Njoftimi i Presidentit amerikan Donald Trump për dërgimin e një anijeje spitalore në Groenlandë ka shkaktuar reagime të menjëhershme nga drejtuesit politikë të ishullit dhe nga Danimarka.
Trump publikoi në rrjetin e tij social Truth Social se administrata amerikane do të ndërmarrë një hap konkret për të ofruar ndihmë shëndetësore në Groenlandë. Ai theksoi se iniciativa po realizohet në bashkëpunim me guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry.
“Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije të madhe spitalore në Groenlandë për t’u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe nuk po marrin kujdesin e duhur atje. Është rrugës!!!”, tha Trump.
Deklarata e tij u interpretua si kritikë ndaj sistemit shëndetësor të Groenlandës. Kryeministri Jens-Frederik Nielsen reagoi publikisht duke kundërshtuar këtë qëndrim dhe duke theksuar natyrën publike të shërbimit shëndetësor në vend.
“Ideja e Presidentit Trump për të dërguar një anije spitalore amerikane këtu në Grenlandë është vënë re. Por ne kemi një sistem shëndetësor publik, ku trajtimi është falas për qytetarët”, tha Nielsen.
“Kjo është një zgjedhje e qëllimshme dhe një pjesë themelore e shoqërisë sonë. Nuk funksionon kështu në SHBA, ku duhet të paguash për t’u vizituar te mjeku”.
Edhe kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, reagoi përmes një postimi në Facebook, duke mbështetur qëndrimin e autoriteteve groenlandeze.
“Gëzohem që jetoj në një vend ku të gjithë kanë akses të lirë dhe të barabartë në shëndet. Ku nuk janë sigurimet dhe pasuria që përcaktojnë nëse merr trajtim të duhur”.
Njoftimi i Trump vjen në një klimë tensionesh mes SHBA-së dhe Mbretërisë së Danimarkës lidhur me pretendimet e presidentit amerikan për marrjen e Groenlandës. Pak ditë më parë, autoritetet në Nuuk ofruan trajtim mjekësor për një pjesëtar të ekuipazhit të një nëndetëseje amerikane. Postimi i Trump u publikua disa orë pas kësaj ngjarjeje, ndërsa autoritetet e Groenlandës nuk kanë kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara.
Lini një Përgjigje