveria e shtetit të Jaliscos u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë në shtëpi, pezulloi transportin publik dhe aktivizoi një “alarm të kuq” për shkak të kërcënimeve ndaj sigurisë publike.

Dhuna e lidhur me kartelet e drogës është përshkallëzuar në disa shtete të Meksikës gjatë ditëve të fundit, duke shtuar shqetësimet për stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Lini një Përgjigje