Partia në pushtet e Koresë së Veriut, Partia e Punëtorëve, rizgjodhi Kim Jong Un si sekretar të përgjithshëm, njoftuan mediat shtetërore. Vendimi u mor gjatë kongresit të partisë në Phenian, raporton "BBC".
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, nën drejtimin e Kim Jong Un, Koreja e Veriut ka përmirësuar ndjeshëm “kapacitetin e saj të frenimit ushtarak”, duke e mbështetur atë në forcat bërthamore.
Familja Kim drejton vendin që nga fundi i viteve 1940. Kim Jong Un mori pushtetin në vitin 2011, pas vdekjes së të atit. Gjatë kësaj periudhe, ai ka investuar në programin bërthamor, duke rritur tensionet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore.
Megjithëse përballet me sanksione ndërkombëtare prej vitesh, Pheniani ka vazhduar zhvillimin e kapaciteteve bërthamore dhe testimin e raketave ndërkontinentale, të ndaluara nga rezolutat e OKB-së. Megjithatë, për shkak të mungesës së transparencës së regjimit, vlerësimi i progresit real ushtarak mbetet i kufizuar.
Kongresi i nëntë i Partisë së Punëtorëve, që nisi më 19 shkurt dhe ka hyrë në ditën e katërt, pritet të përcaktojë fazën e ardhshme të programit të armatimeve. Para hapjes së tij, Koreja e Veriut prezantoi një seri lëshuesish raketash me kapacitet bërthamor, sipas deklarimeve zyrtare. Kongresi mbahet çdo pesë vjet dhe konsiderohet ngjarja më e rëndësishme politike në vend.
Sipas KCNA-së, rreth 5.000 anëtarë të partisë marrin pjesë në punimet e kongresit, i cili ofron një pasqyrë të rrallë mbi strukturën e pushtetit politik në vend. Gjatë këtij takimi u riorganizua edhe presidiumi i partisë, ose komiteti ekzekutiv, ku më shumë se gjysma e 39 anëtarëve u zëvendësuan krahasuar me përbërjen e vitit 2021.
Në fjalën hapëse, Kim u zotua të përmirësojë ekonominë dhe standardin e jetesës së popullsisë, duke i cilësuar ato si “detyra të rënda dhe urgjente historike”.
Vëmendja mbetet edhe te prania e mundshme e vajzës së tij, Ju Ae. Në fillim të muajit, shërbimi inteligjent i Koresë së Jugut deklaroi se Kim e ka përzgjedhur atë si trashëgimtare. Ju Ae, që besohet të jetë rreth 13 vjeç, është shfaqur gjithnjë e më shpesh në aktivitete zyrtare, përfshirë inspektime raketash dhe një paradë ushtarake në Pekin së bashku me të atin.
Sipas raportimeve të mediave shtetërore kineze, presidenti i Kinës, Xi Jinping, e telefonoi Kim Jong Un për ta uruar për rizgjedhjen, duke theksuar gatishmërinë për të “hapur një kapitull të ri në miqësinë Kinë–Kore e Veriut”.
Kina mbetet partneri më i madh tregtar dhe burimi kryesor i ndihmës për Phenianin. Megjithatë, Pekini ka shprehur shqetësime për ambiciet bërthamore të Koresë së Veriut dhe për afrimin e saj me Rusinë e Vladimir Putinit, zhvillime që mund të ndikojnë në stabilitetin rajonal.
Lini një Përgjigje