Hungaria duket se ka arritur të bllokojë BE-në për të miratuar paketën e re të sanksioneve ndaj Rusisë.
Kjo do të ishte paketa e 20-të e sanksioneve që Bashkimi Europian i vendoste Kremlinit që nga momenti që Rusia nisi një luftë në front të gjerë për pushtimin e Ukrainës.
BE-ja synonte të miratonte paketën e sanksioneve ditën e sotme, pra një ditë para se të përmbushej 4 vjetori i fillimit të luftës.
Por, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, pranoi këtë mëngjes se "nuk do të ketë përparim" në këtë çështje sot, pasi Budapesti vazhdon të bllokojë miratimin e sanksioneve.
“Po bëjmë çmos që paketa e sanksioneve të kalojë dhe po kërkojmë mënyra se si mund ta bëjmë këtë. Por, meqenëse kemi dëgjuar disa deklarata shumë të forta nga Hungaria, nuk shoh realisht se ata do ta ndryshojnë këtë për fat të keq sot”, tha ajo.
Hungaria kundërshton masat e propozuara, si dhe pagesën e kredisë prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, si pjesë e mosmarrëveshjes së saj në rritje me Ukrainën në lidhje me tranzitin e naftës duke përdorur tubacionin Druzhba.
Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, tha të dielën se “derisa Ukraina të rifillojë tranzitin e naftës drejt Hungarisë dhe Sllovakisë nëpërmjet tubacionit Druzhba, ne nuk do të lejojmë që vendimet e rëndësishme për Kievin të ecin përpara”.
Qëndrimi i Hungarisë ka sjellë një seri reagimesh të kryediplomatëve të vendeve të BE-së, ku më të ashpërit ishin ato të vendeve baltike dhe Polonia.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, tha se ishte “shumë i frustruar” me bllokun hungarez.
“Duhet të ecim përpara dhe jam vërtet i mërzitur dhe i frustruar që një nga vendet po e bllokon atë për arsye që janë të brendshme ose të jashtme, nuk e di, por ato nuk bazohen në nevojat evropiane.
“Unë me të vërtetë pres që të mund të zhvillojmë një diskutim të hapur dhe të ndershëm, duke parë njëri-tjetrin në sy dhe duke iu përgjigjur këtyre pyetjeve: çfarë po bëjmë këtu, çfarë po prishim; a ka të bëjë vetëm me Ukrainën, apo ka të bëjë me qëndrimin tonë 27 anëtarë në Bashkimin Evropian?”
Nuk mund të vazhdojmë kështu. Nuk mund t’i japim ato karrota çdo herë dhe të presim që, oh, do të ketë një vend që do të bllokojë, kështu që çfarë do t’u japim ne atyre. Nuk mund të funksionojë kështu. Bashkimi Evropian është projektuar në një mënyrë tjetër.
Ne kemi një burim të vazhdueshëm përçarjeje, dhe unë kam pyetjen nëse duhet ta rishikojmë procesin e vendimmarrjes. Ky është një opsion. Opsioni tjetër është të thirremi edhe në nenin shtatë dhe thjesht të ndalojmë këtë shfrytëzim të parimit të unanimitetit. Është vërtet dëmtues dhe i rrezikshëm”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, tha gjithashtu se ishte “i habitur” nga qëndrimi hungarez mbi sanksionet dhe shpresonte ta diskutonte këtë gjatë takimit të sotëm të ministrave të jashtëm të BE-së.
Por ministri i jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, ishte më i drejtpërdrejtë, duke thënë se dështimi për të miratuar sanksionet e reja do t’i sillte vetëm dobi Rusisë .
“Nëse nuk jemi në gjendje t’i vendosim sanksione Rusisë, atëherë Rusia do të jetë e lumtur”, tha ai.
Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, e ka kritikuar ashpër Hungarinë për bllokimin e paketës së 20-të të sanksioneve, duke thënë se ishte “tronditëse” që me historinë e tyre të luftës kundër agresionit sovjetik në shekullin e 20-të, udhëheqësit në Budapest zgjedhin të sulmojnë Ukrainën për përfitime të brendshme. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje